Partia Demokratike nëpërmjet deputetëve të saj në Komisionin e Reformës dorëzon në Kuvend projektligjin që ka të bëjë me ndryshimet e ndarjes territoriale. Gjithashtu bëhet me dije se së bashku me projektligjin do të jetë edhe materiali shoqërues dhe hartat me 94 bashki.
Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD Dhurata Çupi tha se ky projektligj përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë.
“Punë e Komisionit është një punë voluminoze ku është shqyrtuar çdo e dhënë çdo propozim nga organizata. Sot në deputetë të opozitës depozituan projektligjin për miratim dhe mbron interesa e qytetarëve shqiptarë. Jemi munduar që çdo kërkesë e tyre të merret parasysh. Nga 61 bashki sot kemi propozuar 94 në total, pra kemi një shtesë me 33 bashki. Ne kemi qenë në të gjitha qarqet e vendit dhe kemi dëgjuar interesat e qytetarëve dhe mendojmë se ky projektligj i mbështet ato”, tha ajo.
Më herët Partia Demokratike njoftoi se, kjo forcë politike, nëpërmjet deputetëve të saj në Komisionin e Reformës territoriale, do të dorëzojnë në Kuvend projektligjin për ndryshimet e ndarjes territoriale së bashku me materialin shoqërues dhe hartat me 94 bashki.
PROJEKTLIGJI I PLOTË I DORËZUAR NGA PARTIA DEMOKRATIKE:
KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Nr. __ Prot. Tiranë, më _._.2022
Lënda: Propozohet për shqyrtim dhe miratim një projektligj.
Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA / Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Këtu
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Në mbështetje të nenit 81, pika 1 të Kushtetutës dhe nenit 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, bashkëlidhur gjeni për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë”, shoqëruar me relacionin përkatës, të propozuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Ju lutem, marrjen e masave për nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me nenet 68 e vijues të Rregullores.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
K R Y E T A R I
Enkelejd ALIBEAJ
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr. __/2022
PËR NDARJEN ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE TË NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, gërma “f”, 83, pika 1, dhe 108, pika 2 të Kushtetutës, me propozimin e e një grupi deputetësh,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
- Njësitë e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë janë:
- a) bashki – 94
- b) qarqe – 12
- Ndarjet administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen nga ky ligj.
Neni 2
Emërtimi, shtrirja territoriale, kufijtë, qendra, njësitë administrative përbërëse të çdo njësie të qeverisjes vendore dhe nënndarjet e tyre janë të përcaktuara në hartat dhe në tabelat bashkëlidhur këtij ligji dhe që janë pjesë përbërëse e tij.
Neni 3
- Organet e njësive të qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe zgjedhjeve të pjesshme të vitit 2022, dhe me juridiksion territorial sipas ndarjes administrativo-territoriale, të përcaktuar me ligjin nr. 115/2014 “Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vazhdojnë funksionimin e tyre deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2023.
- Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2023 do të organizohen dhe zhvillohen mbi bazën e ndarjes administrativo-territoriale të përcaktuar në këtë ligj.
- Organet e qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023, do të organizohen dhe funksionojnë bazuar në ndarjen administrativo-territoriale të përcaktuar në këtë ligj.
Neni 4
Ligji nr. 115/2014 “Për Ndarjen Administrativo-Territoriale të Njësive të Qeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R J A
Lindita NIKOLLA
Miratuar, më _._.2022