BOTA

Putin do të shkojë Korenë e Veriut pas 24 vjetësh, me ftesë të Kim Jong Un! Vizita vjen teksa Moska rrit partneritetin me shtetin që ka armë bërthamore

16:48 - 17.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti rus, Vladimir Putin do ta vizitojë Korenë e Veriut këtë javë, për herë të parë që 24 vjet.




 

Një udhëtim i tillë i rrallë do të zhvillohet teksa Moska rrit partneritetin me këtë shtet që ka armë bërthamore.

Lideri verikorean, Kim Jong Un i pati bërë ftesë Putinit për vizitë, gjatë udhëtimit që ai e ka pasur në Lindje të Largët të Rusisë, në shtator të vitit të kaluar.

Putin e ka vizituar Phenianin për herë të fundit në korrik të vitit 2000.

Kremlini ka thënë se Putin do të jetë në Korenë e Veriut më 18-19 qershor.

Mediumi shtetëror verikorean e ka konfirmuar vizitën, por pa dhënë më shumë hollësi.

Kremlini ka thënë se pas Koresë së Veriut, Putin më pas do të vizitojë edhe Vietnamin.

Rusia ka nisur të forcojë lidhjet me Korenë e Veriut, prej kur e ka nisur luftën në Ukrainë, çka ka alarmuar Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende në Evropë dhe Azi.

Uashingtoni ka thënë se Koreja e Veriut i ka dhënë Rusisë armë teksa lufton në Ukrainë, ndonëse Pheniani ka hedhur poshtë këto akuza.

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kanë gjetur që të paktën një raketë balistike e nisur prej Rusisë në Ukrainë, në janar të këtij viti, është krijuar prej Koresë së Veriut.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se verikoreanët ia kanë dhënë Rusisë 50 raketa të tilla.

Kombet e Bashkuara kanë vënë sanksione të ashpra ndaj Phenianit prej kryerjes së testimit të parë bërthamor, më 2006, mirëpo ekspertët besojnë se ky shtet ka vazhduar të zhvillojë armë bërthamore dhe të prodhojë material bërthamor./rel


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.