KULTURË

Ballkani si arenë e gjeopolitikës, në fokusin e Pano Hallkos

20:44 - 17.01.24 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh




Sfidë ndaj mynafikëve të pushtetit që merrnin hak, duke e pushuar nga i vetmi “biznes” që pati në jetë, nga puna e shtetit. Kështu mund të konsiderohet libri i tretë i gazetarit dhe studjuesit Pano Hallko “Ballkani viktimë e gjeopolitikës”. Këtë e pohon vetë autori që në hyrje të librit, duke ja dedikuar atë familjes, e cila tre herë përjetoi mjerimin ekonomik, për shkak të analizave të tij kurajoze dhe me argumente bindës në shtypin e përditshëm.

Në një këndvështrim më të gjerë Hallko, me tezat e shtjelluara në këtë libër (si edhe në dy librat e tij të botuar para tre vjetësh: “Shqipëri të paça ligjet” dhe “Greqia dhe Shqipëria, siç nuk do duhej të jenë) riafirmohet, përveçse si publicist, studjues dhe njohës perfekt i historisë botërore e veçanërisht asaj ballkanike, edhe si analist në fushën e diplomacisë. Madje, siç pohoi Prof. Paskal Milo – ndër njohësit dhe analistët më të mirë të historisë dhe diplomacies, – Pano Hallko hap me këtë vepër një debat sa historik aq edhe sensibilizues. Sepse tema është provokative, provokon edhe historianë profesionistë, edhe lexues të kualifikuar. Kjo për faktin se P.Hallko, i mirënjohur si autor impulsiv dhe dinamik i është qasur me guxim një teme të vështirë dhe me pretendime për tu ndeshur me probleme kaq kontraverse të gjeopolitikës së Ballkanit

Kjo qasje dallohet pothuajse në 44 artikujt e librit me 370 faqe, të trajtuar mirëfilltazi, duke shfrytëzuar jo pak, por 283 burime arkivore dhe referenca nga botime të autorëve të njohur botërorë dhe vendas.

Në morinë e këtyre trajtesave do të veçonim ato me titujt: “Greko-turqizma, një rrymë ‘çuditërisht’ reale”; “Dashuri dhe urrejtje franko – ruse”; “Greqia, në ‘gardhin e hekurt’ luftë dhe traktate”; “Ataturku dhe bota e tretë”; “Europa e bashkuar’, ideja francize e 1929-ës”; “Fuqitë e mëdha në Ballkan”; “Ata që e shanë dhe e shpëtuan Greqinë”; “Arvanitasit e Atikës dhe roli i tyre në Rilindjen Kombëtare” dhe “Këmbëngulja serbe për ‘Ballkanin e hapur”.

Ndërsa në artikullin “Zona, në përralla dhe në fakte”, autori ndër të tjera shkruan se: “Për fat të keq, pjesa dërrmuese e ballkanasve (dhe jo vetëm), qysh në moshë të vogël ushqehen me gënjeshtra, e në rastin më të mirë, me të pasakta” dhe me “gënjeshtra kombëtare dhe pedagogjike, gënjeshtra fetaro-ideologjike dhe ngushëslluese” (fq.19), konkluzion ky i trishtë por i saktë, referuar realiteteve në shtrirje të gjerë kohore.

Po ashtu, Pano Hallko i vjen në ndihmë lexuesit për të kuptuar më lehtë kohezionin e qyterimeve kur shkruan se: “Nëse vendosim një kriter më tepër për vlerësimin e qytetërimit, mund të shprehemi për ta përkufizuar Perëndimin në këtë mënyrë: -Perëndim quhen të gjitha ato vende, ndër të cilat fenomenet e (Rilindjes qytetëruese të shekullit të XVI-të, Rilindjes shkencore – dijes të shekullit XVIII-të, të revolucioneve shoqërore të shekujve XVIII – XIX-të) ishin produkt i zhvillimeve të brendshme të tyre. Dhe si vende jo perëndimore, ato në të cilat fenomeni i Rilindjes, ishte prodkt i importuar”. (fq.26).

Më së miri e trajton këtë koncept në artikullin “Fryma Perëndimore, aspiratë”, kur shkruan se “Aspirata për të rendur drejt Perëndimitr, apo për t’u ‘bërë Perëndim’ bëhet në fillimshekullin e XX-të një fenomen i përbotshëm dhe kjo i dedikohet faktit se zhvillimi i Perëndimit, shpikjet e rëndësishme, ecja e teknikës dhe teknologjisë, patën një ndikim të fuqishëm tek popujt jo perëndimorë”. (fq.99).

I fokusuar në gjeopolitikën e Ballkanit, në artikullin “Greko – turqizma, një rrymë ‘çuditërisht’ reale”, autori ndër të tjera shkruan se “E vërteta e njohur nga të gjithë, por nga shumë pak e pohuar, është se myslimanët nuk erdhën në Bizant bashkë me turqit. Tregtarët myslimanë ishin vendosur në Stamboll qysh në shekullin e I-rë”. Po në këtë linjë, Hallko që në përditshmet kryesore shqiptare ka lëvruar suksesshëm editorialin, analizën, opinionin, reportazhin, refleksionin dhe intervistën”, edhe në këtë libër nuk heziton të përkufizojë bindshëm turko-greqizmën si term të krijuar, që sipas tij paraqet dy fenomene: një fenomen qytetërimi, domethënë bashkëjetesën dhe vartësinë reciproke, të paktën nga shekulli i XI-të mes greqizmës dhe turqizmës dhe një ideologji të mbështetur në këtë fenomen qytetërimi, në këtë realitet, i cili synoi dhe arriti të krijojë një klasë politike turko-greke. (fq.62).

