VISAR ZHITI
KARTELA E 40 FIRMËTARËVE TË PAVARËSISË
27. FERIT VOKOPOLA (1887-1969)
Nga Berati, lindur në Vokopolën e tij… Studioi në Stamboll, ku kishin mërguar. Kthehet në atdhe… Në nëntor 1912, delegat i Lushnjes, shkon në Kuvendin e Vlorës. Aty firmosi Aktin e Pavarësisë Kombëtare “M. Ferit Vokopola”. Ndërkaq babai i tij, Mustafa Vokopola, ishte prefekt i Vlorës. Iu përkushtua mësimeve fetare, përkthimit të Kur’anit. Më 1920 mori pjesë në organizimin e Kongresit të Lushnjës. Ishte ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës dhe bashkëpunëtor i njohur i shtypit laik e fetar. Gjatë kohës së monarkisë do të jetë deputet i Beratit, ministër i Bujqësisë. Do të botojë veprën fetare “Gjëmimi i Tomorrit”, përmbledhjes me vjersha “Symbyllazi dhe ëndërrime”. La në dorëshkrim Kalendarin osman dhe Kur’anin. Mbylli sytë përgjithmonë në Durrës. I harruar…
28. SHEFQET DAJIU (1882-1946)
Nga Elbasani… Shkollën e lartë e përfundoi në Stamboll. U kthye në vendlindje, ku vazhdoi veprimtarinë patriotike, të nisur në kryeqendrën e Turqisë. Dhe ndihmesën e tij në organizimin e Kongresit të Elbasanit dhe hapjen e “Normales”. Kryengritja e përgjithshme e gjeti në Dibër, duke hapur shkolla shqipe e duke shpërndarë tekstet shqip. Në nëntor 1912, shkon në Vlorë si delegat i Elbasanit dhe firmosi aktin “Shefqet Daji”. Iu përkushtua aktivitetit pedagogjik. Botoi një abetare për shkollat fillore. Në vitet ’20, është deputet në Parlamentin shqiptar. Bashkëpunoi me Aleksandër Xhuvanin në shoqërinë kulturore “Kopshti letrar” dhe në revistën e këtij klubi me të njëjtin emër. Pas mbarimit të Luftës së II Botërore, fitimtarët e arrestojnë si bashkëpunëtor me pushtuesit për të vdekur në burg.
29. ZIHNI ABAS KANINA HAMZARAJ (1885-1957)
Nga Kanina e Vlorës, nga ishte dhe Ismail Qemali, por dhe bashkëshortja e Skënderbeut… Z. Kanina u dallua si politikan e diplomat. Që në vitin 1906 u emërua nëpunës i konsullatave turke në Greqi, Bejrut, Maltë, etj. U burgos prej autoriteteve turke, kur u kthye në Shqipëri dhe u aktivizua me grupet patriotike. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në kuvendin e Vlorës si delegat i Vlorës, firmosi Dokumentin “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Do të ishte një nga themeluesit e shkollës tregtare të Vlorës, ku dha mësim gjuhën frënge. Iu përkushtua arsimdhënies. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah mikut të tij të vjetër të idealit, Mid’hat Frashërit. Fitimtarët e arrestojnë në vitin 1951, e burgosin. Duke e lënë në harresë dhe mosmirënjohje, vdes në burgun e Tiranës…
30. QEMAL KARAOSMANI ELBASANI (1875-1949)
Nga Elbasani. Studimet e larta i përfundoi në Stamboll për shkenca politike dhe administratë. Filloi punën në Janinë e më pas u shpërngul në Berat, ku bashkëpunoi për çlirim kombëtar me patriotët si Jorgji Karbunarën dhe Iljaz Vrionin duke nisur dhe me shpërndarjen e librave shqip. Punoi në organizimin e Kongresit të Elbasanit në vitin 1909. Kishte popullaritet… Në nëntor 1912, u zgjodh delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës firmosi Dokumentin “Qemal Elbasani”. Ajo penë me të cilën nënshkruan firmëtarët Aktin, shume vite më vonë do të gjendej në shtëpinë e Karaosmanit dhe më 1962 iu dorëzua Arkivit të Shtetit. Qemal Elbasani u bë pjesë e administratës civile në qeverinë e Vlorës. Mbështeti qeverinë e Sulejman bej Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe për disa vite ishte asamblist. Ka qenë zgjedhur kryetar bashkie në Elbasan. Vitet e Luftës së II Botërore i kaloi i mënjanuar. Pas çlirimit, u harrua. Vdiq në Kavajë… Fëmijët e tij do të përndiqeshin e persekutoheshin si klasë e pasur bejlerësh.
