Ish-Kryeministri, Sali Berisha ka reaguar pas njohjes së OKB-së për gjenocidin serb në Srebrenicë, duke hedhur akuza mbi Kryeministrin Rama dhe deputetët socialistë se kanë kundërshtuar rezolutën në Parlamentin Shqiptar, e duke i cilësuar si tradhtarë.
Fillimisht e cilësoi 11 korrikun si ditë të shënuar, kur nderohen dhe kujtohen viktimat e pafajshëm të gjenocidit serb.
Sipas kreut të opozitës, qeveria kundërshtoi rezolutën në Parlamentin shqiptar, ndërsa në Asamblenë e OKB-së u detyrua të votojë ndryshe.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të dinjitetit, të lirisë, ju përshëndes përzemërsisht për qëndresën tuaj.
Përshëndes nga zemra oratorët e kësaj platforme të fjalës së lirë, për të vërteta që u përcjellin shqiptarëve.
Të dashur miq, sot për popujt e Ballkanit por dhe mbarë njerëzimin, është një ditë e shënuar.
OKB vendosi të shpallë 11 korrikun ditën e kujtimit të genocidit serb në Srebrenicë.
Me këtë akt, bota e qytetëruar nderon, kujton viktimat e pafajshme të barbarisë serbe në Bosnje.
Me këtë akt, shteti genocidal që ka kryer në trevat e Ballkanit genocidet ciklike, veçanërisht mbi shqiptarët, merr damkën për barbarinë e saj.
Miqtë e mi, jeni dëshmitarë se si Edi Rama dhe deputetët e tij kundërshtuan rezolutën e denoncimit serb në Srebrenicë në parlamentin shqiptar.
Mos harroni kurrë kartonat e tyre të kuq.
Ato kartona të kuq janë dhe do mbeten përjetë të stamposur në muret e parlamentit si dëshmia e amoralitetit dhe shpirtit të zi të tyre.
Mos harroni kurrë atë ditë!
Se sot nën diktatin ndërkombëtar u detyrua të votojë ndryshe, por në parlament votoi kundër dënimit të gjenocidit serb në Srebrenicë, sepse urdhri ishte i prerë nga padroni i tij, Vuçiç.
Po kështu, dy vite me radhë, tradhtari, Pashiqi i shqiptarëve bllokoi rezolutën për denoncimin e genocidit serb në Kosovë.
Dhe pastaj me pafytyrësi, vetëm 5 ditë më parë u thoshte shqiptarëve në Kosovë se edhe më quani tradhtar.
Po jo tradhtar, po historia nuk ka njohur kurrë tradhtar si ti.