OPINION

Lufta dhe paqja, si ta lexojmë krizën rajonale në këtë pjesë të Europës?

10:43 - 22.06.24 ALBERT PRENKAJ 
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA ALBERT PRENKAJ Albert-Prenkaj1




Leximi i një krize rajonale, ndërveprimet në mes vendeve të kësaj pjese të Europës, medoemos duhet të analizohet nga prizmi kompleks i relacioneve në arenën ndërkombëtare. Sipas Henry Kissinger, dalja në pah e Kinës po shkakton sfidë strukturale të shekullit 21. Paraqitja e multipolaritetit në botë pa mëdyshje po reflektohet edhe te ne.

A po ndodhë ndryshimi i konfigurimit të fuqive dhe a është paraqitur nevoja për modifikimin e modeleve konvencionale? Cila janë strategjitë, gjeopolitikat dhe gjeoekonomitë divergjente? Derisa Kina është e determinuar të shtroj dominimin e saj fillimisht në Azi që sipas historianit Wang Gunëu e ka përshkruar këtë rend si: “Parimi i superioritetit duke e nënvizuar traditën e gjatë të trajtimit të vendeve të huaja si të pabarabartë dhe inferiore karshi Kinës”.

“Në tërësinë e nënqiellit, Kina është qendra e pjesës së civilizuar” është një koncept tradicional i perceptimit nga këndvështrimi kinez. Bazuar në këtë koncept, Kina ka rritur apetitet e saja strategjike duke u zgjeruar në Detin Kinez, si dhe haptas ka shtuar trysninë mbi Tajvanin të cilin e konsideron si pjesë të saj, që e planifikon ta absorbojë me dialog pa hequr dorë nga mjetet e dhunës. Vizita e fundit e Sekretarit të Shtetit Blinken në Kinë, ku takoi Presidentin Xi Jinping ishte përpjekje për të vendosur një normalizim eventual. Edhe përkundër mungesës së ndonjë rezultati, Blinken dhe Xi Jinping ishin dakorduar që të ketë komunikim në segmentin ushtarak.

Megjithatë, nuk u arrit ajo që në histori njihet si Detant (fr: Détente) në vitet 1969-1972, kur Presidenti i SHBA-ve, Nixon vizitoi Kinën në vitin 1972, që i dha fund izolimit njëzet e pesë viteve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Popullore të Kinës, e që rezultoi në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në 1979. Megjithatë, vizita e Sekretarit Blinken në Kinë la një mundësi komunikimi në mes dy vendeve. Në ndërkohë një luftë e re në Lindjen e Afërt që shpërtheu me ndërhyrje të dhunshme terroriste të Hamasit në Gaza, përplasë jo vetëm Izraelin me Hamasin, por siç u pa, Irani ndërmori sulm ushtarak masiv mbi Izraelin dhe vazhdon të nxisë Hutit në ndërmarrje ushtarake të Detin e Kuq. Është kjo një vatër e re që vazhdon të përplasë gjeopolitika divergjente: SHBA, NATO në njërën anë dhe Rusi, Kinë, Iran, në anën tjetër.

Në erën e kalibrimeve dhe pozicionimeve gjeopolitike, Rusia si fuqi rajonale me ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë po kërkon të mbetet hisedare në balancin e forcave drejt vendosjes së rendit të ri botërorë, nëse jo më shumë atëherë rreth belit të vet, pra në hapësirat ish-sovjetike, por edhe në ato gjeografi në të cilat ka identifikuar proxit e saj. Kur bëhet fjalë për Bririn JugLindor të Evropës, tekstet universitare të Moskës mbi gjeopolitikën potencojnë: “Nga këndvështrimi gjeopolitik është më e arsyeshme të përkrahet Serbia sepse kjo siguron prezencën (ruse) në Ballkan dhe rolin thelbësorë të Rusisë atje. Serbia e fortë vepron si kundërbalancë e influencës në rritje të Turqisë në Detin e Zi, në Bullgari dhe në Ballkan”.

Aktivitetet e Rusisë karshi Serbisë dhe minoritetit serb në shtetet fqinje: Mal i Zi, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut është pjesë e një plani më të gjerë që ka për qellim stagnimin e integrimit të shteteve të Gadishullit për integrim në strukturat Euro-Atlantike. Si zgjidhje përfundimtare, bazuar në përvojat e saj me republikat dhe territoret në kuadër të Federatës ruse, zgjidhjet e planifikuara në këtë pjesë të Evropës janë të tipit etno-nacional. Pra, revidimi i hartës politike ekzistuese, të shteteve të dala nga shkapërderdhja e dhunshme e RSFJ-së.

