Dy vëllezërit e Agim Dakës, të cilët u morën në pyetje për vrasjen e ish-kryepolicit, Artan Cuku janë lënë të lirë sot pas 24 orësh.
Ata ishin shoqëruar që prej ditës së shtunë, që kur ndodhi edhe ngjarja. Kjo nisur nga fakti pasi dyshimi i kryesor i policisë ishte pikërisht ajo e hakmarrjes.
DËSHMIA
Vëllezërit e viktimës, një prej tyre i liruar prej 1 viti nga burgu kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen duke pretenduar se çështjen e vëllait e kanë sqaruar vite më parë.
“Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen. Me komisarin e kemi mbyllur këtë punë që kur vdiq vëllai”, – kanë deklaruar ata, raporton “BalkanWeb”. Përveç kësaj, të dy vëllezërit kanë pasur alibi pasi në kohën e ekzekutimit të Cukut ndodheshin në Shkodër.
Ata janë mbajtur për 24 orë në Policinë e Tiranës e më pas janë lënë të lirë.
Artan Cuku ka pasur disa detyra të larta në Policinë e Shtetit deri në vitin 2013 kur u nxor në lirim. Kohët e fundit ai drejtonte një polici private. Policia po heton në disa pista për zbardhjen e vrasjes.
Kush ishte Agim Daka, që vrau veten me armën e komisar Artan Cukut
Një ngjarje e ndodhur në vitin 2005 ka qenë momenti më i rëndë i Artan Cukut në Policinë e shtetit, ku në mars të atij viti shtetasi Agim Daka, 25 vjeç, nga Shkodra, vrau veten me armën e Cukut.
Asokohe ngjarja ndodhi brenda në zyrat e Policisë së Shtetit në Tiranë, ku viktima u shoqërua, pasi ngjante shumë me të vëllanë, Bujar Daka, i cili ishte arratisur nga Policia e Shkodrës.
Teksa po merrej në pyetje në zyrën e shefit të Krimeve të Komisariatit numër 4, për vendndodhjen e vëllait të tij, Agim Daka arriti t’i merrte armën Cukut dhe të vetëvritej.
Kjo ngjarje ishte një incident i rëndë për Artan Cukun, i cili u pezullua nga detyra për disa javë, derisa hetimi e nxori të pastër nga kjo ngjarje.
Mirëpo, pavarësisht vendimit të organeve drejtuese të Policisë dhe asaj çka vendosi prokuroria, familjarët e Agim Dakës bënë akuza edhe publike ndaj Policisë, edhe ndaj Artan Cukut.
Ndërkohë, në mesin e shkurtit 2005, gruaja e Agim Dakës ishte gjetur pa jetë dhe nga hetimet doli se kishte humbur jetën nga helmimi.
Deklarata e Cukut për ngjarjen
Artan Cuku i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zyrën e tij me 25-vjeçarin nga Shkodra, në atë kohë ka thënë se viktima qëndroi vetëm 5 minuta në zyrën e tij.
Cuku ka shpjeguar se as vetë nuk e kishte kuptuar se si i ndaluari kishte marrë armën e tij dhe kishte qëlluar veten në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në dëshminë e tij, Artan Cuku ka pohuar se i ndaluari ia mori armën në një moment kur ai kishte hequr xhaketën në zyrë, por të afërmit e 25-vjeçarit akuzuan se Agim Daka ishte dhunuar fizikisht e psikologjikisht, për të treguar informacione në lidhje me vendndodhjen e vëllait të tij.