Kryesore

Pikantet e Itali-Shqipëri/ “Deti” kuqezi në Dortmund, si tifozët shqiptarë pushtuan edhe sektorin italian

20:49 - 17.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Signal Iduna Park” në Dortmund u vesh kuqezi. Rreth 50 mijë tifozë shqiptarë ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur Kombëtaren në ndeshjen e parë të Europianit kundër Italisë.




E veçanta ishte se edhe në sektorin e italianëve, gjysma e kapacitetit ishte me tifozë shqiptarë. Natyrisht që këtu ka një kleçkë dhe “Panorama Sport” zbulon se pothuajse të gjithë ishin emigrantë shqiptarë që jetojnë në Itali. Duke disponuar një dokument të këtij shteti, ata kishin siguruar një biletë për në stadium, por vetëm në momentin e fillimit të ndeshjes, u shfaqën me flamujt kuqezi. Mbi një mijë tifozë prisnin jashtë stadiumit, ndërsa 10 mijë të tjerë ishin vendosur në “Fan Zonat” e qytetit të Dortmundit, që ishin enkas për ata tifozë shqiptarë dhe italianë, që nuk kishin mundësi të shkonin në stadium. Gazeta ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes Itali-Shqipëri.

* Të zhurmshëm që në minutat e para tifozët shqiptarë. Kjo detyron forcat e sigurisë që të afrohen në numër të madh dhe të ndërhyjnë.

* “Nga Parisi në Berlin”. Kjo ishte pankarta që tifozët shpalosën në stadium. Një mbishkrim për Europianin Francë 2016 dhe atë aktual: Gjermani 2024.

* Nuk përmbahen tifozët kuqezi në momentin e golit nga Nedim Bajrami që në sekondat e para, aq sa shumica nuk e kuptuan dhe kaluan në një festë të shfrenuar, duke hedhur ujë dhe birra në ajër. Në një sektor, kur birra u derdh lumë, nuk shpëtoi pa u lagur as deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

* Gjatë dëmtimit të Kiezës, Silvinjo gjen kohën dhe i jep udhëzime Bajramit dhe Asllanit. Më pas vijnë edhe Ramadani e Broja.

* Kur Rei Manaj hyn në fushë, pasi zë vendin e Brojës, i jep dorën Bastonit, mbrojtësit të Italisë, teksa të dy kanë qenë bashkë te grupmoshat e Interit disa vite më parë.

* Në minutën e 90-të, Shqipëria ka një rast të artë me Manaj, që shpëtohet nga Donaruma. Në ato momente Spaleti del nga vetja dhe bërtet me të madhe kundër lojtarëve të tij. Po ashtu edhe stafi ka pakënaqësi, ndërsa Kieza bën disa gjeste me duar. Ky i fundit u shpall lojtari i ndeshjes, ndërsa i bëri përshtypje fakti që në stadium ishte pjesa më e madhe me shqiptarë.

* Arbër Hoxha u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 74-t për një ndërhyrje të gabuar ndaj Fratezit, i cili mbeti i shtrirë në tokë. Pranë tij për ta ngritur, shkoi edhe shoku i skuadrës tek Interi, Asllani. Mesfushori i kërkon Fratezit që të ngrihet dhe vazhdojë lojën, ndërkohë që përpiqet të shmang edhe debatin verbal mes italianit dhe Hoxhës. Më pas nuk mungoi as buzëqeshja mes dy interistëve.

* Një moment epik u regjistrua në minutat shtesë, teksa një tifoz kuqezi u fut në fushë, duke bërë që ndeshja të ndërpritej. Ai u fut drejt mesit të fushës, duke mos u kapur dot nga stjuartët. Ky moment shkaktoi të qeshura tek të pranishmit, ndërkohë që tifozi shqiptar për një moment rrëshqiti dhe më pas u neutralizua nga forcat e sigurisë.

* Edhe pse ndeshja u humb 1-2, sërish pati nota optimizmi në kampin kuqezi, ku pas takimit të gjithë lojtarët u panë të shkonin tek tifozët e tyre dhe te festonin duke kërcyer: “O sa mirë me qenë shqiptar”. Ndërkohë lojtarët morën edhe duartrokitjet e tifozëve.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.