DOSSIER

“U helmuan me sodë sapuni”- Pushkatimi i Sokol Sokolit e Tom Ndojës dhe dënimi me “vdekje të ngadaltë” i të burgosurve të tjerë! Si u shtyp revolta e Qafë-Barit! Çfarë rrëfeu djalit i ish-Ministrit

14:23 - 16.03.24 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy të pushkatuar, dhjetë të ridënuar me nga 10-25 vjet dhe shumë të plagosur e të lënduar. Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit të 22 majit 1984. Në librin e tij “Ferri i çarë”, botuar nga “OMSCA 1”, Visar Zhiti tregon nga pozitat e dëshmitarit okular.




Pas shtypjes së revoltës, ia behën edhe ndëshkime, pushkatime dhe ridënime, madje edhe vetë burgu u dënua, duke u bërë edhe më i keq nga ç’ishte. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim si organizatorë. Shumë më vonë, do të mësonte se në të vërtetë të gjithë ishin të dënuar me vdekje të ngadaltë, me helmim me sodë sapuni në ushqim. Leximi i dokumenteve zyrtare mbi revoltën ishte edhe më i dhimbshëm. Por burgu, sado i tmerrshëm, ka edhe anët e veta tragjikomike. Takon njerëz, të cilët i ndesh vetëm një herë në jetë.

Në burgun e Qafë-Barit, mes shumë të tjerësh, Zhiti njohu edhe Sokol Ngjelën apo Lincin, si i thoshin të gjithë. Linci me një humor të zi ishte një dritare në atë botë të panjohur, në atë të Bllokut. Por edhe shumë nga ata pushtetarë bllokmenë tashmë kishin rënë në pluhur. Shumë ishin dënuar, internuar. Linci tregon jetën e tyre në kampet e internimit mes mjerimit dhe shpresës së beftë se “I madhi” nuk dinte të vërtetën dhe do t’i çlironte… al.mi

 

VISAR ZHITI

DËNIMI I REVOLTËS DHE DËNIMI I BURGUT

Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zëvendëskomisari a ç’dreqin ishte, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenja plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…

Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë… Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte. Dhe iu bë gjyq i vërtetë… Asgjë s’po dëgjoja dot. Breshëri plumbash gjëmonin dhe mbulonin zërat. Dhe duartrokitjet e stuhishme, brohoritjet për Partinë dhe shokun Enver nëpër salla kinemaje, kur gjyqtari jepte vendimin e dënimit, me pushkatim… binte dhé mbi supet e mia. Pas murit ranë dhe një herë miqtë e mi të vrarë, trinia llahtarisht e shenjtë e kokëve të tyre me rrëke gjaku dhe vargu i skllevërve, i të lidhurve me zinxhirë, të porsadënuar… Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria në familje. Çfarë, karriget, lugët? Dhe me heqjen e së drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Ngaqë votuesit këtu janë të vdekur…

Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do të burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do të shembin ngrehinat, shkallët, do të përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më.

Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do ta mbushin me tela me gjemba e do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë edhe më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri. Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do t’u vënë rregulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund ta heqin televizorin – mirë do të bëjnë – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë. S’do të lejohen ecejaket, do t’i largojnë familjet përreth, s’do të ketë më grua të bukur matanë telave me gjemba, s’do… I dënuar në një burg të dënuar.

Ku di unë tjetër? Diktatura s’ngopet, më keq se në kohërat e vjetra, kur kishte dhe besëtytni, por, të jesh ateist, të mos besosh në asgjë dhe të dënosh edhe kalin e zëvendësministrit tënd të mbrojtjes pas pushkatimit të tij, ta çosh kafshën e gjorë në komunale, në Kukës, të tërheqë karrocën e plehrave, dhe çfarë kali, i bardhë, mbretëror fare, e kërkoi Kinostudioja për xhirime filmash, në asnjë mënyrë, është kalë me biografi të keqe, thanë. Po pse, veturën e zezë të vetë ministrit të Mbrojtjes, pasi e pushkatuan dhe atë, e çuan në Ersekë. E di ç’i bënë? E prenë gjysmën e veturës dhe i salduan pas një kazan të madh, e shndërruan në furgon për zarzavatet dhe shoferi s’e lante kurrë makinën, kishte frikë ta fërkonte me ujë. Dhe ngjante si një hibrid përbindëshi. Ashtu, vërtet? Dhe rrezik se qoftë ministri e zëvendësministri i tij – si quhen? Beqir Balluku e Petrit Dume – do të kujtohen nga kali i bardhë që dënuan, dhe vetura e zezë, që e bënë si mos më keq.

