OPINION

Paratë që presim nga Brukseli

07:20 - 17.02.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Do të jenë shumë? Sigurisht. Konferencën e e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” e organizon vetë Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, qeverisë së Europës së Bashkuar. Kjo qeveri lëviz 160 miliardë euro në vit. Dy ministra të saj (quhen Komisionerë), ai për Menaxhimin e Krizave dhe ai për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, do të raportojnë sot. Banka Botërore, me një buxhet vjetor 5.3 miliardë dollarë, do të përfaqësohet në konferencë nga drejtorja e saj për Ballkanin Perëndimor. 12 ditë më parë kryeministri Rama takoi Drejtorin e Përgjithshëm të Bankës Botërore David Malpass. Megjithatë, sado shumë angazhime për fonde të mblidhen sot, nuk do të jenë kurrë mjaftueshëm. Sepse vetëm dëmet nga 12 mijë banesa të shkatërruara tërësisht ose të pabanueshme(që do të prishen) shkojnë në qindra milionë euro. Pastaj janë rreth 20 mijë shtëpi të tjera të dëmtuara seriozisht, të cilat duhen ndrequr. Dhe fatura rritet dyfish. Pastaj vijnë bizneset e dëmtuara, që kanë ditë e javë që nuk punojnë ose punojnë shumë më ulët nga kapacitetet e tyre, ngaqë punonjësit i janë larguar Durrësit dhe zonave përreth dhe ende nuk janë kthyer të gjithë. Pastaj janë shkollat e dëmtuara, 21 mijë nxënës të detyruar të udhëtojnë mbi 5 kilometra për të shkuar në shkolla të tjera, së bashku me të 1 mijë e treqind mësuesit e tyre. Pastaj janë spitalet e dëmtuar, infrastruktura e dëmtuar dhe fatura e plotë shkon 985 milionë euro. Është tërmeti më shkatërrimtar në botë për vitin 2019. Fatura ka letra të rregullta vlerësimi, të provuara nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe sistemi i  agjensive të Kombeve të Bashkuara, sipas metodologjisë së Raportit standard të Vlerësimit të Nevojave pas Katastrofës (PDNA). Nëse shumës së faturës totale 985 milionë euro i zbresim 200 miliardë lekë ose 157 milionë euro, sa është shifra e angazhuar nga Buxheti ynë i shtetit për këtë vit (nga paratë e taksapaguesve dhe donatorëve deri tani) ngelin 828 milionë euro. Këto janë nevojat tona për fonde për rindërtimin dhe rimëkëmbjen. Paratë që nuk i kemi për t’jua kthyer jetën në normalitet 17 mijë qytetarëve të pastrehë sot. Si dhe të 202 mijë qytetarëve të dëmtuar dhe të prekur në një mënyrë apo një tjetër nga tërmeti i 26 nëntorit. Këtë shumë, Konferenca e sotme e Donatorëve në Bruksel, sado mirë e organizuar dhe sado me një numër shumë të madh vendesh dhuruese, nuk e arrin dot kurrë. Jo vetëm me fondet që do të zotohen sot, por as edhe sikur të kemi edhe nja katër e pesë konferenca të tjera donatorësh rradhazi gjatë gjithë vitit. Këtë duhet ta kuptojmë mirë. Si dhe që jo çdo gjë do të përfundohet sot. Me donatorët duhet shumë durim. Duhet të informohen mirë dhe t’ju japim mundësinë edhe të thonë: ”Kjo nuk më bind. Dua më shumë informacion. Ma jepni”. Vetëm durimi ynë pa kufi me ata që duan të na ndihmojnë, mund të na japë një dorë të mirë për më shumë fonde edhe ditës së sotme. Në rastin më të mirë të mundshëm, mund të mblidhen po aq fonde sa ka angazhuar Buxheti ynë i Shtetit në fillim të këtij viti. E rëndësishme, përveç thesit të mbushur me para, është e nesërmja e Konferencës. Banka Botërore, një strukturë që ndihmon çdo vend të botës në fatkeqësi natyrore, e thotë qartë. Gjithshka varet se si fillohet puna me fondet e angazhuara. Aty donatorët testojnë seriozitetin e qeverisë. Nëse do përballen me vonesat dhe papërgjegjësitë tona ekstreme, e kemi betejën të humbur. Sa më korrekt të sillemi me donatorët, aq më shpejt do t’i kemi paratë e domosdoshme të tyre për rindërtimin tonë. Dhe nëse fillojmë shpejt nga rindërtimi në përmasa të gjera, sapo të kemi marrë pohimin e fondeve të tyre, është rruga më e mirë për të shpëtuar ekonominë dhe të ardhmen tonë. Këtë e thotë edhe vetë Banka Botërore. Na ka parashikuar me pakësim të rritjes ekonomike, për shkak të pasojave të termetit edhe këtë vit. Por po kjo bankë thekson me realizëm se, nëse rindërtimi dhe rimëkëmbja nisin shpejt, menjëherë pas kësaj Konference, shumë gjëra mund të shkojnë më mirë. Besimi i sipërmarrjes, ngritja e kreditimit në nivele të kënaqshme, sikurse po përpiqet të nxisë banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, besimi i qytetarëve për të mos parë të gjithë nga shanset për punësim në Gjermani, regëtima shprese më në fund dhe tek të rinjtë tanë. Të gjitha këto mund të forcohen dhe galvanizohen, nëse dimë të menaxhojmë si duhet fondet që donatorët do të na besojnë nga dita e sotme. Mund të rimëkëmbemi shumë më shpejt nga sa na e thotë mendja, nëse kemi fillimin e mbarë me donatorët.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.