Bashkia e Tiranës prej kohësh po eksperimenton me ato që në zhargon quhen “vijat e bardha”. Në rrugët e kryeqytetit po shtohen format dhe ngjyrat e çuditshme që kanë marrë vijat e ndërprera, që sipas Kodit Rrugor i japin përparësi kalimtarëve përkundrejt makinave.
Foto më lart është bërë në një nga rrugët e Tiranës. Ngjyra e bardhë është zëvëndësuar me ngjyrën e Rilindjes. Përpjekja e Erion Veliajt ngjan si një kopje në miniaturë e projektit të Edi Ramës për të vizatuar qindra pallate në Tiranë me ngjyra, piktura apo shkrime të ndryshme.
Por kur bëhet fjalë për lëvizjen e njerëzve dhe makinave ka një ndryshim shumë të madh. “Vijat e bardha” nuk janë rastësisht të bardha. Ligji përcakton qartë çfarë forme dhe ngjyre duhet të kenë shiritat e tërthortë në rrugë. Në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregulloren e Kodit Rrugor, përcaktohet qartë se “Shiritat e tërthorta, apo vijat e ndalimit, jane të vazhdueshme ose të nderprera dhe me ngjyre të bardhe. Ato të vazhdueshmet kane gjeresi minimale 50 cm dhe përdoren nëpër kryqëzimet e pajisura me semafore, në kalimet kembesore me semafore dhe atje ku është vendosur sinjali “NDAL DHE JEP PERPARESI” (figurat II.432/a, II.432/b dhe II.432/c)”.
Për syrin e qytetarëve një vizatim në rrugë mund të jetë i këndshëm. Por ideja e Bashkisë kthehet në problem në rast aksidentesh. Drejtuesi i mjetit është i justifikuar në rast aksidenti, pasi në rrugë nuk ka shirita të tërthortë siç përcakton ligji, por vetëm vizatime dhe bojra që nuk shprehin asnjë ndalim ligjor.