DOSSIER

“E kam vrarë unë”/ Dëshmia për zhdukjen e ish-përkthyesit të Gestapos, si u mor vendimi për pushkatimin e tij!

09:09 - 02.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në godinën e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është një pllakat me emrat disa prej atyre që komunistët vranë në tetor-nëntor 1944. Midis të tjerash, këtu gjendet edhe emri i Petraq Stavri Pekmezit, ish-përkthyes i gjermanëve (i gjeneralit Fitztum, organizator gjerman i policisë në Shqipëri), por që kish ndihmuar komunistët me informacione gjatë asaj kohe, si dhe që pat shpëtuar jetët e shumë shqiptarëve. Pak metra më tutje, në mënyrë absurde, një rrugë mban emrin e vrasësit të Pekmezit. Kjo rrugë ka marrë këtë emër pas vitit 2000. Vrasja e Pekmezit ka qenë prej vitesh, e panjohur për publikun. Ai u zhduk teksa me kërkesë të komunistëve, ishte nisur me shoferin e tij, Fadil Kola, në drejtim të fshatit Linzë.




Në listën e të vrarëve nga komunistët, përpiluar në vitin 1996, vrasja e tij shënohet në datën 12.11.1944. Ndërsa për Fadil Sulejman Kolën, i vitlindjes 1905, është shënuar data 17.11.1944.

Petraqi kish lindur në Pogradec, në vitin 1902. Pasi mbaroi arsimin unik në Ohër, me ndërmjetësinë e xhaxhait të tij, Gjergj Pekmezi, ndoqi studimet e mesme dhe të larta për inxhinieri hidro-teknike në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1923, kthehet në Shqipëri, duke krijuar një sipërmarrje private të tij, në fushën e hidroteknikës. Merret përkthyes gjatë Luftës nga gjermanët, për shkak të njohjes së mirë të gjuhës.

Një hetim rreth kësaj çështjeje, u zhvillua në vitin 1984, teksa kish qarkulluar një thashethem i pavërtetë, sikur Nuçi Tira, (ish-kolonel, kryetar i Degëve të Brendshme, në Lushnje, Pogradec, etj.), i cili gjatë Luftës ishte efektiv i Brigadës së 1-rë Sulmuese të Mehmet Shehut, ishte personi që e kish vrarë Petraq Pekmezin. I prekur nga këto fjalë, të provuara si të pavërteta, si dhe duke synuar të vërtetën, Nuçi Tira u vu në lëvizje ta zbardhte këtë çështje. Ishte takuar me Petraqin në tetor 1944, në shtëpinë e Vangjel Peristerit.

Petraqi kish ndihmuar me mjaft informacione, por në fund ishte vrarë. Gjatë kësaj kohe, po diskutohej skenari i një filmi të Kinostudios “Shqipëria e Re”, rreth këtyre ngjarjeve. Regjisori kish kontaktuar me shumë persona, midis të cilëve edhe me Bako Dervishin (ish-gjeneral-major, komandant Korpusi, etj). Referuar letrës që Nuçi Tira, i dërgon më 28.1.1984, Ministrit të Punëve të Brendshme Hekuran Isai, kur regjisori kish pyetur Bako Dervishin, ky ishte përgjigjur:

“Rri more djalë e, mos i hyr kësaj pune, se do të na nxjerrësh telashe. Petraq Pekmezin e kam vrarë unë, neve partizanët”. Bako Dervishi kish rrëfyer se; pasi Petraqi kish mbërritur në Linzë, ata (përveç tij edhe Abaz Fejzo dhe Zija Këlliçi), e morën në pyetje si të pandehur, duke e torturuar, me kërkesën për të treguar rrjetin sekret të Gestapos Gjermane. Në përfundim, Bako dhe Abazi, morën vendim ta pushkatonin e, për këtë kishin bërë edhe një lloj vendimi gjyqi, por Zijai refuzoi të nënshkruajë.

Edhe pas lufte, Bako i kërkoi Zijait (rektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës, më pas bëri vetëvrasje), ta firmoste atë vendim, por ky kish refuzuar. Regjisori i tha Nuçi Tirës se Petraqi, kishte qenë i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe se te gjermanët, shkoi me lejen e partisë (Drit Çaushi, me anë të vëllait, Trajan Pekmezi, më vonë dëshmor).