Gazetari Kastriot D. gjeti dhe një dokument tjetër rrëqethës. Tani punonte si drejtor në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kërkonte vetë nëpër dosje, e tërhiqnin, duke e tronditur, dokumentet e mbetura të revoltave në burg. Diktatura kishte rënë, por jo dëmet e saj. Nuk zhbëheshin dot aq menjëherë. …ushqimit i hidhej helm i butë, lexoi. Iu duk se i bënë sytë… I fërkoi… me synim pasojën e vdekjes së ngadaltë… sodë sapuni… helm ordinerësh, nga ai që i hidhja dhe unë thoit të këmbës sime, që të mos më shërohej e të mos dilja në punë.

“…ushqimi jepej i cilësisë së dobët, krejt jashtë çdo standardi ose cilësie… Në fund të fundit kur edhe për repartet ushtarake, restorantet ose popullatën ishte copë – copë, – shkruan gazetari. – Por ajo që është e pafalshme, me përmasa kriminale, gjenocidiste, madje është mënyra sistematike e helmimit që është përdorur ndaj të burgosurve… që çonte në dobësim e më pas në vdekje të… Dhe, të mendosh që kjo bëhej paralelisht me punën e rëndë që të dënuarit kryenin, me dhunën e përditshme që merrnin si dhe me izolimet e shumta, është vërtet e dhimbshme…

Në një raport të datës 27 gusht… pranohej nga komanda e burgut se ishin ankuar për toksikime… Dhembje barku e të vjella shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve…”

Ke të drejtë. E tmerrshme. Kujtoja se villnim vetëm nga neveria për sistemin. Por ai na paskësh helmuar realisht, me sodë sapuni në ushqime. Për të vdekur sa më shpejt. Shkonim herë pas here në varrime bashkëvuajtësish… 60 vjeç na iku, thoshim, por dhe 50, edhe 40… i ri fare. Soda e sapunit… të lash duart me vdekje… sapun krematoriumesh…

Gazetari Kastriot D. shfletoi informacionin zyrtar të organeve të Sigurisë për revoltën e Spaçit: …kontingjenti i burgosur në Spaç ishte “armik klase” që dëshironte të përmbyste “pushtetin popullor”… nuk kishte përkrahur luftën nacionalçlirimtare dhe vazhdonte të qëndronte në pozita të palëvizshme kundër regjimit komunist…

Kontrolloi kartelat e gjithsecilit. Vinin nga familje të persekutuara, të varfra, por në gjendje dikur. Të rinj të gjithë, pa diplomim, pa të drejtë studimi…

Parullat e hedhura nga të burgosurit gjatë revoltës ishin: “Ja vdekje, ja liri”, “Ju jeni katilë dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, “Ushtria është me ne”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Shokë ushtarë, dorëzoni armët”, “Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “Do t’ju djegim si Stalini”, “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Shqipëria e lirë, rroftë Europa e lirë” etj.

Si thirrjet e tanishme të opozitës, të studentëve që u ngritën për të ndryshuar sistemin. Por paska filluar herët lëvizja për demokraci, për Europën e Bashkuar, qysh në krijimin e saj, kur jashtë burgut s’i dihej as emri.

Pse thonë që nuk ka pasur disidentë? Ja, burgjet. Sa të qartë paskan qenë ata. Dhe lexoi prapë informacionin zyrtar: …në një nga parullat ishte shkruar se çështja e të burgosurve duhej të shikohej dhe trajtohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara…

…Ferit Avdullai, i pyetur nga hetuesi R. Ç. (e më pas nga A. Xh.), dëshmon se të revoltuarit kishin kërkuar takim me krye-ministrin…

…të pandehurit e mësipërm, duke qenë armiq të popullit dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë, kanë organizuar e marrë pjesë në një revoltë të hapur armiqësore, e cila synonte në minimin e pushtetit popullor!… Të gjithë të pandehurit, nëpërmjet veprimeve të organizuara kriminale, mundën të tërhiqnin edhe të dënuar të tjerë dhe iu kundërvunë personelit komandues të repartit, krijuan çrregullime, penguan veprimtarinë normale të organeve të pushtetit në atë repart, duke e zgjeruar atë edhe jashtë repartit, dhe paralizuan punën në minierë, duke minuar kështu planin ekonomik të shtetit.

Shih, shih, plani i shtetit që u dashka të realizohej me armiqtë e shtetit… Ja dhe në dosjen tjetër, në atë të revoltës së Qafë-Barit:

“Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…” – Fjalinë e fundit e nënvizoi. – Kërkoi akuzën e Prokurorisë Pukë:

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…

…i pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo.

…Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…

Të burgosurit nuk kishin asgjë, përveçse shpirtin. Terroristët ishin shteti i Enver Hoxhës me atë në krye. Po dridhesha, shokët e mi të revoltës, të dënuar për terror nga terroristët e armatosur deri në dhëmbë, sot nuk kanë të drejtën e dëmshpërblimit. I pengon akuza e Pukës. Ajo vërtet? Apo ata që shtypën revoltat tona atëherë, shefa policie, hetues, operativë, ushtarë… zëvendësministra, ministra, anëtarë të Komitetit Qendror, në mos ata, fëmijët e tyre, tani kanë zënë vende kyçe në administratën e shtetit demokratik? Edhe fëmijët e diktatorëve komunistë, që ishin kundër kapitalizmit dhe pronës private, janë bërë kapitalistë e kanë prona, televizione të fuqishme dhe… Mashtruesit e rrethit të tetë të ferrit.

Të vjen keq kur sheh poetin Pano Taçi, që ka bërë nja njëzet vjet burg dhe pi kafe te kafe “Europa” falas, ia ka caktuar pronari. Po kështu dhe shkrimtarit çam Bedri Myftari, një herë e dogji greku, erdhën këtej, ishte ende fëmijë, me flokët të përzhitur, pastaj e futën në burg dhe tani edhe ai e ka mëngjesin falas në restorantin e 15- katëshit, hotel “Tirana Internacional”. Po pse të mos i jepej të burgosurve ai hotel si dëmshpërblim…? Pusho, se, edhe në s’ka më burgje politike, ka forma të tjera dënimesh.

LINCI, KRAHËT E THYER!

Ne shkuam në internim, mamaja ime s’mund të ishte më mjeke. Motra u nda nga i shoqi, sepse tani ishte bija e një armiku të Partisë, kurse unë s’mund të shkoja në Tiranë, në universitet.

Si ne.

Po, nga që u bëmë si ju.

Eh, s’bëheni dot borgjezë ju.

Ishim.

Them për ata lart të gjithë.

Ju pse e tradhtuat?

Që të vija këtu. Dëgjo, në internim gjetëm dhe gjysma familjesh si tonat, të mbetura nga ministrat e pushkatuar. Po kur kishin shpresa se shoku Enver do të qe keqinformuar, do të vinte dorën në zemër dhe do t’i rehabilitonte?!

Edhe ata nën dhé do t’i ngrinte, i bën ai të gjitha…

Këto familje, që vinin nga blloku në internim, nuk i flisnin njëra-tjetrës, s’duhej të përziheshin, pu-pu, se, përveç vetes, të tjerat ishin shpallur “armik”, kështu u dukej. Por mbërrita unë. I njihja të gjithë dhe fillova të trokisja te dyert me radhë. Askush s’bënte vizita atje, në izolim qenë vetizoluar.

Si Shqipëria… Le më pastaj t’u jepje lajme nga Tirana, kurajë dhe shpresë. Dhe humor si ky imi, i zi. Mbasi u iku paksa frika e parë, sikur nisën të magjepseshin. Po që pashë tek të gjitha familjet portretin e madh, të qeshur e me ngjyra të Enver Hoxhës?! Atë që kishin pasur dikur nëpër vila, e kishin marrë me vete për në barakë me plaçkat më të rëndësishme, me kostumet e të pushkatuarve.

I kishin dekoratat?

E ç’rëndësi ka.

Partia nuk i mbaronte kurrë armiqtë. Pasi i kishte korrur të përmbysurit dhe u ishte vërsulur bijve të tyre, komunistët po hanin komunistët. Yti të shijon më shumë, kanë një proverb kanibalët.

Pse, flasin ata?

Si jo, i sheh ti lajmet në televizor, eeej? S’e ke dëgjuar Byronë Politike?

Kur vajta në kasollen e një ministri të rëndësishëm, s’po jua them emrin, ka të vetët këtu, binte erë vdekje, përzier me kanale e ankth. “Si jeni?” – thirra. U çshushatën, madje e kuptuan ç’u thashë. Secilit iu drejtova me emër, grave, vajzave dhe fëmijëve, burra s’kishte. U gjallëruan dhe m’u lutën të ulesha. Më pëlqente të vërtitesha më këmbë, të llomotitja duke tymuar cigare njërën pas tjetrës. Seç po thosha, kur befas ia futa me pëllëmbë aty pranë statuetës së Enver Hoxhës. Ra dhe u bë copë-copë, më keq se ç’na kishte bërë ne. Po shkelja mbi copat e bardha, kurrë s’kishte qenë i bardhë origjinali i tyre. Të gjithë ngrinë. Pritej gjëma, rroposja tjetër. Por gruaja e ministrit të pushkatuar bëri “ah!”.

