DOSSIER

Historia e pathënë e legjendës së futbollit shqiptar/ Panajot Pano sot do të ishte 85 vjeç, vuajtjet mes Tiranës dhe Athinës

22:43 - 07.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA UVIL ZAJMI 




7 mars 2024. Sot Panajot Pano do të kishte përvjetorin e 85-të të lindjes. Një legjendë e futbollit shqiptar, Partizanit, Kombëtares dhe mbi të gjitha një emër që nuk njeh kohë dhe as limite. I paharruar në kujtesën e të gjithë brezave që kanë lidhur me këtë emër fëmijërinë, adoleshencën, rininë dhe një pjesë të madhe të jetës së tyre, me emocionet që ka ofruar në fushë dhe jashtë saj ish-sulmuesi legjendar.

 

 

Të flasësh, të shkruash dhe të kujtosh Panon e madh të ndarë nga jeta më 28 janar 2010, në mënyrë të papritur larg vendit, në Jacksonville (Florida) të SHBA-së, ndërsa ishte te vajza e tij, duhet konsideruar mision. Por sot, “Panorama Sport”, do ta rikthejë Panon më ndryshe, me një ngjarje jo sportive, pak të njohur apo të komentuar.

Një histori shumë e vështirë dhe tronditëse për të dhe familjen, që ka lidhje me një situatë shqetësuese shëndetësore, e cila i rrezikoi seriozisht jetën, përpara se të mbyllte sytë në Amerikë. Nga shenjat e para, përkeqësimi i gjendjes, rënia fizike, ekzaminimet shoqëruar me diagnoza, interesimin, si dhe asistencën e specialistëve grekë që nuk japin asnjë shenjë përmirësimi. Të gjitha këto në një histori të pa treguar, që nga ardhja në Tiranë për të festuar 60-vjetorin, këshillat e kunatit, mjekut të njohur të Spitalit Ushtarak, doktor Mihal Kërci, i cili e orientoi në zbulimin e shkaqeve, kurimin e shpejtë dhe kthimin ë jetën normale.

Nga britma e mjekut laborant grek kur pa analizat dhe deri tek befasia kur u gjend përballë pacientit. Angazhimi i FSHF-së, por edhe ish-ministrit të Mbrojtjes, i Luan Hajdaraga, si dhe ndërhyrja kirurgjikale në Spitalin Ushtarak të Athinës, aty ku ishin Forcat e NATO-s. Një rrëfim i rrallë, me kujtimet e Ledio Panos, që e ka përjetuar hap pas hapi gjendjen e babait të tij, rrezikun që kërcënonte jetën e të atit.

panajot_pano-770x395

Gjithashtu, kujtime të patreguara më parë të Besnik Çelës, asokohe punonjës në FSHF-së si zv.sekretar i saj, që e vizitoi Panon në Greqi, në ato rrethana dëshpëruese. Një rikthim në këtë përvjetor të Panos, për të gjithë, shokë, të afërm, familjarë, admirues të tij, futbollistë, arbitra, tifozë, kundërshtarë në fushë dhe shumë miq jashtë saj.

NDËRHYRJA “HORROR” NË LIEZH

Ndonëse vitet kanë kaluar, ajo ngjarje mbetet ende tronditëse për gruan e tij, Rebekën, si dhe djalin Ledio, të cilët e kanë përjetuar nga afër. Çfarë ishte ajo situatë e pamenduar që u krijua befas dhe aq shpejt, e që cenoi jetën e Panos? Kurrë më parë një situatë e tillë, edhe pse në karrierë jo pak herë ka qenë i dëmtuar nga ndërhyrjet e rënda, si ajo në Liezh të Belgjikës. Një karrierë gjithmonë e rrezikuar nga markimet e ashpra.

Dhe nuk kanë qenë të pakta dëmtimet e marra, të krijuara nga goditjet e kundërshtarëve, kryesisht mbrojtësve në Shqipëri dhe jashtë saj. Përdoreshin të gjitha mënyrat për ta ndaluar, eliminuar dhe evituar rrezikshmërinë që ai paraqiste.

I pari që ka vrapuar për t’i dhënë sa më shpejt ndihmën e parë në fushë, ka qenë Ali Kastrati (i ndarë nga jeta), masazhatori i mirënjohur, njeriu i kudondodhur, miku i të gjithëve në çdo moment para, gjatë dhe pas përfundimit të lojës.

Pastaj Ceni (i ndarë nga jeta), mjeku popullor ku janë falur të gjithë pas një dëmtimi apo thyerje dore, një shpëtimtar në veçanti për sportistët, por edhe për qytetarët, me “futjen në allçi”, procesin e paharruar e të famshëm të tij. Për të vijuar me mjekun e njohur, Panajot Boga (i ndarë nga jeta), që ka qenë dëshmitari më i madh për atë çfarë i kanë parë sytë.

Por, rikthehemi në shtator 1969 në Liezh në ndeshjen e Kupës së Kampioneve. Pano është marrë si përforcim nga 17 Nëntori në sfidën kundër Standard Liezhit. Në minutën e 20-të të pjesës së parë, mbrojtësi kundërshtar, Jeck, ka kryer një ndërhyrje “horror” ndaj Panos, duke i shkaktuar një dëmtim të rëndë. Edhe pse i dëmtuar, ai nuk u largua nga fusha.

Në pamundësi për të vazhduar lojën, në të 65-ën, u zëvendësua nga Xhaçka. I kushtëzuar nga ajo gjendje, Pano do të qëndrojë deri në fund të vitit jashtë fushave, pa u aktivizuar në asnjë ndeshje me Partizanin.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.