Një tjetër person është ndaluar lidhur me rrëmbimin e një 3-vjeçari nga gjyshërit në Durrës.
Policia bën me dije se pas gjyshit të të miturit, Rexhep Gjuni, 58 vjec, është ndalaur edhe shtetasi me iniciale A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.
Ende nuk ka asnjë gjurmë se ku ndodhet i mituri, i cili është raportuar i zhdukur nga nëna tij 5 ditë më parë.
Nëna e 3-vjeçarit ka deklaruar se gjyshërit kanë marrë si çdo javë nipin e tyre për ta mbajtur disa orë në familjen e tyre siç bënin zakonisht, por nuk e kanë kthyer më. Ajo ka pritur disa orë dhe kur vjehrri me vjehrrën nuk i kanë kthyer fëmijën i ka telefonuar, por celulari i tyre ka rezultuar i fikur.
Gruaja ka bërë denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën.
Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur. Më pas, Rexhep Gjuni ka refuzuar të bashkepunoj me policinë.
“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mirë. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë femijën të shkonte te gjyshërit e tij”, ka deklaruar nëna e djalit 3 vjeçar.
Babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik dhe i mituri jetonte me nenen e tij.
Durrës/Vijon intensivisht puna për gjetjen e 3-vjeçarit
Kërkimet dhe veprimet e thelluara hetimore për rastin, po kryhen nga Policia e Durrësit, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Në vijim të punës që po kryhet nga Policia, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më datë 13.04.2024, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, ju informojmë se:
Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.
Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has. Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.
Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjsisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.