DOSSIER

“Në ’82-in në Spaç, më kërkuan të shkoja te zyra Operativit dhe u befasova, se bashkë me të, ishte dhe shoku im i fëmijërisë, Kujtimi nga Durrësi, i cili…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-oficerit të Marinës

07:30 - 10.01.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Maksim Rakipaj




Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015), ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

Pepja

Në Spaç, kam njohur Islam P., por të gjithë i thërrisnim; “Pepe”. Më kanë thënë se në Berat, me këtë emër, Pepe, thirren ata që trashëgojnë emrin e gjyshit. Xha Pepja kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali, bashkë me kryeministrin Mehmet Shehu, me Reshit Çollakun, etj. Në Itali, qe martuar me të bijën e një gjenerali të njohur italian, gjeneral P. Kur Italia sulmoi vendin e tij, Pepja, njësoj si Reshiti, u kthye menjëherë në Shqipëri, për t’i shërbyer vendit, fundja për të luftuar kishte studiuar. Partizan doli Pepja, arriti të merrte gradën major, pas lufte, kurse Mehmet Shehu, shoku i akademisë, ishte bërë ministër i Brendshëm…!

“Ishte viti ’46 a ’47, – tregonte Pepja, – na thirrën ne oficerëve madhorë, në një mbledhje në Kinema “Nacional”, në Tiranë. Shkova. Kur shoh Mehmetin, ishte bërë gjeneral, po, gjeneral-lejtnant. E nderova ushtarakisht…! Kur po më thotë:

– ‘Ç’do këtu ti more’?! Nuk m’u durua dhe ia prita: – Habitem me ty, ti ç’do këtu’?! Mbas një jave, byzylykët mua, që thua ti, më arrestuan. 10 vjet burg dhe sekuestrim pasurie”!

Dhe që atëherë, sa herë ndërronte aleatët Partia Komuniste, në burg Pepja. U prishëm me sovjetikët në ’61-in, Pepja në ’62-in në burg. 10 vjet. U prishëm me kinezët në ’78-ën, prapë 10 vjet të tjera Pepes. Dhe gjithmonë, dënimi shoqërohej me sekuestrim pasurie, i merrnin edhe lekët që i dërgonte e shoqja dhe të bijtë nga Italia.

– “Pse ky inat i Mehmet Shehut me ty, mor Xha Pepe”?! – e pyeta një ditë.

– “Sepse ia njoh dhëmbë e dhëmballë. E di si e quanim Mehmetin ne shqiptarët në akademi?! Kur binte fjala për, të thoshim: Ai që lëpin çizmet e italianëve’, spiun i SIM-it dhe i OVRA-s ishte. Të gjithë i ruheshim, asnjë prej nesh, nuk shoqërohej me të…”!

Ndodhi “vetëvrasja” e Mehmetit dhe e thirrën Pepen në komandë. Kur hyri në kamp turfullonte Pepja…!

– “Ç’ke, xha Pepe? Takove njeri nga familja”?!

– “Jo more djalë, jooo. Ishte një i madh nga Tirana. ‘Hë, më tha, ç’di ti për Mehmetin, na i thuaj të gjitha’. Ikë andej nga ke ardhur, i thashë, s’keni punë me mua, edhe ju shokët e Mehmetit jeni. Ja kështu i thashë dhe ika e lashë si mut. Qelbanikët… e vranë dhe tashi duan ta gjejnë sebepin te mua…”!

Një “kolonel” që “bombardoi” Londrën…!

I thoshim gjithmonë njëri tjetrit kur ishim në burg: “A do të na besojnë vallë, kur tu tregojmë ç’kemi hequr, apo do të na shohin me mosbesim, e do të na thonë: – Mos e teproni tani…! Si ka mundësi, që jeni gjallë pra”?!

Shumë prej nesh vërtet nuk dolën gjallë prej andej. I pushkatuan, u vranë duke punuar, në ato kushte çnjerëzore në minierë. Nuk numërohen ata që u pushkatuan…që vdiqën në miniera. Si i ndjeri Ilmi Çoçka, me një djalë tjetër nga Vlora, që i zuri shembja e minierës në Qaf Bar; si shkodrani Nush Topuzi, si shumë të tjerë…! Kanë shkruar edhe të tjerë për ta, ka shkruar Fatos Lubonja, Hysen Haxhia, Visar Zhiti, Gëzim Peshkëpia, Gëzim Çela e, të tjerë…!

