Nga Vasil Qesari
Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet.
Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?
Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.
Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!
Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
Për të forcuar pushtetin e tij absolut, shtetit totalitar i nevojitej të krijonte jo vetëm individë, grupe a shtresa armike, por kur ia donte nevoja, edhe krahina të tëra. Shembuj klasikë të terrorit, dhunës e përçarjeve të tilla nëpërmjet veprimtarisë së Sigurimit, kanë qenë edhe Mirdita e Himara. E kjo, nuk qe e rastësishme.
Ashtu si banorët trima e të paepur të Veriut, edhe himarjotët në Jugë, kishin një histori të lashtë e plot ngjarje trimërie. Si Mirdita edhe Bregdeti, për shkak të rezistencës e luftës së tyre të pashembullt kundër pushtuesve turq, kishin arritur të njiheshin nga Porta e Lartë si territore të lira, duke ruajtur kështu të pacenuar, pavarësinë, lirinë, pronën e fenë e tyre të krishterë.
Himarjotët, kanë qenë brez pas brezi një popullsi vazhdimisht kryeneçe dhe e pa nenë shtruar ndaj shtypjes, padrejtësisë e arbitraritetit. Kjo, pat bërë që në shpirtin e tyre, Koncepti i Lirisë të ishte i lidhur ngushtë me kundërshtimin e çdo lloj diktati, ngado që t’a kish orgjinë. Por, mospranimi i diktatit e nenë shtrimit, qenë në kundërshtim flagrant me natyrën e shtetit totalitar.
Qe kjo arsyeja pse, Himara, gjatë regjimit komunist, u cilësua vazhdimisht si rebele, e dyshimtë, pro greke etj. Të gjitha këto, s’ishin veçse justifikime për të motivuar dhunën e shtypjen ndaj një krahine, e cila s’e kish aspak për shpirt komunizmin, pronën kolektive, ateizmin, servilizmin e mercenarizmin.
… Drama e Himarë dhe himarjotëve, nisi mbas zgjedhjeve të dhjetorit 1945, atëherë kur, një pjesë e mirë e popullit të saj, votoi kundër përfaqësuesve të Frontit Demokratik. Pas kësaj, PPSH-së e shpalli atë krahinë, armike. (S’ishte rastësi që i njëjti qëndrim, u mbajt dhe ndaj Mirditës e disa zonave të tjera në veri të vendit). Përçarjen, frikësimin, nenë shtrimin e ndëshkimin e himarjotëve, Partia ia besoi armës së saj besnike, Sigurimit të Shtetit.