Gjatë dimrit organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35° C e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet duke rrezikuar shëndetin; shkakton ngushtim të enëve të gjakut dhe përshpejtim të ritmit të zemrës. Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin, e më pas ngrijnë duke u bërë gri dhe të padhimbshme. Nëse kryeni sforcim fizike në ambiente të jashtme, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës. Dimri dhe temperaturat e ftohta mund ta dëmtojnë shëndetin tuaj, por ju mund të jeni mirë nëse ndiqni këto këshilla të dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik:
-Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta.
-Evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë dhe sidomos kur jeni të lagur.
-Evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës.
-Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave.
Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe fruta që përmbajnë vitamina dhe minerale.
-Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi.
-Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Mund të mbani një enë me ujë tek radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme, ashtu si dhe ngrohjet me dru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.
Disa nga sëmundjet që mund të shfaqen ose përkeqësohen si pasojë e të ftohtit në dimër janë:
-Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes: skuqje apo dhimbje deri në infeksion të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve (sinuzite).
Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes: gripi dhe viroza të ndryshme, acarim i astmës deri në infeksione të mushkërisë.
-Dhimbje koke si pasojë e spazmave/ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.
-Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij tek të sëmurët kronikë.
-Shtrëngime gjoksi deri në infarkte të zemrës.
-Probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, sklerodermia etj..
-Fraktura, ndrydhje dhe dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve në akull.
-Ngrirjet e ekstremiteteve deri në amputime (prerje) të tyre.
Nëse sëmureni me grip apo një nga virozat e stinës:
-Përdorni medikamente për të ulur temperaturën- Paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5° C. Nëse temperatura zgjat për më shumë se 3-5 ditë dhe është mjaft rebele, atëherë drejtohuni tek mjeku i familjes.
-Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me sherebelë, dafinë, blin etj. dhe ajrosni herë pas here ambientet.
-Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi (sidomos lëng pule), fruta, perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve. Disa ushqime me veti anti inflamatore apo antimikrobiale, shumë të mira për mbrojtjen imunitare janë: xhinxheri, mjalti, hudhra, qepa, agrumet, lakra, specat, mollët dhe dardhët e pjekura, ekinacea etj.,
Futni këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë.
-Mos përdorni antibiotikë pa këshillën e mjekut.
-Në rastet kur temperatura e pacientit vazhdon të mos bjerë, fillon të shfaqet vështirësia në frymëmarrje, dhimbje veshi, fyti, koke, apo kraharori dhe gjendja e përgjithshme rëndohet, atëherë mund të keni një infeksion të rrugëve të sipërme apo të poshtme të frymëmarrjes, për të cilin duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj.
-Nëse keni probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, scleroderma etj., nuk duhet të dilni nga shtëpia pa përdorur kremrat e këshilluar nga mjeku dhe duhet të mbani sa më ngrohtë pjesët e ekspozuara duke përdorur dorashka leshi, shall, kapuç etj..
-Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, organizmi juaj nuk arrin të prodhojë aq nxehtësi sa harxhon dhe ju do të filloni të vuani nga ulja e temperaturës trupore e me kalimin e kohës do të ndiheni të lodhur, të mpirë dhe konfuzë. Kjo, pasi si pasojë e ngushtimit të enëve të gjakut në tru, ai fillon të mos mendojë qartë dhe pastaj lëvizjet fillojnë të ngadalësohen, deri kur temperatura e trupit të bjerë nën 35° C deri në ngrirje. Shenjat e para të ngrirjes janë mungesa e ndjeshmërisë, skuqja dhe dhimbjet në indet e lëkurës dhe nënlëkurës në ekstremitete (kokë, këmbë e duar) dhe zonat më të ekspozuara si fytyra, veshët, etj. Në raste të tilla nuk duhet të masazhohen pjesët e ngrira, por duhet të futeni menjëherë në një ambient të ngrohtë dhe të pini pije të ngrohta që të rrisin temperaturën e trupit, duke evituar përdorimin e alkoolit. Kujdes, nëse lëkura merr ngjyrë të zbehtë deri në të verdhë- jeshile, pasi mund të shkojë deri në gangrenizim që kërkon dhe amputimin e tyre.