LAJMI I FUNDIT

Amnistia duhet, por çfarë do bëhet me të amnistuarit?

08:18 - 12.04.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

GËZIM TUSHI




Në shoqërinë shqiptare paradigma e burgosjes, si mënyrë e vetme për të shpëtuar nga krimi dhe keqbërja sociale, është kthyer në një fiksim të koracuar, duke u konsideruar si mjeti, mënyra e vetme për të shpëtuar prej tyre. Sipas këtij opinioni, vetëm ndëshkimi me burg është “ilaçi social”, që e shpëton jetën e shoqërisë nga njerëzit sociopatë, të dhunshëm, agresivë e kriminelë. Fjala e parë e opinionit për shkelësit e ligjit, pothuaj për çdo rast është sintagma e shkurtër: “futeni në burg”. Problemi është i ndërlikuar. Është sa juridik, aq shumë edhe social e psikologjik. Është koha për të pasur një koncept ndryshe për burgun, si një nga “institucionet e forta të disiplinës” (Michel Foucault), për të burgosurin dhe impaktet e rehabilitimit apo degradimit social të individit të burgosur.

Këtu është bashkëlidhur edhe institucioni i amnistisë, që këto ditë ka qenë objekt debati politik e parlamentar dhe që më në fund para disa ditësh, u miratua nga Parlamenti Shqiptar. Në këto kushte besoj se është i nevojshëm zhvillimi i një debati social. Kur flasim për këtë trinitet burgu, i burgosuri dhe amnistia, duhet të kemi të dhënat e duhura nëse burgosja, domethënë të jetuarit në mjedisin e ashpër e kufizues të një burgu do të ndikonte pozitivisht dhe do bëhej mësim për të burgosurin, që pasi të lirohej, nuk do të përfshihej më në shkelje ligjore apo sjellje kriminale? Apo burgosja do të kultivonte tek ai sjellje recidiviste dhe për pasojë do të rikthehej përsëri në burg?

Sigurisht nuk është e lehtë të diagnostikosh deri në fund dhe rast pas rasti përcaktimin e pasojave specifike të burgimit të individit. Kjo është e vështirë, pasi duhen llogaritur shumë gjëra, që lidhen me faktorin e burgimit pa llogaritur edhe disa faktorë të tjerë me natyrë sociale apo veçoritë individuale të njeriut të burgosur.

Amnistia është një masë politike e juridike, e cila është vështirë ta ndash nëse është e menduar apo e imponuar. Nuk është e qartë lidhja midis filozofisë dhe qëllimeve strategjike të kësaj amnistie dhe aspektit statistikor. Që do të thotë se kjo amnisti u bë për të “shfryrë tejngopjen” e kapaciteteve të burgjeve apo si proces për të lehtësuar e përshpejtuar integrimin social të të burgosurve. Pyetja që shtrohet natyrshëm është: Përveç aktit mekanik të lirimit të rreth 700 të dënuarve nga burgjet dhe zbutjes së masës së dënimit për qindra të tjerë, a ka dhe është parashikuar se çfarë do bëhet me këtë kontingjent pasi të dalë nga burgu? A është ndërtuar ndonjë plan strategjik dhe do të këtë ndonjë kujdes sui generis për këta qytetarë, që tashmë do jenë ish-të dënuar apo personat pasi lirohen nga burgu, apo ata i lihen thjesht orientimit të lirë individualisht spontan.

E theksoj këtë moment sepse koha edhe në raste të amnistive të tjera ka treguar se një pjesë jo e vogël e ish-të burgosurve duke mos pasur asnjë mbështetje në periudhën post burgut, duke ardhur “vërdallë shoqërisë” pa orientimin e duhur social, bëhen recidivisë, përsëritës të veprimeve antiligjore. Analiza e personave recidivistë, e shkaqeve të rikthimit të tyre në burg, është e lidhur në një masë të konsiderueshme pikërisht me mungesën e kujdesit. Një pjesë tjetër duke qenë për një kohë të gjatë në situatën e ndërprerjes së lidhjeve sociale, shpesh në kohën e post-burgut, ata edhe jashtë burgut takohen dhe lidhen me “njerëz të ngjashëm”, që jo vetëm nuk kanë nxjerrë mësime nga burgosja, por përkundrazi, bëhen nxitës të sjelljeve shkelëse të ligjit.

