AKTUALITET

Rrëmbimi i 3-vjeçarit nga gjyshërit/Si nisi konflikti pas largimit të nuses nga shtëpia!

08:22 - 20.04.24 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur kanë kaluar 7 ditë nga ‘zhdukja’ e fëmijës 3 vjeç, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Durrës, policia vijon ende kërkimet për gjetjen e tij. Janë shpallur në kërkim gjyshja dhe vëllai i saj, ndërkohë që ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit la në arrest me burg gjyshin e fëmijës dhe kunatin e tij.




Policia dhe Prokuroria e Durrësit, por edhe ajo e Kukësit, pasi ngjarja tashmë ka dy vendngjarje, dyshojnë se gjyshja nga i ati i të miturit e ka rrëmbyer të voglin në bashkëpunim me dy vëllezërit e saj, ku tashmë njëri është në burg dhe tjetri në kërkim. Historia dramatike që ka më shumë se një javë që luhet në kurriz të një fëmije vetëm 3 vjeç ka bërë që të shtrihet edhe në territorin e Kosovës, pasi vëllezërit e gjyshes së të miturit janë banues në Has e për pasojë dyshohet se fëmija të jetë kaluar në Kosovë.

Policia dhe prokuroritë kanë kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve të Kosovës, ndërkohë që janë marrë edhe të dhëna për lidhjet familjare të vëllezërve të Bahrije Gjunit në disa qytete të Kosovës. Po dje ka folur publikisht xhaxhai i të voglit, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike që fëmija të jetë rrëmbyer për t’i bërë keq, por nëna e tij, e ka marrë nga malli për të birin që i ka ndërruar jetë rreth një vit më parë.

Sipas tij, nëna e djalit, pra kunata e tij, kishte kërkuar të largohej nga shtëpia e vjehërrisë për të nisur jetën e saj e për pasojë, gjyshërit e fëmijës kanë vendosur të mbajnë djalin, me idenë se ajo mund të martohet dhe fëmija i djalit të tyre të ndjerë nuk ka pse jeton në një familje tjetër. Mirëpo, nëna e vogëlushit ka tjetër version në lidhje me ‘rrëmbimin’ e fëmijës, pasi ajo ka pretenduar gjithnjë se ka arritur marrëveshje me ta për ta parë sa herë të duan fëmijën. Por në fakt policia dhe prokuroria ende nuk e kanë mësuar zanafillën e konfliktit, për shkak të rëndësisë që i është kushtuar gjetjes së të voglit.

VENDIMI I GJYKATËS

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Rexhep Gjunin, gjyshin e 3-vjeçarit që u zhduk 7 ditë më parë në zonën e ishKënetës në Durrës. Nëna e la 3-vjeçarin me gjyshërit për disa orë, por më pas ai është zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij. Po ashtu, gjykata ka dhënë masën arrest me burg për Arben Selaj, kunatin e gjyshit. Ndërkohë, në kërkim është gjyshja me vëllanë tjetër të saj. Mbrojtësja ligjore e të arrestuarve bëri me dije se “u mbyll seanca për caktimin e masës së sigurimit. Në kushtet kur kemi të bëjmë me një të mitur nuk mund të thuhet asgjë për arsye se është sekret hetimor, tani do vazhdojë prokuroria hetimet.

Masa e sigurimit, arrest me burg, nuk ka ndryshuar asgjë”! Gjykata u shpreh me një vendim konkret duke dhënë edhe detajet e këtij vendimi:

1. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim R. Gjuni, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal.

2. Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. Gjuni, atë të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.