Kryesore

Ilir Meta: Të garantojmë opozitën, i gatshëm të takohem me Lulzim Bashën

21:26 - 06.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ilir Meta ka përsëritur edhe njëherë sonte thirrjen për dialog mes palëve. Përballë gazetarit Dritan Hila, kreu i LSI-së ka deklaruar se është i gatshëm të takohet edhe me liderin e opozitës. Kryeparlamentari ka thënë se qëndrimi i LSI-së për dialog, ka si qëllim kthimin e opozitës në parlament, si dhe votimin e reformave.  Qëndrimi i partisë që ai drejton, është për të garantuar opozitën.

“Kemi ndjekur me shqetësim këtë klimë të vështirë politike në vend, e cila nuk është se ka filluar me çadrën, por ka qenë vazhdimisht. Është bërë pak më problematike pas vendosjes së çadrës, në një vend shumë simbolik, mes qeverisë dhe parlamentit, poshtë zyrës së kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit.

Për të gjithë ata që janë habitur me qëndrimin e LSI kujtoj se qëndrimi im ka qenë për dialog, me qëllim rikthimin e opozitës në Parlament, me qëllim vazhdimin e reformave, sidomos asaj të drejtësisë dhe zgjedhore që është kusht për zgjedhjet e ardhshme dhe për të arritur një mirëkuptim që jep garanci që opozita të marrë pjesë në këto procese që janë vendimtare për integrimin europian të vendit dhe qëndrimi i LSI dhe i imi ka qenë për dialog për të krijuar kushtet e një mirkuptimi, mirëbesimi që çonte në një dialog real dhe jo fals, sepse kemi të bëjmë me çështje që i takojnë shqiptarëve.

Zgjedhjet nuk janë pronë e partive, por e çdo qytetari shqiptar që ka mundësinë që një herë në 4 vjet të vendosë për të ardhmen e tij. Mazhoranca jo vetëm që ka përgjegjësinë e zgjedhjeve, por nuk ka arsye për të pasur shqetësim për krimin, duke qenë se kjo është një mazhorancë mjaft e gjerë e cila është mjaft e qetë për një rezultat bindës, ndërkohë që opozita nuk ka cfarë të humbase dhe duhet pasur kujdes me dikë që nuk ka cfarë të humbase sepse nga injorimi mund të bëjë veprime që mund të dëmtojnë të tërë. Është përgjegjësi e mazhorancës që të tregojë gatishmëri për zgjedhje të lira dhe legjitimitetin e pushtetit të saj në të ardhmen.

Qëndrimi i ynë ka ardhur në një moment kur duhet dhënë koha të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje përpara se të skadojnë afatet sepse edhe LSI duhet të mbajë një qëndrim. Sot kam pasur një takim me Nikoll Lesin, unë jam i hapur të takohem me Bashën në çdo moment, unë nuk kam hyrë as si garant asgjë. Unë kam bërë një qëndrim. Pra mos harrojmë që qëndrimi ka qenë në 3 prill. Qëndrimi im ka qenë ky, duhet dialog duhet të garantojmë opozitën, sepse përndryshe vëmë në dyshim institucionet, vëmë në pikëpyetje reformat e tjera. Kjo nuk ka qenë surprise”, ka deklaruar Meta.

“Unë dua t’ju them se pavarësisht nga ekzagjerimet e opozitës dhe mund të jetë e vërtetë që përfaqësues të mazhorancës janë habitur nga qëndrimi, por në çdo rast unë mendoj se edhe opozita nuk ka qenë e përgatitur sepse nuk kemi një përgjigje të qartë për çështjen e dialogut. Shpresoj që sa më shpejt të ketë një strukturë të këtij dialogu. Qeveri besimi nuk do të thotë që të ikë kjo qeveri dhe të vijë një tjetër. Nëse kjo qeveri jep garanci për opozitën, kjo është një çështje”.

Sipas Metës qeveri besimi nuk do të thotë që të ndryshohet kryeministri. Shqetësimi i kreut të Kuvendit është retorika e përdorur. Më tej Ilir Meta është shprehur se zgjedhjet e 18 qershorit duhet të shpëtohen. Por më shumë sesa data, për Metën e rëndësishme është opozita.  “Shqetësimi im ka qenë se retorika nuk ka qenë ndihmuese. Secili ka mbajtur qëndrimin e vet. Pra diçka që nuk sjell pikë takimi, por vret kohën drejt një konflikti apo drejt një krizë dhe në këtë drejtim ne duhet të kemi këtë dialog.

Ajo që është e vërtetë është se opozita e ka pasur të panegociueshme votimin elektronik, sepse i donte si garanci që këto çështje të merrnin një zgjidhje dhe i është premtuar nga ana ime, por edhe nga faktori ndërkombëtar i është thënë që do ti shohim të gjitha, por të shohim këto çështje të tjera. Tani më e rëndësishmja është të shpëtojmë zgjedhjet. Duhet të bëhen përpjekjet që zgjedhjet të bëhen në 18 qershor. Më tepër sesa data të jenë të gjithë pranuara dhe me opozitën. Për këtë duhet një marrëveshje dhe ta mbyllim historinë 27-vjeçare”, ka deklaruar Meta.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.