Po ashtu dilte se Petraqi, mbante lidhje me Naun Bezhanin. Vetë Naun Bezhani, deklaronte se; prej korrik-gushtit, lidhjet i mbante me Vangjel Peristerin, por Petraqin nuk e njihte. Nga të dhënat, ai e kish kuptuar se informacionet (rreth 50-60 të tilla), vinin nga një zyrë me rëndësi e Gestapos. Nuk ka asnjë dyshim, se burimi i vetëm i tyre, ishte Petraqi. Në të dy rastet, pikë takimi është Vangjel Peristeri.

Një tjetër dyshim që hidhte Nuçi Tira, ishte fakti se mos kish pasur një takim të fshehtë, midis Mehmet Shehut dhe gjeneralit gjerman, Fitztum ato ditë. Këto dyshime, ishin përfolur në vitin 1983, por nuk ishin të sigurta, nëse bëheshin pasi doli Mehmet Shehu “poli-agjent” apo, vërtet kishte baza për një takim të tillë. Në analizën e provave, fakti më i rëndësishëm ishte ai; që mbrëmjen e 16 nëntor 1944, gjermanët u larguan nga Tirana nëpërmjet “Rrugës së Kavajës”, pa u penguar nga partizanët.

Duke vijuar “hetimin” e kësaj çështjeje, Nuçi kish takuar në vitin 1983, ish-partizanët Vangjel Priftanji dhe Foto Xhitoni. Vangjeli jep një dëshmi interesante, që nuk lidhet vetëm me Petraq Pekmezin, sepse të marrë peng, paskan qenë edhe të tjerë. Sipas dëshmisë së tij, pasi i thanë që ishte arrestuar edhe Petraqi, Mehmeti dha urdhër të pushkatohej ai dhe të tjerët, sepse ato “plehra”, nuk duheshin.

“E mori Idriz Seiti e, bashkë me 5-6 të tjerë, i ka shpënë e pushkatuar në Zall Herr, në lumë”-dëshmonte Vangjel Priftanji. Pas një jave, Nuçi i kërkoi një deklaratë Vangjelit, por ai refuzoi t’ia jepte.

Deklaratat për Petraq Pekmezin

-Rexhep Luga: “Petraqi ka qenë një njeri, që sakrifikoi për shokët”.

-Zija Këlliçi: “Në atë kohë, përfshirë edhe Petraq Pekmezin, kemi dhënë vendimë me pushkatim, pa e pas të drejtën. Vrasjen e Petraqit e kanë argumentuar në atë kohë, si tentativë ikjeje, megjithëse ai nuk kishte nga të ikte. Grupi i hetimit përbëhej nga Bako Dervishi, Abaz Fejzo dhe unë. Pas 10 vjetësh, Bako Dervishi më kërkoi të bënim një raport të përbashkët, për vrasjen e Petraqit, por unë refuzova”.

-Bako Dervishi: “Ne e vramë, se ai qe major i gjermanëve, qe spiun i tyre dhe ne e dënuam si kriminel. Ne nuk kishim asnjë fakt për të, por dyshonin. E kam marrë në pyetje, një ditë e një natë, madje e rrahën partizanët. Dhashë urdhër ta kontrollonin dhe në rrethin e kapelës, i gjetëm një listë me emrave e informatorëve gjermanë.

Atë listë, e kam pas deri vonë. Ajo tregonte se Petraqi qe shefi i tyre. Unë kam pasur dijeni, se Petraqi ka qenë informatori ynë dhe njëherë na ka sjellë një copë letër, ku na informonte që të lëvizi Shtabi i Korparmatës, se do qëllohej nga gjermanët dhe ashtu ndodhi”. Bako, nuk foli për zhdukjen e shoferit të Petraqit!

E vërteta e pushkatimit të 104 robërve shqiptarë në Kampin e Prishtinës dhe përpjekjet e Petraq Pekmezit, për lirimin e tyre!

-Ku ngeci marrëveshja dhe pse nuk u realizua ajo-?!