31. DHIMITËR BERATI (1888-1970)
Lindi në Korçë… Në Rumani përfundoi Fakultetin e Shkencave Politike e atë Juridik. Kthehet në Korçë dhe pas vitit 1905, punoi si mësues në shkollën e parë shqipe të Korçës. Anëtar i klubit patriotik “Dituria” që në themelim më 1908… sufler në shfaqjen e dramës “Besa” të Samiut… Metafora e suflerit të besës në veprimtaritë patriotike… merr pjesë në Kongresin e Elbasanit. Në 1910, në Kongresin e dytë të Manastirit. Është me Ismail Qemalin në mbledhjen e Hotel “Kontinental”-it në Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Firmos Aktin historik të shpalljes së pavarësisë “D. Beratti”. U emërua drejtor i Përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës” dhe u zgjodh anëtar i Pleqësisë (Senatit). Më 1913, sekretar i Delegacionit shqiptar në Londër, në Paris dhe Romë, etj. Po këtë vit, administrator i spitaleve të vendit. Në korrik 1914, emigron në Rumani, ku punoi për krijimin e kishës ortodokse shqiptare të Rumanisë. Beratti është delegat i shqiptarëve të Bukureshtit në Konferencën e Paqes më 1919. Më 1924, në Sofje me detyrën e kryekonsullit. Ne vitet 1926 – 1934, punon si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935, ministër i Ekonomisë kombëtare. Një vit më vonë ministër në Romë. Më pas, sekretar Shteti i Kulturës Popullore në qeverinë e Mustafa Merlikës. Anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Pas rënies së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u largua nga Shqipëria përgjithmonë, u vendos në Itali, ku u mor me veprimtari të shumta patriotike. Mbretëria rumune më 1932 e dekoroi me medaljen “Grand Officer De La Courron Roumania”. Ka botuar dy vëllime me titull “Shqipëria më 1937”, model për shkrimin e historisë së shtetit shqiptar. Dekoruar me urdhrin “Për veprimtatri patriotike” të klasit të parë. Shuhet pas një aksidenti automobilistik në Romë.
32. DHIMITËR MBORJA EMANOIL (1884-1945)
Nga Mborja… Anëtar i shoqërisë “Dituria” të Korçës më 1908. Kryetar i shoqërisë patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit. Boton e shpërndan programin e komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Më 5 nëntor 1912, merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit me Ismail Qemalin. Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë në Vlorë “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. I dha qeverisë së parë një shumë prej 1000 frangave si fond i krijimit të Ministrisë së Financave. Në shkurt 1915, zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”, në mbrojtje të shkollës shqipe. Rreth vitit 1920, dhuroi shtëpinë e tij në Korçë për ta bërë Liceun Kombëtar. Më 1924, mbështet qeverinë e Nolit. Largohet në Rumani për t’u rikthyer në atdhe vite më vonë. Por, do të vdesë në Bukuresht.
33. DHIMITËR ZOGRAFI (1878 – 1947)
Nga Korça… Kishin mërguar në Rumani nga fundi i shekullit XIX. Më 1906 merr pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve te Bukureshtit “Bashkimi-Unirea”. Është një nga organizatorët e mbledhjes së Bukureshtit në fillim të nëntorit 1912 dhe në fjalën q;e mbajti tha se patriotët “kanë besim të plotë në veprimin e Kombit shqiptar pas udhës që tregoi z. Ismail Qemal Beu e se kanë për të bërë sa mundet me gjithë shpirt e me të gjitha mënyrat për shpëtimin e Atdheut”. U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin: “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Në dhjetor 1912, bashkë me Dhimitër Emanoilin shkojnë në Brindisi… Kundërshton vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmos protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919. Vdes në Bukuresht.
