Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, ka reaguar pas akuzave të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbrëmjen e djeshme, se Dumani është takuar me Charls McGonigal dhe më pas ka nisur hetime për ish-Presidentin.
Në një reagim për mediat, Dumani ka theksuar se ai nuk e ka takuar kurrë Charls McGonigal, dhe se e ka dëgjuar emrin e tij nga mediat në Shqipëri.
Sipas kreut të SPAK,” gjithçka është thënë në media është në vazhdën e akuzave që behën ndaj institucionit që ai drejton”.
“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha ai.
Deklarata e Metës
“Hetimi i SPAK-ut tarallakut ka nisur në dhjetor të 2019, me prokuror Altin Dumanin, që bën si i fortë dhe mburret se do merret me Ilir Metën dhe se ka mbështetjen e amerikanëve. SPAK ka nisur hetim në dhjetor 2019 për CEZ. Sipas të dhënave të mia, pas takimeve të Dumanit me McGonigalin e Edi Ramës. Dhe pse ka nisur në 2019 për një çështje të mbyllur? Ka nisur që Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Ramës, që të mos kishte asnjë mendim pakice dhe të asgjësohej drejtësia
Ma sillni këtu Altin Dumanin. Do të frenojë Ilir Metën të sjellë pluralizmin. E duke kapur ndonjë laraskë lart e poshtë po tenton të marrë Partinë e Lirisë. I duhet Edi Ramës të marrë peng PL, siç mori peng PD dhe vulën. Ma sill këtu Altin Dumanin ta shohin shqiptarët. E akuzoj për veprimtari politike të qëllimtë. Ky person nuk ka kurajo t’i vërë Ramë hekurat për inceneratorët. Nuk ka kurajo t’ia vërë Veliajt hekurat. U jep pyetje gazetarëve të vetë që është Meta andej e këtej. Nuk kam asgjë për të më hetuar. Kam qenë zyrtari më korrekt i këtij shteti”, tha Meta dje në emisionin “Opinion”.