LIFE STYLE

Paracetamoli vdekjeprurës, Kontrolli i Barnave zbardh të vërtetën

11:10 - 12.01.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në internet po qarkullojnë thashetheme se konsumimi i paracetamolit me mbishkrimin P/500 në paketim, mund të jetë fatal për jetën e njeriut. Ky lajmërim sa vjen e po bëhet më viral në Shqipëri, duke shkaktuar panik në radhët e qytetarëve, pasi sipas njoftimit ky lloj medikamenti përmban virusin “Machupo”, me një shkallë të lartë vdekshmërie.




Në një prononcim ekskluziv për “Gazeta Shqiptare”, një nga përfaqësueset e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore qetëson opinionin publik duke theksuar se paracetamoli P/500 nuk është i regjistruar dhe nuk qarkullon brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

“Ky lajmërim që po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale e po bëhet viral çdo ditë e më shumë është vetëm një “fake news” apo lajm i rremë, si shumë lajmërime të tjera.

Dua të qetësoj opinionin publik se ky lloj medikamenti nuk qarkullon në farmacitë shqiptare dhe se nuk përbën asnjë rrezik për jetët e njerëzve”,-thekson përfaqësuesja e Agjencisë Kombëtare të Barnave. Ndërkaq, të pyetur nga “GSH” disa prej farmacistëve në kryeqytet mohojnë faktin e regjistrimit apo tregtimit të këtij lloj paracetamoli.

Më tej mjekët thonë se sipas studimeve, nuk ekziston mundësia që virusi të jetojë në një ambient të thatë. “Paracetamoli është acetominofen dhe nuk ka pse të ketë virus brenda pasi është komplet inorganik. Virusi nuk mund të jetojë në kushte jo të përshtatshme. E gjithë kjo nuk ka kuptim, e bëhet vetëm për të hapur panik”,-tregon një nga mjeket e pyetur nga “Gazeta Shqiptare”.


Lajmërimi
Në rrjetet sociale po përhapet me shpejtësi lajmërimi se paracetamoli P/500 mbart virusin “Machupo” tejet të rrezikshëm për jetën. “Kini kujdes të mos merrni paracetamol që vjen me shkrim P/500. Është një paracetamol i ri, shumë i bardhë dhe me shkëlqim. Mjekët këshillojnë që ajo të përmbajë virusin “Machupo”, që konsiderohet si një nga viruset më të rrezikshme në botë me një vdekshmëri të lartë”,-thuhet në lajmërim.

Ky i fundit, edhe pse nuk arrin të vërtetohet me prova të besueshme, po përhap frikë te qytetarët që vazhdojnë të shpërndajnë virtualisht njoftimin. Ndërkaq, vetë virusi Machupo është i njohur si një lloj virusi që përhapet nëpërmjet ajrit, ushqimit ose kontaktit të drejtpërdrejtë.

Gjithashtu, mund të transmetohet edhe nga pështyma, urina ose feçeja e brejtësve të infektuar. Por ky njoftim është shfaqur edhe në Kosovë këto ditët e fundit, dhe në Malajzi rreth një vit më parë, por është hedhur poshtë si i rremë nga instancat përkatëse. Në fillim të 2017-ës, homologu i Indonezisë për Ushqimin dhe Barnat bëri me dije se e gjitha kjo është vetëm një mashtrim.

Deri më tani, nuk ka pasur një raport të besueshëm që mbështet pretendimin e pranisë së virusit “Machupo” në medikamentin e paracetamolit apo edhe në barna të tjera. Më 8 shkurt 2017, zyrtarët e shëndetit publik në Malajzi, gjithashtu, përgënjeshtruan thashethemet, duke përsëritur se viruset zakonisht nuk mund të mbijetojnë në pilula.

Mesa duket, situata e panikut po përsëritet sërish këtë herë në vendin tonë, ku Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore rrëzon çdo pretendim të njoftimeve virale dhe qetëson në këtë mënyrë opinionin publik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.