LAJMI I FUNDIT

Mos pyet “Google” (map) se të degdis në Qafë të Murrizit!

08:43 - 09.03.24 LUTFI DERVISHI 
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA LUTFI DERVISHI 




Një ngjarje që do ta bënte edhe Kafkën të skuqej ndodhi dje në Rrugën e Arbrit. Kjo rrugë, hapja e së cilës është inauguruar me valle e tupanë më 28 nëntor 2021, e premtuar për t’u hapur plotësisht në prill të 2022 – u bllokua nga një makinë e vetme, një trajler turk.

Trajleri u identifikua që te ura e Brrarit nga Sateliti “Albania 1”, por motivet e këtij itinerari mbeten të paqarta. Ndoshta i entuziazmuar se do të kalonte në zonat ku Hajredin Pasha kishte lënë dikur kokën bashkë me ushtrinë, një shofer nga Anadolli në trajlerin e të cilit valëvitej flamuri i Turqisë e pa veten të bllokuar në majë të Qafës së Murrizit, pa shpresë se mund të lëvizte, as majtas as djathtas, as para as pas, ndërsa nga një makinë tjetër dëgjohej “vetëm përpara”.

 Shoferi, një Odise i pavetëdijshëm për kërkimin e tij, zbuloi se për të shkuar në Maqedoni, kishte një rrugë më të shkurtër se ajo e “Korridorit tetë”. I tunduar nga vetë “Google Maps”, orakulli modern i Delfit, shoferi nisi aventurën drejt Itakës së tij. Por udhëzimi dixhitalo- hyjnor, nuk e çoi në tokën e premtuar, por e degdisi në Qafë të Murrizit, duke bllokuar dhjetëra automjete dhe duke krijuar një nyje gordiane trafiku, që as Skënderbeu modern i Shqipërisë nuk mund ta zgjidhë. Vetë shoferi mohoi se ishte drejtuar nga “Google Map”.

Ai tha se kishte parë lajmet tri vite më parë, kur festa për hapjen e rrugës i ngjante dasmës së Princit në Angli. Kritikët dhe satiristët menjëherë u kujtuan se ka 13 vjet që punohet natë ditë në këtë kantier. “Është rruga e ardhmërisë”, – tha një plak nga Zall Dajti, “dhe gjithmonë do të jetë e ardhmërisë. Ju të rinjtë fluturoi pak dhe harroni se jetoni në të tashmen dhe jo të ardhmen”.

“Nuk është se rruga nuk është e përfunduar, rruga ka përfunduar, por ende nuk është hapur. Me falni është e kundërta, rruga është e hapur, por nuk ka përfunduar – tha një burrë nga Dibra që si çdo dibran nuk kuptohej nëse e kishte seriozisht apo po tallej me hallin e turkut”. Në një deklaratë që mund të vinte vetëm nga analet e optimizmit të qeverise, një zyrtar i transportit e siguroi publikun se rruga ishte “pothuajse e hapur”, “pothuajse e përfunduar”, “pothuajse e kalueshme” dhe se “këto pengesa të vogla janë pjesë e udhëtimit drejt përparimit të pandalshëm”.

Ndërkohë, trajleri turk në mënyrë jozyrtare është propozuar të quhet “Anija e Tezeut”. Mbetet për t’u parë nëse do të ruajë identitetin e tij deri në momentin që do të hapet rruga apo do të shndërrohet në një monument stacionar të ironisë. Ndërsa në rrjet ka shpërthyer satira me trajlerin turk, për ne, arnautët, Rruga e Arbrit është një kujtese hyjnore se të gjithë jemi kalimtarë në rrugën e jetës— ndonjëherë të bllokuar, shpesh të hutuar, gjithmonë të mashtruar, rrallë të ftilluar, por gjithmonë me shpresë që në kantieret ku djersitet ditë e natë prej 10 vitesh, do të vij dita të përfundojë ndonjë rrugë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.