Emrat e tyre janë nëpër shoqatat e ish-të Burgosurve Politikë, nëpër qytete të ndryshme. Nuk pati asnjë hakmarrje nga ana jonë, edhe pse do të ishte, më se e përligjur kjo gjë. Por si mund të pajtohemi me talljen që u bë me ne, kur gjykatës dhe hetues të diktaturës, patën dhe vazhdojnë të mbajnë poste shumë të larta në hierarkinë gjyqësore, kur pati edhe dekorime të atyre prokurorëve?! Nuk them se duhet të futeshin në burg, të gjithë ata që u morën me ne: policë, hetues, gjykatës dhe prokurorë, por jo ama, të llastoheshin nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste në pushtet, me poste të larta dhe dekorime.!

Shumica prej nesh qenë të rinj atëherë, por nëpër burgje, vuajtën edhe shumë të moshuar dhe të sëmurë rëndë, të verbër, me sëmundje mendore, etj. Vetëm në Shqipërinë e Enver Hoxhës, ndodhnin ato makabritete. Në kampin e Ballshit, pleqtë e shkretë, shuheshin përditë nga ushqimi i keq, mungesa e mjekimeve, nga të ftohtët dhe lagështia, derisa përfundonin në hanxharin e Bilalit, një infermier i dënuar, që ishte i detyruar t’u bënte autopsinë: d.m.th., t’i çarvaliste me hanxharin e tij, në mënyrë që komanda, të ishte e sigurt për vdekjen.

Për të përfunduar paskëtaj në kodrën e Panahorit, ashtu të shqyer dhe të shoqëruar, me nga një shishe, brenda së cilës futej një copë letër, me gjeneralitetet e të ndjerit. Asnjë shenjë dalluese, jashtë varrit. Familja nuk mund të merrte pjesë në varrim; kishte të drejtë të merrte kufomën, vetëm pasi i vdekuri, të kish mbaruar dënimin! Të shkruash sot për këto gjëra, është si t’i përjetosh edhe njëherë, të gjitha. Nuk arrija të kuptoja arsyen, pse i mbanin në burg, njerëz me probleme dhe çrregullime mendore, njerëz që kishin nevojë për trajtim dhe kujdes të specializuar mjekësor. Mirë ne të tjerët, por edhe ata, ishin rrezik për atë që quhej; “pushtet popullor”?!

…Rako K. në Spaç, një i dënuar me zhvillim të vonuar mendor, ishte krejtësisht i padëmshëm për të tjerët, por e detyronin të punonte nëntokë, Rakon e shkretë. E donin të gjithë Rakon. Mundoheshin që ta bënin të lahej, por qe e pamundur, kishte vite pa u larë. Në shtrat flinte bashkë me qenin, Bolin e famshëm të Xake Bregut. Nuk do të harrohet kurrë, Rakoja. I përshëndeste të gjithë, duke tundur dorën e djathtë, si Enver Hoxha dhe duke buzëqeshur, thoshte: “Drungli! Drungli”! Edhe sot, mjaft nga shokët e mi, përshëndesin si Rako, duke thënë atë “drunglin” e famshëm…!

Në Spaç qe edhe “Piloti”. Quhej Nasip M. dhe ishte nga Vlora. Vlonjatët që e patën njohur të lirë, e mbanin mend, ashtu si leshko, që shiste gështenja të pjekura, me kausha letre…! U hap fjala në Vlorë, se mavriu Nasip, paskësh qenë agjent (!) Moshën nuk mund t’ia përcaktoje dot: lëkurën e fytyrës si pergamenët e lashtë, gojën pa asnjë dhëmb. Ishte një burrë i vockël, me sytë gjithmonë të qeshur dhe peshonte më pak se 50 kg. Nasipit, i qe mbushur mendja që gjatë Luftës së II-të Botërore, kish qenë pilot, në aviacionin ushtarak italian. Mjaft t’i thoshe: “Pa na trego si e bombardove Londrën, o Nasip” dhe ai ia fillonte:

– “Mora urdhër na kumanda unë, që thua ti, të bombardonja Londrën…! Ç’të bënjam? Urdho, siurdhon, një t’i hipur aropllanit tim dhe aty e në Londër. Një të futur i bëj, na përposht urës së Tamizit, unë me aeroplan…! ‘Mos, tha Mretëresha, ky do jet Nasipi’! Në radio mua kjo: ‘Aman zoti Nasip, mo ma bombardo Londrën, të keqen, t’u bëfsha o Nasip…’! Hiç unë, nuk i kthej xhevap, po edhe njëherë na posht urës…! U dhije Mretëresha…! ‘Zoti kolonel Nasip M., – më tha, – jam Mretëresha dhe të lutem shumë, eja të bisedojëm njëherë, pastaj bë si të duaç zotrote…’! – Mirë, i them unë,- më prit se erdha, po dua të të gjej vetëm’! – ‘Siurdhon’, – kjo. Një të ulur i bëj unë aropllanit. Maqina e Mretëreshës aty, priste mua. Aty e në pallat. Priste kjo, në sallon, te kulltuqet. Një të parë mua, frrap e në këmbë, m’u hodh në qafë. ‘Të keqen’, – më tha, – ‘ça të duash tija, vetëm mo m’i hidh bombat këtu, hidhi gjakund tjatër’!