104 të burgosurit shqiptarë që mbaheshin nga gjermanët në Prishtinë, mund të ishin shpëtuar. Mjaftonte puna e palodhur e Petraq Pekmezit, pak intuitë dhe ata do ktheheshin të gjithë në shtëpi. Politika është shpeshherë pazar, ku duhet të tregohet i shkathët për të përfituar.

Historia bëhet interesante, kur në Kukës më 5.9.1944, në përpjekje për të dalë dhe ikur nga Shqipëria, partizanët arrestuan gratë gjermane; Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert. E para ishte e dashura e gjeneralit Josef Fitztum (1896-1945). Dobësia e gjermanit për të dashurën dhe shoqet e saj, ishin një rast i mirë për të bërë shkëmbime robërish. Partizanëve u erdhi në dorë një rast i vyer, për të bërë shkëmbime të çmuara.

Më 18.11.1982, veterani Xhemal Meçe, jep një dëshmi rreth atyre që mbante mend që lidheshin me këtë, bisedimet me gjermanët dhe fundit të jetës së Petraq Pekmezit. Xhemal Meçe, prej dhjetorit 1943, ishte zhvendosur nga Batalioni “Hakmarrje”, në Tiranë, në qarkorin e PKSH-së së Tiranës. Trajan Pekmezi (më vonë dëshmor) i kish thënë se vëllai i tij, Petraqi, punonte për Lëvizjen. I arrestuar në maji 1944, Meçe, prej 20 gushtit 1944, gjendej në Kampin e Prishtinës, që mbahej nga nazistët.

Më tej ai rrëfen bisedën me Petraq Pekmezin, në shtator 1944, në lidhje me shkëmbimet e robërve. Gjenerali gjerman Fitztum, i kërkoi Petraqit ndërmjetësim me partizanët, për lirimin e tre grave gjermane. Petraqi pasi i tha se ishte e pamundur, kërkoi lirimin e Xhemalit që mbahej i arrestuar, si dhe disa të tjerëve, në mënyrë që me këta, të niste përpjekjet për gjetjen e grave. Fitztum ia miratoi kërkesën. Pasi Petraqi nxori Xhemalin nga kampi, të dy shkuan në Prizren. Aty nga komanda e Gestapos, Petraqi me telefon, i kërkoi Fitztumit, lirimin e 20-25 të burgosurve të tjerë.

Gjenerali pranoi, por jo më shumë se 4 veta. Xhemali dha emrat e Qazim Vaqarrit, Zeqir Likës dhe Pjetër Dedës, të cilët u liruan. Të katërtin, e caktoi Petraqi, një tiranas me emrin Ibrahim. Pas kësaj Petraqi, me shoferin Riza Doçi (daja i Zeqir Likës), u nisën prapë për në Prishtinë, për të siguruar lejet. U rikthyen po atë ditë në Prizren. Petraqi liroi edhe një korçar dhe mori ata që kish siguruar më parë. Të gjithë u nisën në Shkodër, e më pas në Tiranë.

Xhemali u paraqit te Hysni Kapo, për t’i kërkuar ndërmjetësinë për lirimin e 3 grave gjermane, sipas marrëveshjes që kishin bërë. Ky, ka komunikuar me Enver Hoxha dhe i ka thënë, se do t’i kthente përgjigje. Pas 3 ditësh, Petraqi dhe Xhemali, shkuan për të takuar gjeneralin Fitztum në Tiranë, me kushtet e dhëna nga Hysni Kapo. Këtu partizanët, nuk iu përmbajtën një marrëveshjeje unike, por e ndryshuan atë.

Fillimisht kërkuan lirimin e të burgosurve të Prishtinës dhe Tomor Sinanit, nga Elbasani, arrestuar një vit më parë. Shkëmbimi të bëhej në Tiranë. Gjenerali gjerman pranoi kushtet, por tha se Tomor Sinani, ishte pushkatuar dhe kjo pikë e marrëveshjes, nuk mund të zbatohej. Për lirimin e të internuarve në Prishtinë, nuk merrte përsipër transportin e tyre. Pasi kjo pikë u pranua nga Xhemali, se transportin do ta bënin vetë, gjenerali ra dakord.