Studimet sociale, analizat sociologjike, madje edhe eksperimentet psikosociale në nivel global kanë vërtetuar, se burgosja edhe pse e domosdoshme si rrugë ligjore për të ndëshkuar shkelësit e ligjit apo kriminelët, jo gjithnjë ndikojnë në parandalimin e përsëritjes së krimit nga të burgosurit, pasi ata kryejnë dënimin dhe lirohen nga burgu. Me sa duket, efektet e dënimit me burg nuk janë antidot i sigurt për të shmangur sjelljet recidiviste (përsëritëse) të të burgosurve. Statistikat tregojnë se një qëndrim më refraktar ndaj burgut si institucion, burgosjes si proces juridik dhe të veçorive psikologjike të të burgosurit si person, është i domosdoshëm dhe me efekte pozitive të pritshme.

Janë bërë studime, të cilat më duken racionale me vlerë pedagogjike dhe efekte rehabilituese për raportet fleksibile midis burgosjes dhe amnistisë së arsyeshme rehabilituese. Është vërtetuar me fakte, se qëndrimi i diferencuar midis një grupi që përfitoi nga amnistia e parakohshme dhe grupit që e përfundoi deri në fund afatin e burgosjes, sjelljet e periudhës postburgut kanë qenë të ndryshme. Të burgosurit që kryen dënimin e tyre të plotë, pa asnjë lëshim kishin dy herë më shumë gjasa për t’u rikthyer në burg, në krahasim me ata që përfituan nga amnistia dhe u liruan para kohe. Kjo arsyeja pse amnistia është një praktikë e mirë, me efekte të qarta humane e ndikime psikosociale.

Padyshim burgjet janë institucione të rëndësishme, të cilat jo vetëm kanë detyrën e realizimit të kushteve dhe afateve të ndëshkimit, por edhe janë pjesë e lidhjes së ligjit me synimin e korrigjimit të shkeljes ligjore individuale. Kjo është njëra anë e problemit. Padyshim e domosdoshme. Por nga ana tjetër, duhet të mbajmë në konsideratë faktin social psikologjik, se përtej ndëshkimit të merituar të shkelësve të ligjit, duhen llogaritur dhe kundërefektet sociale të burgut dhe burgosjes. Sepse është vërtetuar në mënyrë të sigurt dhe fare të padyshimtë, se periudhat e gjata të izolimit nuk janë vetëm të pakëndshme për ata që e përjetojnë personalisht, por ato janë psikologjikisht dëmtuese dhe degraduese, duke prodhuar depresion, ankth pse jo edhe impulse individuale vetëshkatërruese, madje deri në vetëvrasje.

Dihet që shkalla e vetëvrasjeve te të burgosurit është një dukuri që ndeshet shpesh, sidomos tek ata që mbahen të izoluar në afate shumë të gjata. Efektet janë deri në shkallën, që sikurse psikologu social Craig Haney, profesor i Universitetit të Kalifornisë, që është marrë me ndikimin psikologjik të burgimit dhe izolimit në burg se “…ata nuk janë të sigurt se ekzistojnë dhe nëse janë, nuk janë të sigurt se kush janë në të vërtetë”. Kjo është arsyeja pse shpeshherë të burgosurit vuajnë pasojat e burgosjes empirike, pa llogaritur racionalisht këto efekte degraduese dhe cenuese të aftësisë përshtatëse për periudhën post-burg. Ata ndihen të shkëputur nga pikëpamja sociale, me aftësi të kufizuara riorientuese, për të kontrolluar emocionet dhe sjelljen e tyre.

Si do sillemi me të amnistuarit? A kemi struktura të “terapisë multisistemike”?

Nuk është kaq i thjeshtë, veprim mekanik apo sjellje lineare, aplikimi ligjor i amnistisë dhe sidomos procesi i kthimit të ish-të burgosurit në shtëpi dhe integrimi i tyre organik në jetën sociale. Ky moment është me rëndësi për t’u vlerësuar, për dialektikën ekstrajuridike dhe që lidhet me vështirësitë e procesit të riintegrimit të personave të amnistuar në familje dhe jetën sociale. Në të vërtetë nëse do e kuptojmë vlerën e momentit të amnistisë, impaktin social dhe të personalizuar të këtij veprimi politiko-juridik, atëherë duhet ta mendojmë seriozisht atë si një “pikë kthese” për individin në radhë të parë, por edhe për familjen dhe shoqërinë gjithashtu. Nëse këtë punë e reduktojmë vetëm me veprimin mekanik të “hapjes së portave” të burgut dhe kalimin e parakohshëm në liri, atëherë duhet të presim efekte sociale dhe kundërefekte individuale të padëshiruara.