– Ti e ke në dorë, i them. Një të xheshur bën kjo, para mua. Lakuriq. O të keqen, o nëne, o nëne…! Unë e di si e kalova natën me të deri sa u zbardh dita. Aty, e vajta, ku keshë lënë aropllanin…”!

– “Po pastaj Nasip, ç’bëre”?!

– “Pastaja ç’bëra”?! Bëra detyrën. Zbatova urdhrat që kishjam marrë…! Tym e bëra Londrën…! Të nesërmen, gjithë gazetat në faqet e para, fotografinë time, me titull “Il kolonelo sinjor Nasip M., ha bombardato la Londra”! Armik i rrezikshëm, i shkreti Nasip…?!

Takime të papritura

Jam rritur në Shkozet, Durrës. Kam patur dhe kam shumë shokë në Shkozet. Por nga të gjithë ata, vetëm tre i kam patur shokë të ngushtë: Din Muçon, Stavrin dhe Kujtimin. Është e natyrshme që edhe ata, të kenë një vend në kujtimet e mia. Unë dhe Dini, mbaruam gjimnazin “Naim Frashëri”. Stavri dhe Kujtimi, vazhduan një shkollë profesionale. Stavri filloi punë si mekanik, në një ndërmarrje në Shkozet, Kujtimi, mbas mbarimit të shkollës, bëri ushtrinë, si polic në Tiranë. Atje njohu dhe një vajzë, me të cilën u dashurua dhe u martua, në vitin ’75.

Mbas ushtrisë si polic dhe me ndërhyrjen e vjehrrit, Kujtimi filloi punë në Degën e Punëve të Brendshme në Durrës. Unë në ato vite, kisha shoqëri shumë të gjerë, por këta të tre, mbetën miqtë e mi më të dashur. Kanë kaluar shumë vite qysh atëherë, por kujtimet për miqtë, më mbeten gjithmonë të gjalla. Unë fillova punë në shtator ’72, në Flotën Detare Tregtare. Takohesha gjithmonë pas çdo lundrimi, me shokët e vjetër.

Mua më nisi ters puna në fllotë. Në muajin shkurt ’73, ndodhi mbytja e anijes “Tomorri”, një anije prej druri, ku unë bëja praktikën si detar (oficerët e sapodalë nga shkolla, duhej të bënin stazhin e detyruar, si detarë të thjeshtë, e pakta 6 muaj, në ato anije). Na dekoruan me urdhrin “Për Trimëri Civile” dhe pas asaj përvoje me “Tomorrin”, fillova si oficer IV, në anijen “Durrësi”, në linjën Durrës-Gdansk. Nga shoqëria me Kujtimin njoha edhe shokët e punës së Kujtimit, oficerë dhe hetues të Degës: hetues Agim Çani, Jani Kolezi dhe Skënder Gj., që e kam përmendur edhe tjetër here, në këto kujtime.

Kur ndodhesha në Portin e Durrësit me anije dhe kisha radhën e shërbimit 24 orësh, këta vinin shpesh në kabinën time për vizitë, për të pirë ndonjë gotë, a cigare të jashtme, por, sidomos, për të bërë dush, me shampot dhe sapunët aromatikë, që sillja nga jashtë. Kujtimi, i merakosur, më porosiste: “Ki kujdes me ta, mos i jep gojës.

Vërtet duken djem të mirë, por mos harro, se punojnë në Degë dhe kush punon atje, nuk ka shokë; ka eprorë, urdhra dhe një detyrë për të kryer. Nëse të bëjnë pyetje për jetën jashtë shtetit dhe shokët e anijes, mundohu të shmangesh, ndërro muhabet dhe mos u shoqëro më me ta”! Me sa kujtoj, ata qenë shumë korrektë me mua, në ato vite. Kurrë nuk pyetën, në çfarë portesh kisha qenë, apo çfarë pata blerë.

