AKTUALITET

“Gazmend Bardhi la një derë hapur për bashkëpunim!”- BIRN: Opozita reagon e përçarë ndaj ftesës së Ramës për reforma në “interes të kombit”

21:54 - 08.05.24 Paula
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Disa nga udhëheqësit e opozitës hodhën poshtë të mërkurën ftesën e kryeministrit Edi Rama për të bashkëpunuar për një rezolutë dhe një komision të posaçëm parlamentar, mandati i të cilit do të jetë që të “luftojë korrupsionin”. Gjithsesi, Gazmend Bardhi, kreu i grupit më të madh parlamentar të opozitës, la një derë hapur për bashkëpunim.




Rama, i cili po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm me synimin për të fituar një mandat të katërt, gjë që do ta bëjë atë kryeministrin e dytë më jetëgjatë në historinë e vendit, përballet me një opozitë të përçarë, por edhe me një reputacion tejet të ulët të qeverisë së tij, të përfshirë në skandale të njëpasnjëshme korrupsioni.

Në një fjalim që zgjati më shumë se dy orë të martën, Rama tentoi të argumentojë se skandalet e korrupsionit nuk ishin përgjegjësi e tij, ndërsa u ankua për “përpjekje për të helmuar publikun”. Rama pretendoi se po linçohej në injorim të fakteve dhe hodhi poshtë si jopraktike sugjerimin që ai të marrë përgjegjësi politike mbi skandalet e shumta për korrupsion duke dhënë dorëheqjen, me pretendimin se Shqipëria nuk ka kapacitetin e nevojshëm administrativ për të mbijetuar pa qeveri, siç ndodh rëndom në Belgjikë.

Nga fundi i fjalimit 13 mijë fjalë të gjatë, Rama u kthye te biznesi i qeverisjes, duke shpallur një iniciativë për një rezolutë parlamentare, e cila bën thirrje për krijimin e një komisioni parlamentar me qëllim luftën kundër korrupsionit.

“Thirrja ime sot për të gjithë ata që janë kundër nesh është shumë e thjeshtë, […] le ta krijojmë një hapësirën […]një vend pune të përbashkët, [… për të] identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë,” deklaroi Rama.

Rezoluta, sakaq e përgatitur nga grupi i tij parlamentar, bën thirrje për krijimin e një komisioni parlamentar që duhet të punojë për të identifikuar nevojat për të luftuar korrupsionin. Një nga qëllimet e rezolutës dhe të komisionit të posaçëm është që të “forcojë” kapacitetet e kuvendit për të mbikëqyrur qeverinë dhe institucionet e pavarura me qëllim që të realizojë funksionon e vet kushtetues.

 

Gjithsesi, kritikët e shohin si një tentativë lehtësisht të maskuar dhe të përsëritur për të sulmuar Prokurorinë e Posaçme, e cila sakaq ka arrestuar disa dhjetëra zyrtarë nën akuza për korrupsion, hetimet e së cilës kanë njollosur më tej imazhin e qeverisë, e cila gjerësisht perceptohet si e prekur nga korrupsioni sistemik. Rama i mohon aludimet.

Enkelejd Alibeaj, një deputet nga Partia Demokratike zyrtare, njoftoi votën kundër për rezolutën. Ai e konsideroi absurd faktin që propozimi për të luftuar korrupsionion vjen “nga kryeministri më i korruptuar i qeverisë më të korruptuar”.

“Synimi është të ndërhyhet në Reformës në Drejtësi përmes parlamentit,” deklaroi Alibeaj.

Ilir Meta, një udhëheqës tjetër i opozitës, i tha gazetarëve gjithashtu se Rama nuk ka besueshmëri për reforma anti-korrupsion. “Nuk pret askush reforma nga Rama,” tha ai.

Gjithsesi, Gazmend Bardhi, kreu i Partisë Demokratike nga grupi i rithemelimit, grupi që kontrollon numrin më të madh të deputetëve të opozitës, la një derë hapur për kompromis.

Ndërsa kritikoi Ramën si njeri që “as nuk dëshiron dhe as nuk arrin do të ndërtojë një shtet evropian dhe demokratik,” Bardhi shtoi se ai “do të ketë kontributin tonë”, në kuadër të thirrjes për të bashkëpunuar për integrimin evropian të vendit. Pyetur në mënyrë të përsëritur nga gazetarët se për çfarë konkretisht ai do të kontribuonte, Bardhi refuzoi të japë detaje.

Grupi i tij parlamentar është pjesë e një kompromisi tjetër me maxhorancën qeverisëse, që solli si rezultat rikthimin e opozitës në Kuvend dhe ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Kompromisi pati gjithashtu si produkt edhe lirimin apo shkurtimin e dënimit për rreth 100 subjekte të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, përfshirë shkurtimin e dënimit për një ish-kryetar bashkie. Kompromisi për amnistinë u pa nga shumë vëzhgues si një instrument që dërgon mesazhin e gabuar në luftën kundër korrupsionit.

Gjithsesi, ambasada e SHBA-së në Tiranë iu përgjigj kërkesave mediatike për koment duke e cilësuar iniciativën e Ramës si “premtuese”.

“…Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme […] dhe që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe në bashkësinë euro-atlantike,” bëri të ditur ambasada.

Rama po përgatitet për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm, në të cilën do të kërkojë mandatin e katërt radhazi si kryeministër, duke u përpjekur në këtë mënyrë të bëhet kryeministri më i gjatë në historinë e vendit pas Mehmet Shehut, i cili qeverisi për 27 vite gjatë kohës së komunizmit.

Iniciativa për një komision parlamentar reformash të kësaj natyre nuk është e para. Në vitin 2022, një grup ekspertësh pranë socialistëve propozuan ndryshime në shumicën e ligjeve që qeverisin sistemin e drejtësisë dhe parashikuan edhe një “njësi konsulence ligjore” pranë SPAK, në të cilën do të mund të punonin edhe ekspertë jomagjistratë. Iniciativa u vra në vitin 2023 nga një koment negativ nga ekspertët ndërkombëtarë, të cilët e cilësuan si “kthesë e gabuar” në reformën në drejtësi.

Ndërsa në vitin 2020, partnerët perëndimorë të Shqipërisë paralajmëruan për rrezikun e një “kompromisi pas dyerve të mbyllura”, me synimin “për të vrarë reformën në drejtësi”./BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.