Me kompetencë dhe profesionalizëm autori Pano Hallko trajton edhe tema historike, si në artikujt “Kryengritjet dhe lëvizjet e 1909-tës”; “Sulmi italian dhe luftërat ballkanike”; “Lufta e Parë Botërore”, “Lufta greko – turke” etj. Por në koherencë me realitetin e sotëm dhe që mund të ngjallin më interes për lexuesin janë artikujt: “Këmbëngulja serbe për ‘Ballkanin e hapur” dhe “Ballkan, i paketuar me ‘tjetër emër”. Dhe nëse në të parin, ndër të tjera evidenton faktin se “Ende sot, po të ndjekësh deklaratat zyrtare të Athinës dhe Beogradit, kryeministrat apo presidentët e tyre, thonë për vendin e tyre (përkatësisht): – ‘Vendi ynë është lider në Ballkanin perëndimor”(fq.350), në të dytin, autori me kurajo civile dhe intelektuale shkruan se “Ndodh kështu sepse Kosova, Bosnje – Hercegovina dhe Mali i Zi refuzuan të futen në atë mikroaleancë, mbasi e dinë që Serbia, nëpërmjet nismës së saj të ‘Ballkanit të hapur’, synonte t’i zhbënte ato tre shtete” dhe se “…realizimi i ‘Ballkanit të hapur’ si nismë, devijon dhe i kundërvihet integrimit europian”(fq.356).

Ambasadori Shaban Murati – “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, në analizën e saktë dhe konkrete të këtij studimi shprehet se autori Hallko është mbështetur në një literaturë të bollshme, të huaj, të folur dhe të shpjeguar me një qartësi mendimi të pastër, si ujët e lumit të Shushicës. Nëpërmjet kësaj literature të shumtë, autori ka kontribuar që çdo lexues për zgjerim të njohurive e gjen përgjigjen aty. Ndër të tjera, Shaban Murati – diplomat karriere, autor i shumë librave, shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to, konkludon se “…Gjeopolitika e sotme ballkanike nuk mund të kuptohet drejt, pa hulumtuar thellë në gjenezën e saj. Është një mission i lodhshëm dhe i vështirë, prandaj në literaturën e sotme politike shqiptare, mungon një studim i kësaj natyre. Për këtë arsye, merr vlera studimi që i paraqitet tani lexuesit dhe studjuesve të gjeopolitikës, të historisë dhe diplomacisë, nga studjuesi i njohur Pano Hallko. Autori është ndoshta i pari në studimet shqiptare të gjeopolitikës ballkanike, që ndriçon karakterin dhe boshtin vertikal të kësaj gjeoopolitike. Ky duhet konsideruar kontribut i vyer i librit, në një fushë të rëndësishme studimore dhe të praktikës shtetërore e diplomatike”.

Në tërësinë e tij, në këtë libër, të veshur me plot emocione, për vetë stilin e veçantë me të cilin është shkruar, lexuesi ndeshet me një tregim plot vitalitet provokues, polemist. Ndaj dhe akademiku i mirënjohur Paskal Milo e konsideron librin “Ballkani viktimë e gjeopolitikës” traktat publicistik me analiza të mirëfillta, në të ciliat reflektohen njohuritë e autorit. Gjithsesi, sipas historianit, diplomatit, politikanit dhe politologut Milo, titulli i librit mund të ishte “Ballkani, arenë e gjeopolitikës, e përplasjes së interesave” dhe  kësisoj për lexuesin do të ishte më dobiprurës nëse përmbajtja e librit do përqëndrohej në zhvillimet aktuale gjeopolitike.

Edhe Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj vlerëson se “Studiuesi Pano Hallko me guxim dhe ndjenjë atdhetarie ka folur hapur, pa dorashka, e ky është një kontribut madhor i Tij, duke lënë një vepër për studim nga brezi i ri dhe studentët e të gjithë studiuesit si mund të analizohe dhe të shterohet një problem”.

Ndërsa Albert Hitoaliaj”- doktor i Shkencave në Marrëdhëniet ndërkombëtare, njëherësh redaktor i këtij libri, është shprehur se “një prej faktorëve më të qëndrueshëm në politikën ndërkombëtare është gjeografia dhe Ballkani ka një gjeografi strategjike me rëndësi”. Autori në studim ka paraqitur dhe arsyet historike të Ballkanit, duke na bërë të qartë se që në fillim për “një mision të vështirë”, por gjatë studimit prej 370 faqe e ka përshkruar dhe qartësuar këtë mision në libër. Autori ka arritur siç shprehet studiuesi Hitoaliaj të “nxjerr një skicë politiko-historike të kombeve ballkanike”.

Kjo vepër komplekse, me vlera të rralla studimore është vlerësuar edhe nga Prof. dr. Ksenofon Krisafi, Prof. dr. Rami Memushaj dhe nga gjeneral ® Dedë Prenga.

Autori Hallkaj që ka kryer detyrat: Drejtor i Qendrës së Shtypit, Botimeve dhe Përkthimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, shef i Botimeve në Qendrën e Analizave të Mbrojtjes dhe Kryeredaktor i “Revistës Ushtarake”, revistë kërkimore shkencore e FA dhe aktualisht, kryen detyrën e kryeredaktort të botimeve shkencore në Institutin e Kërkimeve Shkencore Ushtarake, me këtë studim të plotë sjell dhe një dukuri të re të rëndësishme studimore në praktikën shtetërore dhe diplomatike. Nisur nga këndvështrimi, lidhjet, raportet e gjeopolitikës shqiptar në ecjen e saj gjatë historisë, autori sjell në vëmendje qëndrimin, pasurimin e mendimit dhe të teorisë shqiptare në lidhje me marrëdhëniet ballkanike dhe më gjerë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.