Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku për shkak të dhunës sistematike nga bashkëshorti, një 39-vjeçare, së bashku me tre fëmijët e saj është vetëflijuar duke u hedhur në lumin Buna.
Gjithashtu u ka bërë apel grave që janë viktima të dhunës, të denoncojë çdo formë dhune.
Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, na ka tronditur të gjithëve. Njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna. Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.
NGJARJA:
Dy ditë më parë, 31-vjeçari Ergys Arrazi ka bërë denoncimin në polici se gruaja tij, Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët, 9,8 dhe 3 vjeç janë zhdukur, por në të vërtetë pas kësaj zhdukje qëndronte dora e një babai dhunues, që ka detyruar nënën bashkë me tre të miturit të ndërmarrë aktin ekstrem.
Mbrëmjen e djeshme, një peshkatar i zonës ka gjetur të pajetë në ujërat e lumit Buna, vajzën 9 vjeçe. Por deri tani (5 maj, ora 19:20) nuk dihet ende fati i nënës, Almës 39 vjeçe se bashku me dy fëmijët e tjerë, 8 dhe 3 vjeç
ARRESTIMI I 31-VJEÇARIT
Dëshmia e motrës së Almës, e cila ka deklaruar në polici se motra e saj dhunohej barbarisht dhe në mënyrë sistematike, por edhe dhuna në trupin e vajzës, kanë bindur policinë që të arrestojnë babain Erdgys Arrizi.
Pista kryesore që po heton policia është dhuna në familje e shkaktuar nga bashkëshorti 31-vjeçar, i cili është arrestuar në Shkodër pas deklaratave kontradiktore që ka dhënë në polici.
31 vjeçari, i cili më parë ka qenë i dënuar për kultivim të bimëve narkotike, akuzohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
DËSHMIA E MOTRËS SË 39-VJEÇARES
Motra e Alma Arrazit, pas njoftimit se ajo dhe 3 fëmijët janë zhdukur ka shkuar në policinë e Shkodrës dhe ka treguar se Alma dhunohej barbarisht nga bashkëshorti bashkë me fëmijët.
Dëshmia e saj por dhe shenjat e dhunës në trupin e vogëlushes që u gjet e mbytur i krijuan bindjen policisë për ta vene në pranga Erdgys Arrazi për veprën penale të Shkaktimit të vetëvrasjes.
KËRKIMI I TRUPAVE TË ALMES DHE DY FËMIJËVE TË TJERË
Ndërkohë prej ditës së djeshme vazhdojnë kërkimet për gjetjen e Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj 8 dhe 3 vjeç, të cilët dyshohet se janë vetëmbytur në ujërat e lumit Buna. Palombarët janë duke kërkuar në zona të ndryshme të rrjedhës së lumit.