DOSSIER

“Nexhmija kishte dijeni për orientimin e tij s*ksual”/ Dëshmitë e bujshme: Enver Hoxha ishte g*y, por e fshihte! I vrau vetë ministrat, dashnoret e tij…

13:53 - 04.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lajmi për arratinë e përkthyesit Bulka në vjeshtën e vitit 1987, ka mbërritur në Tiranë njëherazi me dëshmitë e bujshme për orientimin seksual të Enver Hoxhës, që ai kishte dhënë për shtypin perëndimor. Pohimet e Bulkës për anët e errëta të personalitetit të diktatorit, u pritën me interes nga media e huaj dhe në pak ditë bënë xhiron e botës. Me përmbledhjen e tyre, ndihmësit e Alisë, pasardhësit të Hoxhës, përgatitën një buletin të veçantë, që ndodhet në Arkivin e Shtetit. Më poshtë po zbardhim pjesët që aparaçikët e KQ kanë koleksionuar nga deklaratat e Bulkës…




Gazeta greke “Vradhini”, 10 nëntor 1987, boton shkrimin me titull: “’Braktisa Shqipërinë për të marrë frymë lirisht…’, tha përkthyesi i Enver Hoxhës”.

Athinë – “Erdha në Greqi për të marrë frymë lirisht. Po. Isha përkthyesi personal i Enver Hoxhës dhe di hollësira të rëndësishme për jetën dhe pasionin e tij prej homoseksuali! Kam jetuar tronditjen që krijohej në mekanizmin e Partisë të Shqipërisë kur ndodhnin arratisje jashtë shtetit. Shtypën të drejtat e njeriut, ka internime, burgosje, rënie të ekonomisë, censure, devijime morale. Katalogu është i gjatë!”

Gazeta “La Stampa” e datës 11.11.1987, boton një shkrim me titull: “Stalini shqiptar, homoseksual dhe vrasës”, me mbititull: “Një ish-bashkëpunëtor i Hoxhës thotë: Frika se mos e tallnin e çoi deri në paranojë”, dhe me nëntitull: “Të kundërshtoje marrëdhëniet me udhëheqësin, do të thoshte të dënoheshe me vdekje, e megjithatë ishte seksofob dhe e dënonte homoseksualizmin me 7 vjet kamp pune të detyruar”.

Athinë – Udhëheqësi i ndjerë shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksual që i fshihte prirjet e tij, gjë që e çoi ne paranojë dhe në vrasje, deklaroi Ilir Bulka, ish-bashkëpunëtor i tij që nga viti 1973 deri më 1980, 5 vjet përpara se Hoxha të vdiste, në një intervistë dhënë agjencisë UPI. Bulka ka kërkuar strehim politik në Greqi. “Frika psikologjike se mos e tallnin e bëri atë që të kapej pas pushtetit me të gjitha mjetet, pavarësisht se kjo do të thoshte përdorim i metodave si shfarosjet masive”, tha Bulka, i cili shtoi se Hoxha imponoi një kod të rreptë sjelljeje morale në të gjithë vendin, “solli në fuqi ligje që e dënonin homoseksualizmin dhe ata që shpalleshin fajtorë për këtë krim, dënoheshin me të paktën 7 vjet në një kamp pune”.


Bulka pohoi më pas se “homoseksualiteti i Hoxhës, për të cilin e shoqja ishte në dijeni, ka influencuar në historinë e vendit tonë të vogël. Udhëheqësi filloi të hyjë në marrëdhënie homoseksuale në Paris, ku studioi përpara Luftës së Dytë Botërore. Udhëheqësit kryesorë shqiptarë e dinë se ai i vazhdoi marrëdhëniet e fshehta homoseksuale deri ditën që vdiq”. Refugjati shqiptar, në intervistën e tij, i bëri elozhe udhëheqjes aktuale duke thënë se udhëheqësi i ri i saj “Ramiz Alia po kërkon që të pakësojë me ngadalë influencën e pasuesve të Hoxhës në vend, të atyre që morën prej tij poste të privilegjuara, por, ashtu si Gorbaçovi, ka shumë armiq të rrezikshëm”. Alia e ka hequr ligjin mbi ndalimin e homoseksualitetit dhe ka bërë disa hapje të matura tregtare dhe diplomatike ndaj Perëndimit.

Gazeta “Il Mesaxhero”, e datës 11.11.1987, boton një artikull me titull: “Zbulimet, Enver Hoxha ishte homoseksual, paranojak dhe vrasës” dhe me nëntitul1: “Ish-sekretari personal i udhëheqësit të ndjerë të Tiranës, i arratisur në Athinë, akuzon: Enveri i vrau vetë ministrat, dashnoret e tij”…

Athinë – Udhëheqësi i ndjerë shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksual që i fshihte prirjet e tij dhe për këtë arsye u bë një paranojak dhe vrasës, i cili vrau me duart e tij shumë nga viktimat e tij. Këtë e pohoi dje, në një intervistë dhënë agjencisë amerikane UPI, Ilir Bulka, 38 vjeç, i cili për shumë vjet ishte bashkëpunëtor i Hoxhës, për të cilin çdo ditë përgatiste një përmbledhje të lajmeve kryesore nga bota. Bulka kërkoi strehim politik në Athinë, në shtator të këtij viti, ndërkohë që po kalonte transit në Aeroportin e Athinës bashkë me një skuadër shqiptare futbolli që do të zhvillonte një ndeshje jashtë shtetit. Duke folur për Hoxhën, Bulka tha se paranoja e tij u shtua sa më shumë që ai plakej dhe e çoi atë deri aty sa të ndalonte këngët e dashurisë, poezitë popullore dhe kërcimet e balerinëve meshkuj e femra në televizionin shqiptar.

Bulka pohoi më pas se “homoseksualiteti i Hoxhës, për të cilin e shoqja ishte në dijeni, ishte një sekret që e dinin zyrtarët më të lartë komunistë të vendit. Të kundërshtoje marrëdhëniet me Hoxhën, ishte njëlloj si të dënoheshe me vdekje. Bulka pohoi pastaj se Hoxha insistonte personalisht që të njihej me të gjithë shkrimtarët, poetët dhe kompozitorët e rinj shqiptarë në apartamentin e tij luksoz në Tiranë. Në intervistë, Bulka i bëri elozhe më pas udhëheqjes së tanishme komuniste shqiptare, duke thënë se udhëheqësi i ri Ramiz Alia “po kërkon të pakësojë me ngadalë influencën e pasueseve të Hoxhës në vend, por, ashtu si udhëheqësi sovjetik Gorbaçov, ka shumë armiq të rrezikshëm”.

Enver Hoxha vdiq në prill 1985, në moshën 76-vjeçare, pasi kishte udhëhequr për 40 vjet vendin më të varfër e më të izoluar të Europës me metoda të ashpra staliniste dhe duke e mbajtur atë rreptësisht të izoluar. Sipas Bulkës, “vrasjet e miqve të tij në qeveri, që i kryente me gjakftohtësi, dhe spastrimet e tmerrshme vinin për shkak te grindjeve midis dashnoreve me huqe, ose ishin krime në bazë të të cilëve ishte pasioni”.

“Hoxha bënte rregullisht spastrime në gjirin e udhëheqjes komuniste shqiptare dhe “vrau vetë ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe kryeministrin e tij, Mehmet Shehu”, përfundoi Bulka.

Urdhri i Nexhmijes: Shporrini nga Tirana Bulkët

Ilir Bulka, ish-punonjësi i ATSH-së, u arratis më 26 shtator 1987, kur ishte duke shoqëruar ekipin e “Vllaznisë” në rolin e përkthyesit. Në rastin e tij, ndryshe nga reagimi i menjëhershëm ndaj familjeve të të arratisurve, shteti operoi me vonesë. Vendimi për internimin e familjes së Bulkës mban datën 16 nëntor 1987.

“Njëfarë kohe kjo histori u harrua dhe ata mund të shpëtonin, – shprehet njëri nga ish-oficerët e Sigurimit, që është marrë me çështjen, – por një ndërhyrje e rrufeshme e Nexhmijes e futi në tjetër rrjedhë fatin e tyre”.

Gruaja e Hoxhës, sa ishte njohur me deklaratat e Ilirit në shtypin e huaj për figurën e Enverit, kishte urdhëruar prerë: “Shporrini nga Tirana brenda natës!”. Mjaftoi kaq, shton ish-sigurimsi dhe familjarët e Ilirit përfunduan në Fierzë të Dumresë, madje pa dalë as vendimi zyrtar i Komisionit të Internim-Dëbimeve.

*******

Pranvera BulkaNë ditët e fundit të nëntorit të vitit 1987, buletini sekret i ATSH-së, me përmbledhje nga shtypi i huaj për Shqipërinë, njihte krerët e regjimit me lajme të padëgjuara për veset e diktatorit, i cili kishte ndërruar jetë dy vjet më parë.

“Enver Hoxha ishte vrasës i pashpirt dhe homoseksual maniak” Këtë radhë, njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë komuniste denoncohej nga njëri prej bashkëpunëtorëve, që kishte deklaruar arratinë dhe kishte pranuar të fliste për pjesët e errëta të personalitetit të Hoxhës. Më 26 shtator 1987, Ilir Bulka, përkthyesi 38-vjeçar, që shoqëronte ekipin e Vllaznisë në Greqi, bashkë me kërkesën për strehim politik, tërhoqi vëmendjen e mediave me deklaratat e bujshme për figurën e Enver Hoxhës, “stalinistit të fundit në Ballkan”.

Përkthyesi që kishte pritur rastin t’i shpëtonte represionit të regjimit, më së fundi kishte tronditur opinionin me bëmat e diktatorit, të cilin, siç pretendonte, e kishte njohur nga afër. Pohimet e tij se Hoxha kishte qenë maniak i orgjive perverse, me një jetë jo normale dhe orientim të gabuar seksual, bënë xhiron e botës. Sakaq, Tirana zyrtare, e njohur rishtas me to, në pamundësi të reagonte ndaj autorit, filloi të hakmerrej siç dinte ajo me familjen e tij. Pranvera Bulka, motra e përkthyesit të arratisur, në një rrëfim për “Panorama” risjell historinë e Ilirit, duke u ndalur te përjetimet nga kontaktet me të huajt, dëshira për të ndjekur “Zërin e Amerikës”, hobi për të mësuar gjuhët e vendeve perëndimore, motivet që e shtynë për të braktisur Shqipërinë e deri te rikthimi në Tiranë…

Zonja Pranvera! Iliri, vëllai juaj i arratisur në vitin 1987, ka deklaruar për gazetat më të mëdha të Greqisë dhe Italisë se Enver Hoxha nuk ka qenë vetëm një diktator vrasës, por edhe njeri me orientim të gabuar seksual që ka pasur marrëdhënie me bashkëpunëtorët e afërt. Fliste për këtë me familjarët dhe shokët para se të arratisej?

Iliri u arratis se urrente regjimin, diktaturën. Ai kishte tentuar të kalonte kufirin qysh kur ishte gjimnazist te “Qemal Stafa”. Këtë e arsyetonte me mungesën e lirisë, varfërinë, trysninë politike, luftën e klasave, babëzinë e bllokmenëve, dhunën e policisë sekrete, izolimin. Jashtë telave me gjemba, thoshte shpesh me bindje, jetohet shumë herë më mirë. Në këtë kuptim, arratia e tij ishte diçka e paralajmëruar, së paku për ne. Paramendohej sakaq edhe mënyra si do reagonte përballë autoriteteve të huaja…

A kishte lidhje arratia e Ilirit me kushtet e jetesës dhe statusin politik të familjes?

Kjo nuk kishte të bënte fare me vendimin e Ilirit për t’u arratisur. Familja jonë ka qenë e lidhur me regjimin, madje prindërit ishin anëtarë partie. Krahasuar me të tjerët, ishim disi të privilegjuar. Me shtëpi te porta e Bllokut. Të shkolluar në degët më të preferuara. Të punësuar brenda unazës. Jetonim jo keq, po të kishe parasysh kufizimet e kohës. Ideja e Ilirit për t’u arratisur kishte të tjera motive. Ajo ishte e brendshme, pjesë e formimit të tij, e mospajtueshmërisë me realitetin. Kishte ndikuar për këtë rrethi shoqëror, por më së shumti pasioni për librat e huaj. Iliri zotëronte shumë mirë gjuhën angleze, italiane, franceze, rusishten etj.

Në intervistat e Ilirit pas momentit të arratisjes, mediat e huaja e identifikonin si përkthyesin e Enverit, madje si bashkëpunëtorë të afërt të tij. Çfarë kishte të vërtetë në këto pohime dhe a kishte lidhje puna që kryente me Hoxhën?

Menjëherë pas diplomimit në Universitetin e Tiranës, Iliri u emërua në ATSH. Aty punoi dhjetë vite në sektorin që përgatiste buletinin e axhanseve që u shkonin vetëm krerëve të lartë të regjimit. Ishte zgjedhur në këtë detyrë për rezultatet e larta në fakultet, por sidomos për garancitë politike të familjes. Në një farë mënyre, kjo ishte linja e vetme (nëse mund ta quajmë të tillë) e kontakteve të Ilirit me Hoxhën. Një kontakt jo i drejtpërdrejtë gjithsesi, por i përditshëm. Produkti i sektorit ku punonte Iliri, i shkonte Enverit dy herë në ditë.

Si funksiononte sektori i ATSH-së që prodhonte axhanse për Enverin dhe krerët e tjerë të regjimit?

Pak a shumë, ATSH-ja si institucion ka qenë kjo që është sot, me destinacion lajmet nga vendi dhe bota për konsum publik. Asokohe kishte një sektor të veçantë, që përzgjidhte nga informacionet mediatike për Shqipërinë, gjërat më kritike, më të nxehta, siç thuhej dhe me to përgatiste buletin special për udhëheqësit kryesorë. Pjesën më të rëndësishme të këtij të fundit e zinin lajmet e stacioneve BBC, “Zëri i Amerikës” dhe “Europa e Lirë” mbi zhvillimet në vendin tonë. Iliri ishte pjesë e grupit që merrej me përkthimin e tyre…

Me pak fjalë, Iliri i çonte Enverit lajmet që denonconin Enverin, regjimin, politikën e tij…

Ndoshta për këtë arsye mediat e huaja e identifikonin si përkthyesin dhe bashkëpunëtorin e tij. Iliri në fakt s’kishte pasur asnjë takim zyrtar me Hoxhën. Me përjashtim të kontakteve kur ishim komshi me familjen e tij, tjetër lidhje nuk kishte…

Pra, keni jetuar disa vite në Bllok, afër vilës së Enverit. Çfarë raportesh kishit me të dhe familjarët e tij?

Me të përballeshim çdo ditë kur hynte dhe dilte në banesë. Enveri dhe Nexhmija kur banonin te vila e vjetër, ishin mysafirët e parë që na uronin në familje Vitin e Ri. Babai dhe mamaja njiheshin me ta qysh nga vitet e luftës. Miqësia kishte arritur deri aty, sa unë dhe Iliri ishim pagëzuar me emrat e fëmijëve të tyre. Unë me emrin e Pranverës, vajzës së Enverit dhe Iliri me atë të djalit të madh. Në ato kushte, kjo nuk ishte pak. Atëherë, hyrje-daljet e çiftit Hoxha ishin privilegj, që nuk mund ta kishte shumëkush. Logjika e regjimit e përkthente këtë në shkallë të lartë besnikërie, që parakuptonte siguri e përfitime për të preferuarit e tyre…

Në këto rrethana, Iliri guxonte t’i kundërvihej regjimit, të ironizonte Enverin, të mendonte për t’u arratisur…

Në pamje të parë duket paradoksale, por kështu është e vërteta. Iliri ishte një lloj disidenti i vetëformuar. Ky profil ishte ngjizur tek ai qysh në rininë e hershme. Kur na gjente në shtëpi duke ndjekur lajmet e TVSH-së, mbyllte televizorin me një rebelim të çuditshëm. “Akoma ju me pallavrat e Tiranës”, na thoshte qortueshëm dhe aty për aty hapte radion te “Zëri i Amerikës”. “Doni të vërtetën, dëgjoni këtë!”, na këshillonte me një siguri absolute. “Zëri i Amerikës” për të ishte e vërteta e padiskutueshme. “Mos vdeksha pa folë një herë aty për marrëzitë e Sulltanit tonë”, shprehej shpesh duke përçmuar Enverin. “Zëri i Amerikës” ishte fiksimi i tij…

Kështu shprehej vetëm me familjarët, apo edhe me shokët?

Me shokët ca më shumë. Veç konsideratave politike, me ta ndante qasjet ndryshe për mënyrën e jetesës, artin, muzikën, argëtimin. Ithtar i modelit perëndimor, Iliri nuk linte vend pa përbuzur tam-tamet e regjimit për moralin komunist, njeriun e ri, për “shfaqjet e huaja”, “dekadencën borgjeze” etj…

Me cilët nga shokët konsumonte biseda të tilla?

Në kohë të ndryshme, ka pasur shumë syresh. Kur punonte në ATSH, mbante për mikun më të mirë Nuri Hamzarain, vjehrrin e Agim Krajkës, të cilin e vlerësonte jashtë mase. Me të fliste pa doganë, siç thoshim atëherë. Ai ishte më i madh në moshë dhe më i regjur në disidencën me regjimin. Më vonë u njoh e miqësua me Agim Fagun, Medi Bushatin, Luan Hajdaragën e të tjerë. Në shoqërinë e tyre ndihej mirë, bisedonte për gjithçka, madje edhe për arratinë. Nuk i vinte mirë vetëm kur e qortonin: Ilir mos kështu, se do përfundosh në Spaç! Iliri ka pasur sakaq edhe një mik të veçantë: Nonda Bulkën, xhaxhain tonë që e donte fort. Kuvendonte me të për histori të ndryshme. Nonda kishte qenë student me Hoxhën në Francë dhe i tregonte për prapësitë e tij. Enveri s’e kishte mendjen te studimet, i thoshte në mirëbesim, por te orgjitë dhe lokalet e natës. Për orë të tëra ligjëronin për profilin e panjohur të diktatorit që na hiqej si engjëll, por kishte qenë djalli vetë…

Ku punonte Iliri kur u arratis?

Në vitin 1980, Iliri iku nga ATSH-ja dhe për disa kohë u sistemua në Ndërmarrjen Makina-Import. Më vonë shkoi në Ministrinë e Kulturës dhe Arsimit, në Komitetin Olimpik të Sporteve. Aty e aktivizonin herë pas here me shoqërimin e turistëve të huaj që vinin në Shqipëri. Ndihej i lumtur në këtë punë, sepse, siç thoshte, i jepte dorë për perfeksionimin e gjuhëve që zotëronte dhe njohjet me botën përtej telave me gjemba. Kontaktet me të huajt e bënë më rebel e më të papërmbajtur. Filloi të fliste hapur, të shante vend e pa vend, të anatemonte figurat e regjimit. Ky lloj reagimi, përçartja e shfrenuar, nisi të bjerë në sy të njerëzve të Sigurimit. U fut në listën e të dyshuarve, si kontingjent i armikut të klasës. Kjo na alarmoi si familje. U alarmuan sakaq edhe shokët. E këshilloi babai, nëna, vëllai tjetër. E thirri i tronditur Medi Bushati dhe i shprehu rrezikun që i kanosej. Iliri e dëgjonte, por nuk reagonte…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.