Pasi u bë esëll, u shkreh: “Të lumtë ajo dorë!”. Dikur, atje në bllok, në vilën e saj, kishte hapur derën pa trokitur i shqetësuar vetë Enver Hoxha. Pa thënë as “mirëmbrëma”, kishte pyetur menjëherë: “Hë, si ju duk festivali?”. Sapo kishte mbaruar së transmetuari në TV. Asnjë këngë për Partinë, asnjë këngë për shokun Enver. Ashtu i gjatë, me pallton e zezë si nata që solli, të hedhur krahëve, u kthye nga ministri i vet, i cili s’e dinte mendimin e udhëheqësit, se, po t’i kishte pëlqyer, patjetër do të shpejtonte të përgjigjej që Festivali XI qe i shkëlqyer, modern, siç na mësoni Ju, na kënaqi, sukses i P… “E ç’ishte ai festival ashtu?!” – s’iu durua pa folur gruas së ministrit. “Bravo!” – bëri me dorë Enveri dhe u ktheu kurrizin, iku duke e lënë derën hapur, i përkulur pak, sikur ai e mbante natën mbi kokë, ashtu dukej, ndoshta nga shkaku i borsalinës së zezë. Rojat i vajtën nga pas. I mori me radhë të gjitha familjet kryesore, të anëtarëve të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së.

I kërcënonte?

Po ti e di që Festivali XI u ndalua, u burgosën organizatorët, drejtori i Radio-televizionit, libretisti dhe këngëtari i tij më i mirë. Enveri mblodhi ple(h)numin, siç i thua ti, urgjentisht dhe mbajti një fjalim tjetër historik. Shau minifundet, flokët e gjatë të të rinjve dhe vajzat që tymosnin cigare në kafe “Flora” si në Romë dhe Paris.

Gjetëm një tryezë bosh, se të tjerat qenë zënë të gjitha në kafe “Flora”, – po më tregonte një herë tjetër Linci. – Doja të uleshim aty. “Jo, jo, – më tha kushëriri im, – ka përgjues dhe poshtë banakut janë kufjet me të cilat dëgjohet biseda.” Provokatorët e dinë atë tryezë dhe aty të ftojnë për një kafe. Po të ketë rëndësi biseda, regjistrohet.

Vajzat, dukej që porsa kishin rënë në dashuri, kishin filluar të rrinin këmbë përmbi këmbë, të bukura siç nuk lejohej. Pastaj filloi qethja e përgjithshme, pirgje me lesh në anë të dyerve, shqyerje minifundesh, prishje të lidhjeve të brishta, nuk e dija që ti… se ç’ke një kleçkë në biografi… internime të tjera. Dhe atje luftë të tmerrshme klasash dhe frikë nga njëritjetri.

Unë i nisa vizitat për herë të parë nëpër familjet tona, ta kam thënë. Veçse s’rroja dot pa pará në xhep. Me punë s’fiton dot gjë në internim. Le që s’më pëlqente të punoja. Isha mësuar ndryshe. Djalë ministri. Shkoja në një përrua, mos gjuaja ndonjë peshk andej… a ndonjë vajzë. Kur shoh një ditë një rresht grash të fermës të ngarkuara me dengje bari. Dukej sikur lëviznin mullarë nëpër fushëtirë. Mes tyre njoha dhe time motër. U lemerisa. Një t’ia rrëzuar dengun përdhe dhe i bërtita: “Mos u bëj skllave! S’të shoh dot kështu.” Por e pashë më keq: kosiste, me atë kosën si të Vdekjes nëpër përralla. Po ajo kishte dhe një djalë për të rritur. Si ta ndihmoja? Vendosa të shisja fshehurazi nga plaçkat e shtëpisë. S’e dinim ç’kishim dhe sa. E bëja me fjalë me dikë dhe në muzg ai vinte poshtë dritares sime e unë i zbrisja me litar – banoja në katin e dytë të një apartamenti mizerie – kolltukë, pasqyra, legenë, sirtarë, varëse të gjata rrobash, po i arratisja të gjitha, me gjysmë çmimi, çerek, falur fare, siç thonë matrapazët. Kot s’vura një çikrik në dritare. I merrnin brigadierë, traktoristë, gra të sekretarëve të partisë, nga ata që kishin më shumë se të tjerët, plaçka ministri, i kishin ëndërruar. I shihja teksa largoheshin nëpër terr, hije të përçudnuara, dhe…

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.