“Forma të ndryshme të korrupsionit, nga korrupsioni i vogël deri tek nepotizmi, pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, janë prezent në Shqipëri”, konstaton një raport i publikuar të martën nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me organizatën Transparency International.
Raporti i “Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit”, një studim që mat efektivitetin e mekanizmave publikë kundër korrupsionit merr në analizë 15 aktorë shtetëtorë dhe privatë – si ekzekutivi, legjislativi, sistemin e drejtësisë, institucionet e pavarura, median e shoqërinë civile dhe sektorin privat.
Sektori publik është shtylla me pikët më të ulëta që sipas raportit “vuan nga standardat e paqarta profesionale, nga rreziqet e korrupsionit dhe ndërhyrja politike”.
Institucionet e pavarura si KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit kanë një rol të kufizuar ndaj qeverisë për politikat kundër korrupsionit, ndërsa parlamenti është nën ndikimin e pushtetit ekzekutiv.
Gjatë prezantimit të raportit nga të përfaqësuesit e IDM dhe TI u vu theksi tek nevoja për reforma të sinqerta dhe ngritje kapacitetesh në luftë me korrrusionin nga sektori publik, si dhe rritja e rolit llogari-kërkues nga Kuvendi për qeverinë.
Lidija Prokic, këshilltare rajonale për Evropën Lindore dhe Juglindore pranë TI tha se raporti rendit problemet që lidhen me mosfunksionimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe vuri theksin tek nevoja për fuqizimin e shoqërisë civile në këtë drejtim.
“Studimi na tregon se ku janë boshllëqet, si një pikënisje për të parë se çfarë mund të bëjmë që të ndërmarrim veprime kundër korrupsionit”- tha ajo.
Po ashtu Prokic vuri theksin tek roli i parlamentit duke e cilësuar atë një “pikë e dobët” e mosfunksionimit të mekanizmave anti-korrupsion. “Parlamenti është dominuar nga dega e ekzekutivit dhe partia në pushtet që ka shumicën në Kuvend”- tha ajo duke shtuar se “mungesa e debatit çon në miratimin e ligjeve me hapësira që lejojnë korrupsionin.
Në raport vihet në dukje mungesa e ndarjes së pushtetit midis ekzekutivit dhe legjislativit, që karakterizohet nga prania e liderëve politikë të fortë për shkak të mungesës së proceseve të brendshme demokratike brenda partive politike.
Një prej autorëve të raportit, Daniel Prroni kërkues pranë IDM, renditi disa nga problematikat e vërejtura gjatë analizës që iu bë rolit të aktorëve të ndryshëm në luftën kundër korrupsionit.
“Ka një përqendrim të pushtetit nga dega e ekzekutivit, veçanërisht nëpërmjet kreut të qeverisë, çka përkthehet në ndikim të tij ndaj Kuvendit”- tha Prroni duke shtuar se dominimi i Kuvendit nga ekzekutivi duke ndikuar në rolin kontrollues parlamentar.
Raporti vëren se arkitektura ligjore dhe institucionale është përgjithësisht e kënaqshme, por shohim që institucioneve publike i mungojnë kapacitetet dhe burimet e mjaftueshme për të ndërmarrë rolin e tyre në sistemin anti-korrupsion.
Në formë përmbledhëse raporti njeh përpjekjet për forcim dhe konsolidim të institucioneve gjatë viteve të fundit, por këto përpjekje cenohen nga dobësimi i ndarjes së pushteteve dhe rritjes së ndikimit të ekzekutivit mbi degët e tjera të pushtetit.
Raporti vëren një stanjacion të rolit të shoqërisë civile dhe medias, të cilat përballen me sfida dhe presione nga ana e qeverisë.
“Aktivistët e shoqërisë civile ndeshen me kërcënime dhe ngacmime të vazhdueshme, me fushata shpifjeje nga mediat tradicionale, qeveria dhe partitë politike që diskreditojnë OSHC-të kritike ndaj qeverisë”- sugjeron raporti, ndërsa për vihet në dukje se gazetarët kane përjetuar sulme fizike, dhunë policore, sulme nga krimi i organizuar, që shpesh kalojnë pa u ndëshkuar.
Duke iu referuar gjetjeve, Prroni, tha se “problemet kryesore kanë të bëjnë me përqendrimin e pronësisë së mediave private të lidhura me partitë në pushtet ose elitat e sektorit privat”, gjë që ndikon në linjën editoriale të mediave.
Sipas raportit, problem mbetet fakti që organet e mbikëqyrjes së mediave cenohen nga emërimet me ndikim politik dhe transmetimi i materialeve të gatshme nga qeveria cenojnë integritetin dhe rolin publik të medias.