SPORT

MINIFUTBOLL/ “Euro 2022”, kapiteni Hysenbelliu: Shqipëria nuk i trembet askujt!

11:14 - 04.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Kosice të Sllovakisë do të startojë sot Kampionati Europian i Minifutbollit Amator, një kompeticion ku marrin pjesë 24 shtete të ndara në 6 grupe. Në këtë event nuk mungon as Shqipëria, e cila bën pjesë në Grupin B, së bashku me Spanjën, Rumaninë dhe Azerbajxhanin. Kuqezinjtë kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Sllovaki, ndërsa sot në orën 22:45 do të zhvillojnë sfidën e parë kundër Spanjës.




Në prag të debutimit në Europian, Fatmir Hysenbelliu, kapiteni i Kombëtares kuqezi të minifutbollit, rrëfen emocionet para këtij eventi. Hysenbelliu shfaqet më i karikuar se kurrë, teksa thotë së skuadra po e pret me padurim këtë kompeticion që do të luhet në një arenë madhështore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 30-vjeçari bën të ditur se Shqipëria nuk i trembet asnjë rivali, teksa thotë se ekipi vjen me më shumë eksperiencë në një event të tillë. Kapiteni deklaron se objektivi primar është kalimi i grupit, pavarësisht se kundërshtarët janë të një niveli shumë të lartë.

Dita e shumëpritur erdhi, sot nisni aventurën në “Euro 2022”. Si kapiten i Kombëtares, si po e pret ekipi këtë kompeticion?

Mezi e kemi pritur këtë kompeticion. Hera e fundit që kemi marrë pjesë është para katër vitesh, që ishte edhe eksperienca jonë e parë. Ajo ishte edhe e para herë që merrnim pjesë në një kompeticion që zhvillohej jashtë dhe nuk arritëm rezultatin që prisnim. Kështu që, mezi e kemi pritur kompeticionin e radhës, por prej pandemisë u shty aktiviteti këto vite dhe tani pas katër vitesh jemi sërish gati për këtë kompeticion, për të cilin pak a shumë kemi dy vite që përgatitemi.

E filloni me një sfidë zjarri kundër Spanjës. A i ka mundësitë Shqipëria për të përballuar kundërshtarë të këtij kalibri?

Spanja është emër i madh në futbollin e madh, por në minifutboll ka skuadra të tjera më të forta se Spanja. Ne me Spanjën jemi përballur vetëm me klube, të cilat i kemi mundur në Champions League. Por, mendoj që në Kombëtare do të jenë më të mirë. Megjithatë, ne për të arritur shumë lart nuk do t’i trembemi asnjë kundërshtari, thjesht respekt për kundërshtarët.

Çfarë Shqipërie do të shohim në Europian?

Në këtë Europian do të shihni një Shqipëri me një grup kompakt, të stërvitur, me më shumë eksperiencë në vitet e fundit jashtë Shqipërisë. Në Kupat e Europës ku kemi marrë pjesë dhe me klube kemi arritur në katërshen më të mirë në Champions League. Djemtë kanë më shumë eksperiencë. Pra, janë më shumë të stërvitur. I kemi parë ndërkohë dhe kundërshtarët, i kemi analizuar. Besoj se do të shihni një Shqipëri kompetitive, që do të vërë në vështirësi çdo kundërshtar që do t’i dalë përpara.

Kemi një skuadër të formuar nga lojtarët më të mirë të kampionatit. Por, siç dihet, përveç cilësive individuale, ka një rëndësi shumë të madhe loja në grup. A ka arritur Kombëtarja të formojë frymën e grupit?

Ky ekip normalisht që është formuar me lojtarët më të mirë të Kombëtares, por jo vetëm sepse mund të ketë dhe lojtarë që tek-tuk mund të jenë pak cilësi më të mira se lojtarë të tjerë, por është formuar një ekip–grup, lojtarët të jenë gjithmonë të bashkuar dhe jo individualistë. Të gjithë të jenë për një qëllim. D.m.th. nuk janë përzgjedhur thjesht si lojtarë shumë të mirë që kanë fituar në vitet e fundit dhe këtë vit, por edhe lojtarë që bëjnë grupin dhe të ecin përpara. Sepse, në fund të fundit, nuk fitohet me individë, por me grup.

Ndërkohë pas Spanjës ju presin dy takime të tjera delikate, fillimisht përballë Rumanisë, gjashtë herë kampione Europe, e më pas ndaj Azerbajxhanit. Çfarë prisni nga këto ndeshje dhe cili është rezultati që do ta kënaqte Shqipërinë në “Euro 2022”?

Kundërshtari më i fortë është Rumania, që për disa vite radhazi ka qenë kampione Europe dhe ka ekipin më të mirë në Europë në këtë lloj sporti, në minifutboll. Megjithatë, ne në klube nuk është se kemi pasur ndonjë disnivel të madh. I kemi mundur, na kanë mundur. Jemi përballur në Champions, por e thashë që me çdo kundërshtar që do të kemi përpara, ne jemi gati të përballemi pa asnjë lloj frike dhe të futemi në lojë për të fituar ndeshjen. Azerbajxhani është një surprizë dhe tregoi që në ndeshjen e fundit ku fitoi në një miqësore me Sllovakinë, është një ekip nga i cili duhet pasur kujdes. Ne duam të arrijmë sa më lart, por do t’i marrim hap pas hapi. Objektivi i parë është të kalojmë grupin, pastaj të mendojmë për më tej.

Prej disa vitesh jeni kapiten i Kombëtares së minifutbollit. Si e shikoni skuadrën aktuale, në raport me ekipet e edicioneve të kaluara?

Normalisht që në edicionin e parë ishim një ekip pa eksperiencë. Ishte kompeticioni i parë jashtë, si për klube si edhe për Kombëtare, në rregulla, në gjithçka. Nuk kishte aq shumë llojshmëri lojtarësh për të përzgjedhur. Tani janë më shumë klube në Shqipëri dhe ky sport luhet më shumë. Tani ka një gamë më të gjerë lojtarësh për t’u përzgjedhur dhe ekipi normalisht që është shumë herë më i fortë se atëherë. Sepse, nëse në atë kohë kishe 5-6 individë të mirë në 15 lojtarë, tani të 15 lojtarët i ke të përzgjedhur nga shumë lojtarë të tjerë, kështu që është një ndryshim i madh, kolosal.

Dhe, së fundmi, një koment për arenën ku do të luhen ndeshjet, që është edhe një nga impiantet më moderne në Europë…

Impianti është serioz, shumë serioz, që përveç minifutbollit amator edhe Kombëtarja e madhe do ta kishte zili të luante aty. Është një impiant ku luhen ndeshje shumë të rëndësishme në Europë të hokejit dhe të basketbollit dhe tani është kthyer në arenë minifutbolli. Është një impiant që mban më shumë se 8 mijë njerëz, që mendohet se do të jenë të shumtë në stadium, sepse ky eveniment që në Sllovaki do të jetë shumë i madh, pas katër viteve që u organizua në Ukrainë. Ky i Sllovakisë ka marrë përmasa gjigante, nisur nga të gjitha ekipet, fansat, gjithçka. Është emocion të luash në atë stadium dhe kjo na frymëzon më shumë që të japim më shumë dhe të ndihemi sa më të kompletuar, ta marrim sa më shumë seriozisht dhe të jemi më të përqendruar në këtë kompeticion. Normalisht që në çdo kompeticion, në çdo lloj niveli që përfaqëson Kombëtaren tënde, Shqipërinë, është një emocion i paparë, sidomos në një stadium aq të madh dhe jashtë vendit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.