Në shumicën e rasteve kthimi në shtëpi është moment i kthesës pozitive në sjellje dhe orientim social të personave të amnistuar. Por, historia ka treguar se ka edhe raste momentesh anormale e të rrezikshme, kur ish-i burgosuri kthehet me gjykime të deformuara apo paragjykime në shtëpinë e vet dhe kjo sjell shumë turbulenca e shqetësime në funksionet familjare. Madje, shpesh me pasoja sociale e kriminale. Ky është momenti më delikat dhe nëse nuk sigurohet ndërhyrje sociale komplementare e faktorëve të brendshëm familjare apo të jashtëm socialë, mund të ndodhë dhe ka ndodhur shpesh, që ish-i burgosuri në vend të përfshihet nga procesi i rehabilitimit, rivendos lidhjet e dikurshme, duke u “rikthyer” në shoqërinë dhe ripërshtatur zakonet e tij të vjetra. Kjo është rruga e sigurt, që në vend të kthimit në familje dhe riintegrimit social të rimarrë rrugën e rikthimit në burg.

Praktikat e mira tregojnë se në këtë moment krucial është i domosdoshëm angazhimi dhe ndërtimi i një procesi që quhet aplikim i “terapisë multisistemike”, e cila është dhe përbëhet nga një tërësi masash dhe intervenimesh psikosociale e materiale për të lehtësuar procesin pozitiv të riintegrimit të të burgosurit të amnistuar në mënyrë të natyrshme dhe pa sforcime në familje e shoqëri. Sociologët e burgut e kanë sqaruar përmbajtjen konceptuale dhe instrumentale të “terapisë multisistemike”, se çfarë ajo është, si aplikohet dhe cilat janë efektet pozitive të saj. Të kuptohemi, këtu nuk është fjala për terapi klasike, skolareske. Ajo nuk ka kuptimin e trajtimit zyrtar nëpërmjet zyrave të specializuara të psikoterapisë, me kohë të gjata e seancash suksesive. Kjo është tjetër gjë. Kjo tipologji terapie multisistemike është një veprimtari konkrete dhe e personalizuar, e koordinuar në jetën reale dhe e ushtruar në shtëpi, në rrugë, në shkollë në çdo vend dhe me çdo njeri që kalon kohën i burgosuri i liruar nga burgu.

Është fjala për njerëz apo institucione, të cilët në këtë fazë të parë pas amnistisë duhet t’u qëndrojnë afër personave që sapo kanë dalë nga burgu. Ata mund të shërbejnë pothuaj si “këshilltar informal”. Po kush mund dhe duhet ta luajë këtë rol të përkohshëm? Ky mund të jetë babai, vëllai, motra, xhaxhai, kisha, xhamia, etj.. Problemi është që në këtë fazë të parë, kur njerëzit janë të sapodalë nga burgu, është e nevojshme që ata të qëndrojnë sa më afër me njerëz që janë pozitivisht mbështetës, orientues të besueshëm, që përpiqen ta mbajnë larg nga njerëz që mund të kenë ndikim të keq dhe mund ta “ndihmojnë” të sapo amnistuarin që të rikthehet përsëri në burg.

Kjo është “terapia multisistemike”, e cila përmbledh të gjithë ata faktorë socialë e intimë, shoqërore e mjedisorë, që ndikojnë mbi ish-të burgosurin e amnistuar të forcojë disiplinën sociale dhe lidhjet me shtëpinë, që inkurajon afrimin me shkollën, sported dhe mbi të gjithë orientimin në tregun e “ngatërruar të punës” dhe gjetjen e punës si parakusht i integrimit social. Kjo realizohet nga lidhjet e dobishme me njerëzit e familjes së gjerë, fshqinjve, miqve, shokëve të mirë të komunitetit, etj.. Sepse është një ndihmë pragmatikisht e domosdoshme. Të paktën për këto momente, e para kur ata do lënë qelitë e burgut dhe do dalin në liri…

Sociolog
“Mjeshtër i Madh”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.