Kronikë

KPA çeli shqyrtimin  gjyqësor për ankimin e Markelian Kuqo, gjyqtari me siklet, luante me kopsën e xhaketës…

22:02 - 15.02.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në një seancë maratonë që bashkë me ndërprerjet zgjati rreth 8 orë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor për ankimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, ndaj vendimit të Këshillit të Lart Gjyqësor për shkarkimin e tij për shkelje të rënda disiplinore. Seanca u zhvillua të martën në prani të 6 anëtarëve të KPA, me kryetare Albana Shtylla, relatore Ina Rama dhe anëtar Rezarta Schuetz, Natasha Mulajn, Sokol Çomo dhe Mimoza Tasi. Shtylla njoftoi se Ardian Hajdari, nuk do ishte i pranishëm për shkak të vendimit për pezullimin e tij.




Gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, një vit më parë. Gjyqtari i Korçës u shkarkua pasi sipas KLGJ kishte bërë shkelje të rënda dhe cënuar besimin te drejtësia në vendimin për lirimin me kusht “të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997”.

Seanca u fokusua fillimisht te pretendimet procedurale të gjyqtarit Kuqo. Magjistrati këmbënguli në seancë se Kolegji nuk ishte gjykata kompetente dhe kërkoi që dosja e tij të referohej pas në Gjykatën Kushtetuese. Siç doli nga fjala e magjistratit ky i fundit kishte marrë ndërkohë një vendim në Gjykatën Kushtetuese e cila kishte refuzuar kalimin e çështjes në seancë publike, me arsyetimin se kompetenca ishte e KPA. Të pyetur në seancë përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe ai i Këshillit të Lartë Gjyqësorë, palë të interesuar në proces, këmbëngulën se pretendimi nuk qëndronte dhe se Kolegji ishte gjykata kompetente.

Këtë vendosi edhe KPA pasi u tërhoq në dhomë këshillimi. Kolegji arsyetoi se kërkesa e Kuqos nuk qëndronte dhe njoftoi fillimin e procedimit. Por në këtë pikë Kuqo kërkoi kohë shtesë për parashtrime të reja. Ai këmbënguli se do u jepte parashtrimeve “një këndvështrim të ri”, pasi KPA vendosi të rrëzonte kërkesën e tij për të shpallur moskompetencë. Por Kolegji i tërhequr sërish për këtë kërkesë të re vendosi ta rrëzonte atë dhe ftoi Kuqon të mbante parashtrimet. Në shenjë revolte gjyqtari refuzoi. Ai tha se në këtë mënyrë po i hiqej e drejta për mbrojtje, por shtroi se u qëndronte parashtrimeve me shkrim.

Pas këtij refuzimi përfaqësuesi i KLGJ-së dhe dy përfaqësueset e ILD-së lexuan parashtrimet ndër të cilat arsyetuan se vendimi i shkarkimit duhej lënë në fuqi. Ata iu referuan kryesisht vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë që rrëzoi vendimin e Kuqos për lirimin e Gjenerarit.

Sipas përfaqësuesve të dy institucioneve gjyqtari kishte referuar “fakte dhe rrethana të rreme”, kishte qenë emocional në vendim, nuk kishte verifikuar faktet dhe kishte shkelur ligjin duke miratuar lirimin e Gjenerarit pavarësisht se ai nuk plotësonte kushtet për lirim me kusht. Përfaqësuesit e KLGJ dhe ILD evidentuan ndër të tjera disa momente që nuk lejonin lirimin e Gjenerarit. Përfaqësuesit kundërshtuan edhe pretendimet e gjyqtarit mbi shkelje procedurale dhe këmbëngulën se atij i ishte dhënë mundësia të njihej me dosjen dhe të bënte kundërshtimet siç i kishte menduar.

Pasi mori fjalën pas këtyre parashtrime Kuqo bëri një listë të gjatë me pyetje për secilin nga institucionet. Duke mbërthyer dhe zbërthyer herë pas here kopsën e xhaketës dhe duke ulur herë pas here syzet për t’i parë ndërsa mbanin shënim, ai i kërkoi detaje mbi “veprimet dhe mos veprimet”, që kishte kryer, detaje mbi procedurën e ndjekur dhe kërkoi arsyetim se përse cilësohej i ligjshëm vendimi i Apelit që e linte Gjenerarin në burg dhe jo vendimi i tij. Pas listës së pyetjeve KLGJ dhe ILD kërkuan kohë për përgjigje. KPA vendosi që seanca e rradhës të mbahej në 11 mars në orën 10.00./ BIRN

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.