Ariana Grande po planifikon të kthehet në Mançester me “një shfaqje të veçantë” si pjesë e turneut të saj botëror verën e ardhshme. Këngëtarja do të kthehet në qytet dy vjet pasi 22 vetë vdiqën në një sulm me bombë në koncertin e saj në Mançester Arena.
“Natyrisht që do vijmë e me tepër dashuri”, – shkroi ylli i popit. Data dhe vendi ende nuk është zbuluar, por ajo ka konfirmuar datat për koncertet e saj në Londër, Birmingham, Glasgow dhe Sheffield në gusht dhe shtator 2019. Pasi njoftoi koncertet e tjera evropiane, ajo shtoi një mesazh që shpjegonte pse Mançester nuk ishte ende në listë.
“Mançester nuk është në këtë listë fillestare, sepse ne po planifikojmë një shfaqje të veçantë”, shkroi ajo. “Ne kemi nevojë për më shumë kohë për të marrë gjërat së bashku para se të mund ta shpallim datën, por sigurisht që do vijmë e me tepër dashuri”.