34. BEDRI PEJANI (1885- 1946)
Nga Peja… Shkollohet në “Robert Kolezh” dhe vazhdon studimet e larta për histori në Universitetin e Stambollit. Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910), dhe sekretar i Komitetit të Kosovës” (1918-1924). Në nëntor 1912 u zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, merr pjesë në mbledhjen e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë “Bedri Pejan”. Mbështetës i rebelimit të Fan Nolit dhe anëtar i KONARE-s. Iu përkushtua mbrojtjes së të drejtave të Kosovës dhe të Çamërisë. Ka bashkëpunuar edhe me aktorin e famshëm shqiptar Aleksandër Moisiu. Mori pjesë në Komintern dhe u fut në lëvizjen nacionalçlirimtare. Nga janari deri në mes të qershorit 1944 ishte kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Më 1945, u arrestua në Shkodër nga Sigurimi i Shtetit dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave. Vdiq i helmuar në spitalin-burg të Prizrenit.
35. SPIRIDON ILO (1876 – 1950)
Nga Korça… Mësues në shkollën shqipe të vashave. Mërgoi në Bukuresht ku u lidh me koloninë shqiptare të atjeshme. Mori pjesë mbledhjen e Bukureshtit. Thuhej se Spiridon Ilo solli flamurin shqiptar që u ngrit në Vlorë. Në mbledhjen e 28 nëntorit, si përfaqësues i Korçës firmosi Aktin e Pavarësisë “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1913 u kthye në Rumani. Në vitin 1916 shkoi në Neë York, ku vazhdoi veprimtarinë patriotike. Në vitet ’20, botoi e shpëndau kartolina me temë patriotike. Botoi komedinë “Vërtet ëndërr” dhe përmbledhjen me vjersha patriotike “Dëshirat e zemrës”. Është autori i këngës “Eja, mblidhuni, këtu, këtu”. Themeloi shoqërinë e parë diskografike “Albanian Phonograf Records” në vitin 1923. Regjistroi për herë të parë Himnin tonë Kombëtar. Kallëpet e pllakave i solli në Shqipëri dhe (në 1946) Komitetit Ekzekutiv, meqënëse ishin prej bakri, i dha për t’i futur në bazamentet e antenës së “Radio Korçës”. Iu lidh një pension si patriot i Rilindjes Kombëtare. Por, në heshtje. Vdiq në Korçë.
36. QEMAL MULLAJ (1881-1966)
Nga Berati… Shkollën e lartë e përfundoi në Stamboll, për gjeografi. Pas daljes së kushtetutës xhonturke dhe faljes së lirisë, u kthye në Shqipëri, zgjodhi të banonte në afërsi të Lushnjes dhe nis nga veprimtaritë patriotike kundër osmanëve dhe predikoi pavarësinë e atdheut. Si delegat i Lushnjes mori pjesë në kuvendin historik të Vlorës të nëntorin 1912 dhe firmosi Aktin “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës së I Botërore, u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920. Deputet në parlamentin e parë shqiptar. Pas varrimit të atentatorit Avni Rustemi në Vlorë, më 1 maj 1924, mbështet forcat e kryengritjes. Pas rrëzimit të kabinetit të Nolit, ikën sërisht jashtë atdheut. Mendohet se mund të ketë organizuar një atentat kundër Ahmet Zogut… Vitet e fundit të jetës i kaloi në Tiranë, në qetësi. Nderohet me urdhrin “Për veprimtari patriotike të klasit I”.