Me leximin gjeopolitikave inverze me atë Euro-Atlantike, sipas një analize të Christian Schwarz-Schilling, një politikë zyrtare e SHBA-së është kthyer tek etno-nacionalizmi, frymë e cila po ngjallë zjarret në të gjitha taboret. Ajo që na lejon të analizojmë është se SHBA, ashtu dhe BE kanë kaluar në këtë terren për të mos lejuar Rusinë të implementojë strategjinë e saj të revidimit të hartës politike mbi baza etnike. Në analizën e Christian Schwarz-Schilling ngrihen dyshimet e lejimit të hegjemonisë së një politike etno-nacionale karshi këtij rajoni të Evropës, në mënyrë që të etablohen marrëdhënie të reja me ç’rast do të sakrifikoheshin shtetet si: Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Mendoj se me qëllim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë solide në këtë pjesë të Evropës, për ta pamundësuar strategjinë ruse, absorbimi i strategjisë në baza etno-nacionale nën mbikëqyrjen Euro-Atlantike nuk do të ndërhyhet në hartën politike të kësaj pjese të Europës, por do të shtohen përpjekjet që në këtë kuadër të paketohen në mënyrë sa më solide kërkesat politike etno-nacionale, me fokus të veçantë tek elementi serb në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe në Mal të Zi, e tash me ardhjen në pushtet të VMRO-së në koalicion me VLEN, edhe në Maqedoninë e Veriut. Kriza rajonale mund të shkaktohet me konfliktin në mes dy vendeve, pjesë të rajonit. Përpos Bosnjës dhe Hercegovinës ku lideri i entitetit serb atje, Milorad Dodik si proxi i President Putin dhe i atij të Serbisë, Vuçiç po kërcënon me shprishje të Bosnjës dhe Hercegovinës, mesazhet luftënxitëse në mes Presidentit të Serbisë, Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Kurti dinamizojnë përpjekjet diplomatike të kancelarive me ndikim për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e brishtë. Involvimet etnonacionale pa dyshim mund të eskalojnë në një konflikt përmasash rajonale.

Këtij rajoni të Evropës i takojnë po ashtu vende të NATO-s dhe BE-së si Greqia dhe Rumania, të cilat e kanë të vështirë të kuptojnë rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës, që sipas bindjes sime, do të ishte kontribut tejet i rëndësishëm në qartësimin e pozicionit, ruajtjen e paqes së qëndrueshme dhe përshpejtimit të përmbylljes së një cikli të integrimit të rajonit në NATO dhe BE. Në këtë mes përpjekjet diplomatike të Shqipërisë për të krijuar kushte për një paqe të qëndrueshme në rajon mund të lexohen në disa dimensione. Duke qenë anëtare jo permanente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përpjekjet për të luajtur rol konstruktiv sa herë që ngrehet tema e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu, në nismat rajonale ku merr pjesë edhe Shqipëria së bashku me Kosovën dhe Serbinë, roli i Shqipërisë është në frymë bashkëpunimi, duke ruajtur një balance të pranueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Mu ashtu siç bëjnë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, e kohë pas kohe dhe Greqia, gjë që nuk mund të thuhet gjithëherë për Rumaninë, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë. Përpjekjet e Shqipërisë për të qenë koherente me politikat e kancelarive të rëndësishme, me BE dhe me NATO kundrohen si konstruktive dhe janë në përpjesëtim të zhdrejtë me perceptimet e politikave nacionaliste që po vlojnë në Rajon, por edhe në Evropën e pas zgjedhjeve të qershorit 2024.

Në ndërkohë, për të treguar vullnetin e mirë për ruajtjen e paqes së qëndrueshme dhe për të dhënë shtytje procesit të integrimit në BE, vendet që u grupuan nën ombrellën “Miqtë e Ballkanit Perëndimorë”: Austria, Kroacia, Çekia, Greqia, Italia, Sllovenia, Sllovakia, të cilat në 14 pikëshin e tyre marrin përgjegjësinë për të bashkëpunuar në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo nismë disi ra nën hije të nismave të tjera dhe ngjarjeve në terren, tërheqjeve të litari nga palët negociuese KosovëSerbi. Kohë më parë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Det Layen nxori një “Growth Plan” (Plan Zhvillimorë) prej 6 miliardë euro të dedikuar për projekte për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimorë.

Ky është një plan i tipit të Planit Marshall (që u ofrua nga SHBA për Evropën liberale, pas Luftës së 2 Botërore. Një skenarë që rrezikon sigurinë dhe paqen e qëndrueshme pa dyshim kërkon xixa stralli nga të palët, lider që për të qëndruar në pushtet dalin me ide e veprime nxitëse për eskalim, me një memecëri dhe inskenime rastesh, ndaj de-eskalimit në emër të të drejtave të njeriut në njërën anë dhe në anën tjetër në emër të drejtësisë, rendit dhe ligjit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.