Në Degën e Brendshme të Durrësit, punonte në një post me rëndësi, edhe Ramadan H., durrsakët e njihnin si; “Miklovani”, për shkak të ngjashmërisë me një aktor rumun, të një filmi të njohur në ato vite, te filmi “Me duar të pastra”. Ramadani, ishte kushëri me burrin e tezes sime, njihej edhe me tim atë. E njoha edhe unë, pata pirë disa herë kafe me të. Do të flas më vonë, për Ramadanin. Tani do të flas për Kujtimin. Nuk di se si, por Ramadani dhe Kujtimi, u transferuan nja gjashtë muaj, para arrestimit tim: Ramadani në Tiranë, Kujtimi në Kukës.

…Mars 1981. Këtë javë kam turnin e natës në Spaç. Jam si i dehur nga lodhja, kam dhe një dhembje në shpatullën e djathtë, që nuk më ndahet. Po bëj një shëtitje me Andrea Mërtirin, apo “Topçiun”, si i themi ne, meqë Andrea, ka qenë oficer artilerie. Sa ka filluar të errësohet dhe moti është i butë sot. Më afrohet Lazër Voci, polici shërbimit në kamp. Më pëshpërit në vesh, që të mos dëgjojë Andrea:

– “Shko lart, dikush kërkon të takohet me ty”.

Nuk e prisja. Takime me familjarët, nuk lejohen në këtë orë. Arrestimi, është mendimi i parë, që më shkon në mendje. Shihemi sy në sy me Andrean. Ky heq trikon e leshit dhe ma jep:

– “Vishe! Do të të kapë dimri tjetër në birucë”.

Kur përqafohemi, i them në vesh, që fletoren time të përkthimeve, t’ia japë Visarit, ose Zydiut, menjëherë, që të mos e sekuestrojnë.

– “Mos humb kohë” – thotë Lazri. Dhe kur i afrohemi portës më flet përsëri:

– “Nuk është arrestim Maks, ji i qetë”.

Afrohemi te një ndërtesë një katshe, ku bëhen takime me familjarët. Trokas.

– “Hyrë”!

Shtyj derën, hyj dhe… pas tryezës, njoh shokun tim të fëmijërisë, Kujtimin. 5 vjet pa u parë. Veshja dhe sidomos pamja ime, ashtu i dobët dhe kokëqethur, e tronditin Kujtimin. Ngrihet vrikthi në këmbë dhe më përqafon. Rrimë nja dy minuta ashtu, pa folur. Pastaj ulet në vendin e tij. Ulem edhe unë përballë tij. Në qoshe të dhomës, si në gjysmë hije, dalloj tani Shyqyri Toskën, Operativin e Kampit, që përshëndet si nëpër dhëmbë një: “Mbrëma” Më ikën mallëngjimi menjëherë. Nuk flas fare, po pres të kuptoj diçka. Kujtimi fillon:

– “Si je, njëherë?! Baaa, sa vjet kanë kaluar, pa u parë, pesë më duket, eh?! Nga shtëpia si i ke? Të them të drejtën, unë nuk i kam parë, se jam me shërbim në Kukës. Po boj 6 vjet aty…! Kam tre çuna, e ke marrë vesh, eh…! Sot, pasdite vonë, më urdhëruan të shkoj në Tiranë. Ndalova në Rrëshen, por mendjen e kisha te ty, të them të drejtën.

Aty gjeta Shyqen, i kërkova të të takoja dhe ja ku jam…! Shyqe, me Maksin jemi shokë, që kur ishim kalamaj domethënë. E kupton, apo jo. Eeeh, ashtu mo, si e kanë këto punë. Unë gjithmonë e them: iku si i njomi, me të thatin, kupton apo jo?! U mor në qafë kot, domethënë. Ça të them unë…?! Por nuk e kam fshehur kurrë, që Maksin e kam shok. E Shyqe, na thuaj ndonjë gjë…”?!

Shyqyri Toska, shumë serioz, kollitet dhe fillon:

– “Dëgjo, shoku Kujtim. Po t’i përsëris ato që të thashë rrugës, për këtë Maksin…! Është një nga tipat më negative, që kemi këtu. E di ti, ça halli ka ky tani?! Ka hall, si do justifikohet me shokët, që menduan për arrestimin e tij…! Se ky dhe shokët e këtij, po u ngjit njeri këtu lart, jo me taku familjen, ose për t’u rras në birucë, ia ngjisin menjëherë: nji spiuni, shkoi me bo spiunimin e radhës…! Dhe po ta them, ky ka nji gjuhë shumë të hidhët. Dhe më vjen keq, se si më the ti, qeka familje mirë. Me dash ky, me na ndihmu, na bon pun të modhe, se ka shoqni shumë të hapërdame: me zogista, ballista, eurokomunista. Me të gjithë llojet mo, por nuk i don qejfi, me na ndihmu…! Për veten e vet iher. Shif si osht bo, në minierë, si kufom osht bo qyqi, me t’u dhims, vallahi…”!