Njëkohësisht u vunë në dijeni familjet e të internuarve. Duke mos qëndruar në këtë marrëveshje, partizanëve iu erdhi një urdhër i ri. Më 30.9.1944, Enver Hoxha kërkoi (i telegrafoi) drejtuesve të Shtabit të Korparmatës së 1-rë, komandantit Dali Ndreu dhe komisarit Hysni Kapo: “Të insistojmë që të lirojmë gjeneralin anglez Devis, që e kanë zënë në muajin kallnuer të këtij viti, të luajnë dhe të na i dorëzojnë. Kjo mënyrë shkëmbimi ka rëndësi të madhe politike, prandaj duhet të insistohet patjetër”.

Më poshtë jepet shënimi për Mihal Priftin: “Kërkesa për gjeneralin Devis, është e para, pastaj Tomor Sinani dhe kampi i Prishtinës”. Pra në vend që të tregonte shkathtësi, për të shpëtuar sa më shumë shqiptarë nga vdekja, Enver Hoxha donte të fitonte pikë politike, sikur kishte në dorë jetën e gjeneralit Devis, i cili mund të mos ndodhej fare në territorin shqiptar.

Porosinë e Hoxhës, Hysni Kapo, ia përcolli Xhemalit, ndërsa ky Petraqit. Duke njohur mirë gjermanët, kur bëhej fjalë për prishje marrëveshjeje, Petraqi konstatoi me të drejtë, se ndodheshin “buzë greminës”, por do ta provonin. Xhemal Meçe e kujtonte kështu këtë moment:

“Petraqi filloi t’ia parashtrojë çështjen gjeneralit. Vura re fytyrën e tij që filloi të nxihej sterrë, duke shikuar Petraqin me vëmendje, m’u në bebe të syrit. Mbasi mbaroi së foluri Petraqi, ai nuk i tha asgjë tjetër, veçse i ra me grusht të fortë tavolinës, aq sa ç’kishte ajo, u shpërndanë nëpër dhomë. Iu kthye Petraqit, duke i bërtitur me sa fuqi kishte: “jashtë”.

Xhemali ngeli vetëm me gjeneralin, ndërsa ai shante me vete dhe shënonte në hartë. Pas 5 minutash, e thirri sërish Petraqin dhe i tha që; Devisi ndodhej në Berlin e, nuk ishte në dorën e tij, por do ndërhynte për dorëzim, në ndonjë legatë të shteteve ndërmjetëse. Megjithëse i zemëruar, i qëndroi marrëveshjes. Filloi të bëhej plani, për lirimin shqiptarëve në Prishtinë, d.m.th., për makinat me të cilët ata do vinin, etj. Xhemal Meçe vijon:

“Për fat të keq, në mbrëmje, një njësit partizan në rrugën “Bajram Curri”, te Medreseja, kryen një aksion të rëndësishëm, djegin disa makina dhe vrasin mbi 12 nazistë, anëtarë të partisë së tyre. Për këtë, komanda gjermane për t’u hakmarrë, dogji një pjesë të lagjes rreth vendit të aksionit, arrestoi më tepër se 50 burra të lagjes, duke i mbajtur në gatishmëri për t’i pushkatuar dhe pushkaton më tepër se 100 të internuar, të Kampit të Prishtinës të rrethit të Tiranës.

Në ora 4.00 të mëngjesit të kësaj nate (23 tetor 1944, -shënim) vjen Petraqi i alarmuar në bazën ku ndodhesha unë dhe më shpjegoi se; e kish thirrur gjenerali Fitztum për të më lajmëruar mua, që të vija në dijeni shtabin partizan, për arsyen e të pushkatuarve të Prishtinës, për të mos prishur marrëveshjen sepse të pushkatuarit, do të kompensoheshin me të burgosur nga burgjet e tjera”.

Xhemali, përçoi sërish te Hysni Kapo, propozimin. Ndërkaq Petraqi, arriti të shpëtonte nga pushkatimi 50 burrat që mbaheshin peng. Pas një dite, Shtabi i Përgjithshëm, refuzoi të pranonte marrëveshjen e re. Xhemali analizonte se Petraq Pekmezi, kish shpëtuar të paktën 100 shqiptarë nga pushkatimi i gjermanëve. Sipas tij, Petraqi dhe shoferi, ishin zhdukur më 16.11.1944. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.