37. MUSTAFA MERLIKA KRUJA (1887-1958)
Nga Kruja e Skënderbeut… Fundi i dhjetëvjeçarit të parë të shek. XX e gjen në Stamboll, në Institutin Superior, Fakulteti i Shkencave Politike. Herë e përjashtonin nga shkolla për veprimtari patriotike, teksa shkruante artikuj në shtypin liberal në njohje të gjuhës shqipe. Diplomohet 1910… Kthehet në atdhe dhe punon mësues në Durrës, drejtor i arsimit në Elbasan, etj, por dhe sekretar në çetat kryengritëse… Dy vjet më vonë për në Vlorë si delegat i Krujës. Shkon me Ismail Qemalin që të shpallnin Pavarësinë. E firmosi Aktin “Mustafa Asim Kruja” dhe caktohet sekretar i parë i qeverisë së parë. Pastaj, nënprefekt i Vlorës. Në qeverinë e Princ Vidit do të jetë këshilltar i Arsimit Publik. Burgoset nga Esat pashë Toptani, autoritetet italiane e internojnë në ishujt e Favignano-s. Nis Lufta e I Botërore dhe ikën në Caserta, kthehet në Durrës në 1918. Merr pjesë në Kongresin e Durrësit dhe propozon Shkodrën si kryeqytet. Merr pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, etj. Gjatë kohës së Kongresit të Lushnjës organizon qëndresën antiserbe në Dibër e Lumë. Mbron Tiranën me 200 krutanë kundër esadistëve. Bashkëfarkëtoi “Bashkimin e shenjtë”, etj. Përkrahu “Lëvizjen e Qershorit” të 1924 dhe emërohet prefekt i Shkodrës e më pas, me ardhjen e Legalitetit, shkoi në Itali. Vendoset në Zara, ku ra në kontakt me intelektualët Xhevat Korça, Ernest Koliqi, Kostantin Kotte. I përkushtohet gjuhësisë. Me miqtë e tij punoi që veprimtaritë e komunistëve rusë të mos kishin lidhje me Shqipërinë. Kur vendi pushtohet nga fashistët Italianë, ndodhej ne Gjenevë, ku ndiqte me vëmendje dhe ankth zhvillimet në Shqipëri.
Kthehet… Më 1940, ishte pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare, pararendës i Akademisë së Shkencave dhe nis punën për hartimin e një Fjalori të Përgjithshëm të Gjuhës Shqipe. 1941-1942, kryeministër i Shqipërisë. Një lëshim ky që Italia u bënte “ekstremistëve të nacionalizmit shqiptar”. Iu dha rëndësi e dorës së parë çështjes së Kosovës. Merlika kërkon heqjen e sopatave liktoriane nga Flamuri i Shqipërisë. Gjithashtu, Kruja ngadalësoi procesin e fashistizimit dhe të italianizimit të vendit dhe u bëri kërkesë partizanëve për bashkëpunim, gjë që u hodh poshtë prej tyre. Me vrasjen e Qazim Koculit dhe prefektit Lele Koçi në Vlorë, Merlika-Kruja dha dorëheqjen. Mbas kapitullimit të fashizmit, i bëjnë atentat… shkon në Vjenë, I vdes djali i vogël dhe s’kthehet më në Shqipëri. Në Itali me Ernest Koliqin rithemelojnë Bllokun Kombëtar Indipendent. Shkon në Egjipt, Francë, SHBA… Familja në Shqipëri do të përndiqej, e persekutohej pa ndërprerje. Mustafa Kruja-Merlika la një vepër me rëndësi gjuhësore, didaktikë dhe histori, monografi, kujtime, përkthime dhe letërkëmbim të vyer. Me botimin e tyre nuk u morën shteti me institucionet përkatëse, por nipi i tij, Eugjen Merlika, duke shpenzuar paratë e dëmshpërblimit të burgut dhe të internimeve të tij.
