EKONOMI

Rivlerësimi, formula për llogaritjen e taksës për shtëpitë dhe tokat

12:08 - 15.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria publikon formulën për llogaritjen e taksës që do të paguajnë qytetarët për rivlerësimin e pasurive. Sipas vendimit, individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit. Si moment për llogaritjen e bazës së tatueshme për pasuritë, të cilat janë në proces regjistrimi, do të konsiderohet data e aplikimit për regjistrim në ASHK.




Aplikimi
Në rast se individi ka aplikuar apo do të aplikojë, brenda datës 30.9.2020, për të regjistruar më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë drejtoria vendore e ASHK-së, kjo do të bëhet me çmimet referuese të përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit të pasurisë në proces regjistrimi dhe sipas përcaktimeve të udhëzimit nr.29, datë 30.7.2018, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”. Sipas vendimit, nëse pasuria në proces regjistrimi nuk ka të përcaktuar vlerë në aktin e fitimit të pronësisë, atëherë baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit, sipas çmimeve referuese në përputhje me aktin nënligjor në fuqi, dhe vlerës së zbritshme. Në këtë rast, si vlerë e zbritshme për ndërtesat do të merret vlera e kostos së shfrytëzimit për metër katror e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi (udhëzimi përkatës i Këshillit të Ministrave), në momentin e aplikimit për regjistrim të pasurisë së paluajtshme. Ndërkohë, si vlerë e zbritshme për tokën do të merret vlera sipas çmimeve të hartës së vlerave në fuqi, korrektuar me indeksin e inflacionit, sipas udhëzimit nr.29, datë 30.7.2018, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”. Nëse pasuria në proces regjistrimi ka të përcaktuar vlerë në aktin e fitimit të pronësisë, atëherë baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit, llogaritur me çmimet referuese sipas aktit nënligjor në fuqi, dhe vlerës së pasurisë së pasqyruar në aktin përkatës të fitimit të pronësisë që evidenton pasurinë e paluajtshme. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë një ekspert i licencuar, kur: Pasuria në proces regjistrimi nuk ka të përcaktuar vlerë në aktin e fitimit të pronësisë, atëherë baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit nga vlerësuesi (eksperti), me vlerën sipas kostos së shfrytëzimit për metër katror, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi (udhëzimi përkatës i Këshillit të Ministrave) në momentin e aplikimit për regjistrim të pasurisë së paluajtshme.

Aplikimi në sportel
Përjashtimisht, në rastet kur është e pamundur të administrohet aplikimi nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, aplikimi kryhet pranë zyrës pritëse (sportelit) në drejtorinë/zyrën vendore kompetente, ku është në proces regjistrimi i pasurisë, duke paraqitur “Kërkesën për rivlerësim”, sipas formularit, shtojca nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e rivlerësimit, individi duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme ose të vërtetimit (për pasuritë që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar). Sipas vendimit, individi apo përfaqësuesi i tij me prokurë në çdo rast paraqitet me dokument identifikimi pranë zyrës pritëse të ASHK-së. Ai pajiset me dy kopje të paplotësuara të formularit “Kërkesë për rivlerësim” nga punonjësi përgjegjës. Individi apo përfaqësuesi i tij me prokurë plotëson dy pikat e para të formularit. Të dhënat e plotësuara në formular dhe në dokumentacionin bashkëlidhur (kopje të dokumentit të pronësisë) verifikohen sipas përcaktimeve të pikës 10, të kreut III, të këtij vendimi.

“Amnistia”, kush përfiton

1. Të gjithë individët dhe personat juridikë, të cilët kanë në proces regjistrimi pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (në vijim, ASHK), përshirë edhe lejet e legalizimit, sipas ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, apo do të aplikojnë për regjistrimin e tyre brenda datës 30.9.2020, kanë të drejtë që, brenda këtij afati, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut, sipas ligjit nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”.
2. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3 (tre) % e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit.
3. Në rast se individi ka aplikuar apo do të aplikojë, brenda datës 30.9.2020, për të regjistruar më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.
4. ASHK-ja vijon me trajtimin e aplikimit për rivlerësimin e pasurisë në proces regjistrimi dhe llogaritjen e tatimit 3%, nëse dokumentacioni i paraqitur për regjistrimin e pasurisë në regjistrat e pasurive të paluajtshme është në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.