Kujtimi nuk flet, ul kokën kur e shoh në sy. Nxora llullën dhe kërkova leje ta ndez. Kujtimi nuk më ofron cigare, sado që i duket paketa “DS” (Durrës Special) nga xhepi i xhaketës, por thotë i merakosur:

– “Jo, mor Maks, ça llulle do ndezësh ti…?! Për bela, s’kam as unë cigare. Shyqe, të keqen vllai, se u fëlliqa me Maksin, hudhu nji vrap ke klubi, ma merr nji ‘DS’. Të paktën një cigare duhet t’ia jap, na tridhjetë lekshin…”!

Shyqyri Toska, spërdridhet në karrige i pakënaqur, mbledh turinjtë, por çohet dhe del. Sapo del ai, ngrihem dhe i drejtohem Kujtimit me zemërim:

– “Mendoja se kemi qenë shokë, Kujtim, dhe nuk e prisja kurrë prej teje, të vije këtu, për të më prezantuar mua me Operativin e kampit. Në ke erdhur me këtë qëllim, më vjen shumë keq, nuk paskemi qenë kurrë shokë bashkë. Po pres sa të kthehet ai dhe po iki në kamp”!

– “Të betohem, të mos i gjej gjallë të tre fëmijët, erdha thjesht të të takoj. Thashë të shfrytëzoj rastin. Nuk ta bëj kurrë këtë, nuk jam legen, të arrij deri këtu. Ke ndonjë hall, që mund të ma thuash, sa pa u kthyer ai muti? Si të ndodhi kjo gjë mor Maks?! Më vjen shumë keq, që nuk munda dot të të ndihmoj, por të betohem, nuk dija gjë. Kisha rreth një vit në Kukës. Ka kohë që punoj, vetëm për Kundër zbulimin Ushtarak. Ti nuk e di, ja tani po ta them”.

– “Mirë, të besoj Kujtim. Harroje Shyqen. Unë jam në burg kot. Nuk kam bërë gjë, për t’u dënuar kaq rëndë. Jam i bindur se jam në burg, si mik i Aladin Kapos, ti e di, nipi i Hysniut. Sipas arsyetimit tim, është një luftë për pushtet, mes atyre që presin të trashëgojnë fronin e Enver Hoxhës. Hysniu vdiq, nuk përbën më asnjë pengesë. Mehmeti dhe Ramizi, e kanë rrugën e hapur tani. Por unë nuk e kuptoj, pse duhet të rri ende në burg. të duroj edhe…”?!

Kur, pa trokitur, Operativi hyn me paketën e cigareve në dorë:

– “Merre Kujtim, ma dha nga poshtë banakut bufisti. Osht keq për ‘DS’. Hë, ça muhabeti botë, kur nuk isha unë”?!

– “Hiç, kujtuam gjëra të vjetra…! Mirë Maks, nuk po të mbaj më. Ndoshta je i lodhur dhe do të pushosh…! Mbarojmë kët’ cigare dhe mund të ikësh. U kënaqa që u takuam. Ruaj veten. Kupton”?!

– “Por, nji minut, e kom me Maksin, si do e lejmë bashkë”?! – foli Operativi.

– “Maksin këtu e ke. Nuk të ndalon njeri, ta takosh kur të duash. Sot ishte këtu, për mua. Ty të faleminderit që më sigurove takimin, Shyqe. Kaq tani”.

– “Miiiirë, si të dush. Por ama ta dish, nëse nga nalt me vjen urdhën me arrestu nanjonin, më duhet pak kohë, me ia qinis dosjen. Me ardh nanji urdhën për Maksin, dosjen e kom hazër. Kom material, me e ngordh gjith jetën, këtu mrena”.

Nuk duroj më. Çohem, i jap dorën Kujtimit dhe nisem për nga dera, kur Operativi zgjat dorën…!

– “Nuk mund të ta jap dorën. Nuk je shoku im. Sa për ridënimin që përmende, nuk ta di aspak për nder, nëse e vonon. Natën e mirë. Mirupafshim Kujtim”.

Kur u lirova, Kujtimi ishte në Durrës. Një mbrëmje, kur po kthehesha prej shtëpisë së motrës sime, Kujtimi, u nda nga një grup dhe më thirri “Maks”!

Jemi ende shokë bashkë. Ai ka bindjet e veta. Unë kam të miat. Por shoqërinë, e kemi të pastër, si atëherë, kur ishim nga 10 vjeç. /Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.