TRE KARTELAT E FUNDIT, NJË SIMBOLIKË TRAGJIKE: FRASHËRLLIU, KOSOVARI DHE I PUSHKATUARI NË ATDHE…
38. MID’HAT FRASHËRI (1880-1949)
Shkrimtar, politikan dhe diplomat, përkthyes, publicist e albanalog, veprimtar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e lirë”… Nga dera e frashërllinjve, biri i Abdyl Frashërit dhe nip i Naimit dhe Samiut… Lindi në Janinë. Shkoi në Stamboll, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik. Në vitin 1908 filloi botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 14 nëntor – 22 nëntor 1908 dhe u zgjodh kryetar i Kongresit duke qenë 28 vjeç. Vjen në Kuvendin e Vlorës për të shpallur Shqipërinë të pavarur si delegat i Elbasanit dhe firmosi “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve Botore. Më 30 mars 1913, jep dorëheqjen nga kjo detyrë. Mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe u angazhua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Shkon në disa shtete të Evropës. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht, ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë të Zvicrës. Më 1920, shkon në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri dha dorëheqjen dhe deklaroi largimin e tij nga aktiviteti politik. Më 1927, fillon të botojë në Tiranë, revistën “Dituria” dhe themelon librarinë “Lumo Skëndo”, emri i tij letrar. Pas pushtimit të vendit nga Italia, vendos të rikthehet në politikë. Më 1941 është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Organizatës “Balli Kombëtar”. Kundërshtar i komunistëve, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork në tetor 1949, “në rrethana misterioze”, në dhomën e një hoteli vdes papritur. 69 vjeç, e helmuan. Policia sekrete sovjetike ishte e lidhur me Sigurimin shqiptar… Eshtrat e tij kthehen në atdhe pas shumë vitesh më pas, pas rënies së komunizmit me një ceremoni të lartë shtetërore. Ndërkaq historiani Uran Butka, kryetar i Fondacionit që mban emrin e Mithat Frashërit, ka risjellë verën e tij shumë vëllimëshe, me një titull kuptimplotë “Gjeniu i Kombit”
39. REXHEP MITROVICA (1888-1960)
Nga Mitrovica, pinjoll i një familje atdhetare. Të ikur nga Shkodra. Mësimet e para dhe dije fetare i mori në gjuhën turke në Mitrovicë, pastaj në gjimnazin mbretëror të Selanikut dhe shkollën e lartë në Paris, por e ndërpret me vdekjen e të atit… Njëzetvjeçar, në 1908, u fut me shokë të tij në veprimtaritë për Kongresin e Manastirit. Dhe nuk u ndal më, shkoi në Kuvendin e Vlorës me Sali Gjukan dhe Bedri Pejanin si delegatë të Gjakovës, Pejës e Gucisë, ndërsa Kosova ishte e pushtuar nga serbët. Firmoi Aktin Kombëtar: “Rexhep”. Më 7 mars 1914, Mitrovica mori pjesë në pritjen që iu bë princ Vidit në Durrës. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore u largua në Austri. Më 1916, u vendos në Vjenë dhe studioi në universitet, katër vjet me radhë në Shkencat Pedagogjike, poliglot, me dije të gjera dhe do të bëhej ministër Arsimi në 1921 në atdhe. Menjëherë, nisi nga puna për krijimin e një rrjeti arsimor dhe të një biblioteke kombëtare në Tiranë. Bashkëpunon me amerikanët për shkollën profesionale “Harry Fultz”. Mërgon sërish dhe kthehet sërish në fillim të viteve ’40. I përkushtohet aksionit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Së bashku me Ago Agajn, Xhaferr Devën dhe Vehbi Frashërin ndihmuan hebrenjtë të mos kapeshin nga nazistët dhe të kalonin në Shqipëri. Goditi dhe ushtrinë italiane, që iu bë krah malazezëve kundër shqiptarëve dhe arrestohet nga fashistët. Burgoset në Porto Romano… Zgjidhet kryetari i parë i Komitetit të Lidhjes së II të Prizrenit dhe kryeministër i Qeverisë së Regjencës nën pushtimin gjerman, mban dhe postin e ministrit të Kulturës, gjithmonë në shërbim të kauzës së Shqipërisë. Në nëntorin e 1944, “grupi i kosovarëve”, pasi Rexhep Mitrovica dha dorëheqjen, mori rrugën e mërgimit. Me fitoren e komunistëve në Shqipëri, Mitrovica shkon në Itali dhe më pas në Turqi… vdes në Ankara.
