Një prej të kërkuarve për tjetërsimin e pronave në Lezhë është arrestuar nga policia.
Në pranga ka përfunduar Lekë Frroku, i cili është arrestuar në Rinas. Ai po lëvizte me një automjet tip ML, por nuk bëhet i qartë destinacioni final i tij.
Prokuroria ka vënë nën akuzë dhjetëra zyrtarë të Bashkisë së Lezhës për tjetërsimin e pronave në zonë e “Ranës së Hedhun”, një zonë shumë pak e shfrytëzuar.
Ish-zyrtarët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me detyrën dhe kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin.Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore.
Njoftimi i policisë
Në vijim të Operacionit “Ranishtja 4” , ku u arrestuan 12 shtetas dhe u shpallen në kërkim 11 shtetas të tjerë, kapet dhe ndalohet një prej të shpallurve në kërkim.
Më datë 21.03.2017, rreth orës 17:00, nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar në D.V.P. Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale në Policinë e Shtetit si dhe me Sektorin për hetimin e korrupsionit në Departamentin e Policisë Kriminale është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit :
-Lek Frroku, 47 vjeç, banues në Mamurras.
Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me Vendim Nr.86, datë 15.03.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”, për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”.
Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim .