LAJMI I FUNDIT

Interi nuk prek asnjë “tullë” nga muri mbrojtës, trajneri Inzagi i beson sërish gardës së vjetër

14:56 - 26.04.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dyert e merkatos do të jenë të hapura deri në fund të gushtit, por Interi nuk ka asnjë qëllim për të prishur grupin kampion apo të bëjë revolucion. Madje, vendimi i fundit që ka marrë trajneri Simone Inzagi është për të shtyrë për në merkaton e ardhshme afrimin e një mbrojtësi që do të pasojë trashëgiminë e fanellës së titullarit nga Açerbi apo De Vraj. Në pritje të një takimi me administratorin e deleguar Bepe Marota dhe drejtorin sportiv Piero Auzilio, që është në program për disa javë, Simone Inzagi do të thotë versionin e tij se nuk dëshiron të privohet nga 2 veteranët.




ATO 40 DITË- Dyshimet e forta në fakt u ngritën për mbrojtësin Açerbi për hetimin e frazave raciste që pretendoi Huan Zhezus më 17 mars dhe mbi të gjitha, nga dëmtimi në pulpë që e kishte detyruar të qëndronte jashtë fushave të lojës për 1 muaj. U dëmtua në Romë, pikërisht në fitoren 4-2 të Interit, ku ai arriti edhe të shënonte gol. Ishte goli i dytë i sezonit pas atij kundër Bolonjës. Por të hënën erdhi goli i tretë, me shumë peshë sepse u shënua në derbin e titullit dhe me dëshirën e madhe që ai të ulëriste dhe të festonte në fytyrën e kuqezinjtë. Por një lojtar nuk mund të vlerësohet vetëm nga këto vepra. Inzagi do të vendoste dorën në zjarr për Açerbin, për dedikimin që ka dhe kapacitetin për të udhëhequr mbrojtjen. Trajneri këmbënguli në verën e vitit 2022, që klubi i Interit të përfitonte nga krisja që pati lojtari me Lacion dhe pasi e transferoi i dorëzoi çelësat e mbrojtjes, repart që është më i miri i Europës. Në dy sezonet me fanellën zikaltër, ish-mbrojtësi lacial ka futur në xhep sulmues shumë të fortë në Itali dhe në Europë, nga Haland te Zhiru, pa harruar Vlahoviçin e Osimhenin. Açerbi është konfirmuar një luftëtar në ajër, i zoti në leximin e aksioneve të kundërshtarit dhe në ndërtimin e lojës. Pa harruar që ai mund të luajë edhe si qendër e majtë në vend të Bastonit. Kështu që Interi nuk do të nxitohet, pavarësisht se mbrojtësi është 36-vjeç, por i aftë për të bërë diferencën. Ka një kontratë deri në fundin e vitit 2025 dhe më vonë do të shihet nëse rinovon edhe një vit apo jo.

DE VRAJ 2.0– Në të njëjtën kohë skadon edhe kontrata e Stefan De Vraj, por të njëjtin besim ka edhe për të trajneri Inzagi. Edhe ai është rikthyer të jetë në formë optimale, pasi 2 sezone më parë Zhiru e “përpiu” dhe e ardhmja e tij me fanellën zikaltër u vu në dyshim. Holandezi që në fundin e vitit 2023 mbeti pa kontratë, firmosi edhe për 2 vite. Është e vërtetë që sezoni i ardhshëm do të jetë masakrues për lojtarët me Europian, Kupë Amerike, Olimpiada, Champions të zgjedhuar, Botëror klubesh që do të zgjasë një muaj, por në mendjen e Inzagit dhe të njerëzve që kujdesen për merkaton e Interit dy lojtarët japin garanci fizike dhe për momentin prioriteti është i fokusuar në sulm. TË TJERËT- Ky besim i drejtuesve të Interit dhe trajnerit Inzagi buron edhe nga fakti që në mbrojtje kanë lojtarë që mund t’i mbulojnë ato role. Bastoni dhe Bisek mund të luajnë në qendër. Pa harruar që Marota dhe Auzilio janë mjeshtrit e parametrave zero dhe në rast se do të ketë një rast të mirë, sigurisht që mund ta rrëmbejnë. Mes emrave të përfolur është Mario Hermoso, i cili është në skadencë kontrate me Atletikon e Madridit, Nikolas Valentini që nuk do të rinovojë me Boka Xhuniosrin, etj. Bastoni ka rinovuar vitin e kaluar deri në 2028, por për moshën që ka dhe rritjen e vazhdueshme ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve angleze. Por Marota thotë se do të konfirmojë të gjithë grupin kampion edhe për sezonin e ardhshëm. Edhe Pavar është blinduar me kontratë të gjatë, ashtu si Bisek dhe Karlos Augusto. Muri nuk preket.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.