40. LEF NOSI (1873-1946)
Nga Elbasani… nga një familje e kamur ortodokse pranë Kalasë. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, të e mesmen e përfundoi në Athinë dhe nis të lartën për farmaci. Zotëronte pesë gjuhë të huaja, krijoi bagazh të madh kulturor, etnograf, numizmat, filatelisti i parë, njohës dhe mbledhës i antikuareve, koleksionist i famshëm në Ballkan, arkeolog. U lidh me lëvizjen antiosmane, u lidh me Faik Konicën në Londër dhe 1907, shtypën programin politik të tyre, “Shqipëria me 4 vilajete”, “Shteti laik”, etj. Në vazhdim të çështjes, shkon në SHBA, Filadelfia. Kthehet në Elbasan dhe zgjidhet kryetar i klubit “Vllaznia”. Merr pjesë në Kongresin e Manastrit, që do të donte të bëhej në Elbasan, mbështet alfabetet shkodrane të Mjedës dhe Fishtës, prandaj dhe më pas mbahet Kongresi Arsimor i Elbasanit.
Më 1910, botoi në Elbasan gazetën “Tomorri”. Shoqata “Afërdita” që e drejtonte, krijon Bandën Muzikore të Elbasanit. Mbështet hapjen e “Normales” dhe jep mësimin e shqipes në shkollën e mbrëmjes.
Shkëlqen si gazetar dhe përkthen artikuj europianë, të shtypit francez, austro hungarez, etj., që lidheshin me Shqipërinë, prandaj dhe xhonturqit e arrestojnë dhe e internojnë duke krijuar një alarm të madh në patriotët dhe simpatizantët e tij. E lirojnë pas 9 muajsh. I rikthehet gazetës së tij “Tomorri” me Ciklin e Kreshnikëve dhe albanalogji dhe përgatit një abetare të përgjithshme. Niset për në Kuvendin e Vlorës në 25 nëntor 1912 si delegat i Elbasanit, bashkohet me ata të Kosovës, takohen me Ismail Qemalin te “lundra e Petovës” në Fier. Telegrafojnë në qytetet nga vinin, që dhe ata të ngrinin Flamurin Kombëtar. E firmosi Aktin “Lef Nosi”
Më 5 dhjetor 1912, mori detyrën e ministrit të postë-telegraftelefonit. Mbi pullat turke u vu vula shqiptare me shqiponjën e krenore, sipër së cilës shkruhej “Shqipënia”. Nosi u zgjodh delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit në dhjetor 1918. Një vit më vonë, ishte pjesë e delegacionit shqiptar të Versajës. Ndërkaq drejtonte si bashkëpunëtor revistën “Kopshti letrar”, që dilte në Elbasan, etj. Me lëvizjen e 1924, caktohet kryetar bashkie i Elbasanit. Ishte mbështetës i Nolit dhe kur ai ikën, i dhuron Nosit violinën e At’ Gjergj Fishtës dhe qenin e tij, Capin. Me fitoren e Legalitetit, tërhiqet nga jeta politike, i përkushtohet historisë, etnografisë, albanalogisë, shkencave shoqërore, etj. Më 1924 botoi serinë e vyer të revistës “Dokumente Historike – për t’i shërbyer historisë sonë kombëtare”.
Ruajti dokumentin origjinal të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe e botoi si fletëpalosje në jubileun e 25-të. Kështu ai dokument do të ishte i mbrojtur nga falsifikimet e mundshme më pas. Gjë që ndodhi. Madje, do të vidheshin dhe punë të Lef Nosit dhe arkivi i tij… Antimonarkist, ruante bindjet demokratike dhe nuk pranoi kërkesën e mbretit Zogu I për t’u bërë ministër. Fashistët italianë, me ta pushtuar Shqipërinë, internojnë Lef Nosin. Kthehet në atdhe në 1942.
