LAJMI I FUNDIT

“Broja dhe Kumbulla të domosdoshëm”, ish-kapiteni Vata “skanon” miqësoret: Shqipëria e lodhur, por në Europian mund…

08:45 - 27.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rudi Vata mendon se Shqipëria nuk kishte intesitet në këto dy ndeshje miqësore.




Ish-kapiteni i Kombëtares, duke folur në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, thotë se lojtarët e ekipit kombëtar ishin të lodhur dhe jo me gjendjen fizike të 6 muajve më parë. Gjithsesi, ai mendon se skuadra ka arritur objektivin dhe nga këto humbje duhet të bëjë një analizë serioze për t’u përgatitur sa më mirë për në Europian dhe pse jo për të qënë surpriza e grupit. Vata gjithashtu thotë se Broja, Ismajli dhe Kumbulla janë të domosdoshëm për Kombëtaren.

Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, si ishin në sytë e Rudi Vatës dhe çfarë sinjali mendoni se mori Silvinjo nga to?

Trajneri e shprehu vetë që nuk i ka pëlqyer intesiteti që ekipi shfaqi në ndeshjen me Kilin. Intesitetin e bën gjendja fizike. Futbollistët me gjendje fizike të mirë krijojnë atë energjinë që ka nevojë skuadra. Duke bërë presionin sipër, duke mbuluar kundërshtarin afër, duke fituar dyluftimet. Shqipërisë i mungoi kjo energji që e kishte në ndeshjet eliminatore, para dy ndeshjeve të fundit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, sepse shenjat e lodhjes filluan që aty. Gjithsesi, me Suedinë skuadra ishte disi më mirë.

Një rikthim ishte edhe ai i Brojës, luajti nga minuta e parë, a tregoi se është i rëndësishëm për Kombëtaren në Europian?

Broja të jem i sinqertë, është një lojtar që ekipi kombëtar e ka të nevojshëm. Po ashtu edhe Kumbulla. Të dy kanë kaluar dëmtim të vështirë, si në aspektin mental dhe atë fizik. Për t’u rikthyer në formën e tyre më të mirë, kanë nevojë për mbështetje në çdo aspekt. Sepse kanë kaluar një përiudhë shumë të vështirë në rikuperim, sidomos psikologjikisht. Cilësitë e Brojës janë cilësi që i ka nevojë futbolli modern, sepse shpejtësia e dinamizimi i tij dhe mënyra sesi e sulmon hapësirën, është shumë e vështirë të gjesh futbollistë që e bëjnë atë. Është shumë i domosdoshëm për ekipin kombëtar. Broja nuk është ende në gjendjen e tij më të mirë. Më bëhet qejfi që është rikthyer dhe të krijojnë frymën e grupit.

Po në Europian, si shkon Shqipëria?

Unë e shoh se jemi skuadra me më pak pretendime në grup. Presioni nuk është te ne, por te Kroacia, Spanja e Italia që mendojnë se Shqipëria është një “kafshatë” e vogël. Nuk kemi çfarë të humbasim, por edhe e pamundur nuk është, por pretendimet nuk janë. Dhe ti kur nuk futesh me presionin e rezultatit, mund t’i tregosh vlerat shumë lirisht. Por, përgatitja për në Europian duhet të jetë shumë serioze. Futbollistët nga sot duhet të mendojnë që të gjejnë dhe të ruajnë gjendjen e tyre fizike sepse kanë kohë mjaftueshëm për të qënë gati. Në Europian të shikon gjithë Europa, nuk është si në eliminatore. Sytë e të gjithëve janë aty dhe është një privilegj për këdo futbollist. Të gjithë e kanë merituar që kanë shkuar aty. Gjithsesi, mendoj që nuk duhet të shkojmë aty dhe të themi morëm pjesë, por të lemë gjurmë. Po të mendosh që Greqia ka fituar Europianin, që nuk e priste askush, dhe me një futboll të shëmtuar, me Oto Rehagelin, trajnerin gjerman. Askush nuk e ndalon Shqipërinë, nëse përgatitet që të bëjë sa më mirë dhe pse jo të bëhet surpriza e grupit.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.