MILOSAO

Sikur t’i kushtohej gjysma e debatit për teatrin, trashëgimisë së Durrësit

16:55 - 04.08.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Mënyra sesi ka futur politika hundët në debatin e fundit për teatrin është më shumë se e shëmtuar. Ndërsa një palë, që është pjesë integrale e Partisë Demokratike nënshkruan memorandume patetike me partinë e vet; pala tjetër e komunitetit që kinse janë larg PD-së, por që u intereson streha e PS-së, provojnë të kundërtën. Në fakt, në masë bashkohen në një pikë, përveç atyre që janë militantë mirëfilli të PS-së: Teatër i ri atje ku është i vjetër, i restauruar, me fasadën e ruajtur, por kurrsesi me ndërtime të stërmëdha, që tashmë propaganda po i përdor frikshëm. Ato po i shton tashmë dhe vetë kryeministri që pretendon se nuk do ketë ndërtim në territorin e teatrit!!! Dhe, ndodh që sapo një artist shkruan një status, i përvishen miqtë, ata me të cilët ka ndarë vite jetë në dy regjime, role, halle dhe probleme dhe zallamahia shtrihet ngado. Pastaj, ndodh që të tjerë u duhet të sqarojnë statuse me statuse dhe kështu me radhë e pa fund. Tashmë sfida është për të futur në lojë të huajt, paçka se një autoritet që mund të respektohej nga të gjithë e kishte zgjidhjen. Shoqata e arkitektëve është shprehur zyrtarisht dhe këshilla e tyre mund të respektohej më mirë në rast se ne do të ishim realisht një vend demokratik: Mos e prishni!
Por ka edhe më. Tashmë ka një ligj që lidhet me të dhe gjendet i depozituar në Gjykatën Supreme. Duhen vetëm pak kohë dhe verdikti i këtij institucioni, që po ngrihet, do të jetë vendimtar, kuptohet nëse palët nuk do të harxhojnë kohën me akuza dhe kundërakuza edhe për verdiktin e tij…





38 kilometra më andej është qyteti më me histori i vendit tonë: Durrësi. Ciceroni e kish quajtur “qytet shumë të mirë për të jetuar”; kurse Jul Çezari që mbërriti i armatosur në portat e qytetit nuk arriti ta pushtojë, pak më tutje bëri betejën e famshme me Pompeun në vitin 68 p. K.; Aristoteli i kushton Durrësit një nga 158 Kushtetutat e formuluara gjatë jetës së tij, kurse në vitin 1272, qyteti i Durrësit ishte kryeqyteti i Regnum Albaniae (Mbretërisë Shqiptare) të Anzhuinëve dhe bujarëve arbër. Përgjatë gati 30 shekujve, Durrësi ka mbartur në shpinën e vet, qytetërime dhe civilizimet e mëdha greko-romake. U pushtua nga osmanët vetëm në kapërcyell të shekullit XV, kurse përpara pushtues, luftëtarë, e aventurierë bënë garë se cili do e pushtonte më shumë. Veçse dëmtimet më të mëdha nuk ia bënë ata, por njerëzit e dy shekujve të fundit, ata krijesat e kohëve post-moderne, të cilët i shikojnë historitë e shkuara si nëpër filma, në filma vizatimorë apo dhe në libra të ngjyrosur për fëmijët. Në shekullin XIX Artur Evans, ende pa zulmën e madhe që do të linte në arkeologji mbërriti në qytetin e Durrësit dhe shkroi e botoi librin e tij “Illirians Letters” (“Letrat ilire”), ku mes tyre përmend fakte të frikshme se si administrata e atëhershme e Durrësit otoman digjte kapitelet, skulpturat e mrekullueshme prej mermeri, monumentet e tjera për të bërë gëlqere!! Amfiteatri i zbuluar në vitin 1966, falë referencave mbetur në librat historikë, por kryesisht në atë që kishte lënë Marin Barleti: “ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri të admirueshme…”, nuk do kishte fat më të mirë pas zbulimit. Një nga 30 amfiteatrove e zbuluara nga Roma më të njohura sot është i dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet përditë dhe ndërtimet pa leje e kapluan pas ’90. Qyteti, në vitet ’80, zbuloi një qendër të shekullit VI, sheshin rrethor me kolonadat ose si njihet sot rotonda. Për një fije, një ish-sekretar i PPSH-së, nuk arriti të ndërtonte pallatet në këtë vend, që gjithsesi u ngritën mbi hapësira të tjera. Dhe, një nga kulmet ishte zbulimi i objektit të famshëm arkitektonik “Porta e Artë”, nga ku niste Rruga Egnatia. Dhe çfarë u bë: Mbi të u ndërtua, duke hequr një nga zbulimet më të mëdha dhe një nga krenaritë më të mëdha arkeologjike që vendi ynë mund të prezantonte krenar. Kushdo që mund të kuptojë madhështinë e këtij objekti, mund të shikojë një objekt të tillë në Selanik. Lista është e gjatë, por vulën do t’ia vinin dy masakra, ndërtimi i “Velierës” së fundmi mbrojtur nga Socialistët dhe mbulimi i lagjes zejtare të qytetit që u zbulua tek ish-lulishtja “1 Maji”, e ku ende mund të shquheshin qartë rrugët, struktura hipodamike urbane, me punishtet e përpunimit të qelqit, të terakotave, ngjyrave të tekstileve etj. Sot, mbi të është një ndërtim betoni!!! Durrësi është ndërtuar dhe në zonën, që nuk prekej për asgjë, të ashtuquajturën zonën A.
Media dhe shumë specialistë ngritën zërin, por sa më shumë ngrihej zëri aqmë shumë heshtje vijonte dhe përfundimi ishte se lagjja “1 maji”, që identifikonte një nga objektet më interesantë të shekullit VII pas Krishtit u mbulua. Të gjithë strukturat e shtetit, arkeologët, e të gjithë ministrat e Kulturës, shoqëria civile, media e shkruar dhe ajo vizive mbetën me gishtin në gojë. Kinse. Shumë syresh ishin fajtorë, por ata bërtisnin edhe më shumë. Durrësi, identifikimi ynë më i madh dhe më i plotë, me qytetërimin tashmë është i dëmtuar për të mos u ngritur dot më.

Kjo të vjen të kujtosh me zhurmën që po bëhet sot me teatrin dhe investimin e energjisë së intelektualëve dhe artistëve, që në fund janë ndarë më shumë në taborë, të cilët i shkojnë oreksit të njërës apo tjetër parti. Po Durrësi nuk do të kthehet më kurrë, thjesht nga rendja jonë e pakuptimtë pas dy partive, që kanë si simbol thjesht shpërhapjen e betonit dhe fshirjen e gjithçkaje, që nuk sjell fitim për ta.
(Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.