Një vit më vonë merr pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëpuste Shqipërinë nga Italia dhe e rishpallte shtet të pavarur dhe neutral. Dëshmohet të ketë thënë, kur vjen në Tiranë dhe po banonte në hotel “Dajti” se po merrem me politikë në moshë të thyer se “Çunat janë të rinj dhe nuk e dinë se serbi e ka me hile…”. Zgjidhet kryetar i Asamblesë Kushtetuese, anëtar i Këshillit të Regjencës, institucion i mbretit në mungesë. “Regjenca nuk ka pasur lidhje me gjermanët, – do të deklaronte në gjyq Lef Nosi, – politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve…”. Në këtë kohë, iu dha një ndihmë e madhe shpëtimit të hebrenjve. Por, komunistët që kishin marrë pushtetin me grykën e pushkës, e arrestuan dhe gjyqi iu bë në Teatër, që kishte marr emrin “Kosova”. Letra në mbrojtje të tij erdhën nga jashtë, mikja e tij skoceze, albanalogia Margaret Hasluck i shkruajti dhe Enver Hoxhës, shkëlqesi i drejtohej… por si përgjigje shkëlqyen plumbat e skuadrës së pushkatimit. Qeni, që ia kishte dhuruar Noli, Capi, atë ditë angulliu, qau shumë, hapi një gropë me thonj, u shtri atje dhe s’u ngrit më… Lef Nosi është ende pa varr.
DOSJE QË S’MBYLLET…
Me rëndësi të përhershme, me vlera të patjetërsueshme, ekzistenciale, dramatike, e varfër nga grabitjet dhe pakujdesitë, me falsifikime, me mosmirënjohje dhe harrime të pafalshëm, gjithmonë e madhërishme deri në shenjtëri.
Po ku është Deklarata?
Historianë zyrtarë e mendojnë të vështirë gjetjen e tij, aq sa duket, sipas tyre, sikur është më mirë të mos gjendet…
Ndërkaq, një albanalog me origjinë shqiptare, por që ka jetuar në Turqi, Alpan, autor i shumë librave studimorë, bën të njohur një dokument nga Arkivi Osman që “Deklarata e Pavarësisë e 28 nëntorit 1912 e Shqipërisë kishte brenda pëlqimin osman dhe miratimin e kabinetit…”. Ndërkaq, në Tiranë avokati Kujtim Cakrani, pasardhës i firmëtarit Hajredin Cakrani, të cilit i ka botuar kujtimet tepër të çmuara të Pavarësisë, e kam shkruar, ka hedhur në gjyq institucione shtetërore, pra shtetin, që pse nuk është dhe nuk gjendet ku është Dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Sipas avokatit, ai dokument është si dokumenti i pronësisë së shtëpisë, ne e kemi shtëpinë e përbashkët, Shqipërinë, por nuk kemi dokumentin. Ku është? Pse fshihet? Pse nuk gjendet? Ai ka zbuluar se deri në 1944, ai dokument themeltar ka qenë, i ruajtur në Kasafortën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe kur çelësat i morën fitimtarët, ai dokument u zhduk dhe përdorej një i falsifikuar, ku qenë fshirë mjaft firma, hedhësit e së cilës ishin vrarë apo burgosur nga regjimi dhe ishin shtuar firma të atyre që nuk kanë qenë në shpalljen e Pavarësisë, si p.sh., xhaxhai i diktatorit Enver Hoxha.
Avokati Kujtim Cakrani kërkon në emrin e gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë… Ne dhe shteti jemi të lirë dhe të pavarur aq sa është ky dokument vërtet brenda nesh. Duket sikur fatin e atyre firmave, të ngjashme me rrënjët, patën dhe vetë firmëtarët, me jetët si vetëtima errësire. Ata mbeten personazhet e një drame të madhe të historisë. Të jashtëzakonshëm, edhe kur janë trajtuar si të tillë, edhe kur janë goditur. Bronzi i fytyrave të tyre me ato plasaritje është bërë me heroik, duke marrë epicitetin tronditës të përjetësisë… Duhet ndryshimi. Marrëdhënia e re, nderimi i thellë dhe lartësimi suprem i atyre 40 firmëtarëve dhe i 83 delegatëve që hodhën themelet e Shqipërisë së re, bënë shtetin e saj të parë modern. Një panteon për ata, me aq kolona sa ç’ishin, që do të mbanin qiellin që do të kishim mbi krye…