SPORT

Sadiku: Legia e frikshme, ja kush mi tregoi sekretet e Panuçit

08:06 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Debutoi me gol dhe premtoi që mund të shënonte 20 të tillë. Ishte prezent në fushë kur ultrasit shfaqën banderolën gjigante të një ushtari nazist që i kish vendosur pistoletën në kokë një fëmije… Ka marrë kritika megjithëse ka shënuar në tre kompeticione në vetëm pak ndeshje. Ky është Armando Sadiku. Bomberi i Kombëtares shqiptare, i cili ka nisur të jetë personi që do të udhëheqë kampionët në fuqi të Polonisë drejt sukseseve gjatë këtij sezoni.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Sadiku rrëfen gjithçka. Që nga bisedimet që u prishën me Panathinaikosin e deri te miqësitë që ka krijuar te Legia. Madje, në këtë të fundit ka gjetur edhe njeriun që i ka rrëfyer si është Panuçi.

Bomberi kuqezi tregon objektivat, pritshmëritë që ka për veten dhe si e kanë pritur në Poloni. Kujtimi i skuadrës për transfertën në Tiranë kundër Kukësit dhe opinioni i të gjithëve për Kombëtaren në Europian. Në fund, ka edhe një këshillë për Xhakën..

Golin e fundit e keni shënuar në Kupë, në kualifikimin e Legias…

Ishte një ndeshje e lehtë në letër, mirëpo të gjitha ekipet mbrojnë shumë kur luajnë kundër nesh. Kjo na e bëri disi të vështirë këtë përballje, por ia dolëm të fitojmë dhe të kualifikohemi.

Çfarë do të thotë ky gol për ju, kundrejt të gjitha kritikave që ju janë bërë në Poloni?

Në karrierën time kam ruajtur një veçori dhe gjithmonë jap më të mirën kur zbres në fushë. Për të qenë i sinqertë, nuk ndjek median dhe nuk i kam lexuar as gazetat për të cilat ju i referoheni dhe nuk di se çfarë kanë komentuar për mua. Jam i fokusuar tek ajo që ndodh në fushë dhe kam dhënë maksimumin gjithmonë.

 

Për fat të keq, skuadra nuk po kalon një formë shumë të mirë siç të gjithë ne e duam. Ky është edhe shkaku që nuk kemi fituar shumë ndeshje. Shpresoj që ky triumf në kupë të jetë shenjë e mirë dhe që në takimin e ardhshëm në kampionat të fitojmë. Është fillimi, diferencat janë të vogla dhe me dy apo tri fitore radhazi mund të arrijmë kreun.

Legia u eliminua në kualifikueset e Champions-it. Si u përjetua kjo gjë?

Të gjithë në këtë ekip, stafi, drejtuesit apo edhe tifozët janë mësuar me objektiva të mëdha. Të gjithë donin që të luanim në Champions dhe unë kam qenë një prej tyre që kam ardhur te Legia për të luajtur në atë kompeticion. Mirëpo, na mungoi vetëm një gol kundër Astanës. E gabuam totalisht ndeshjen e parë në transfertë, në humbjen 3-1.

U munduam që ta rikuperojmë në shtëpi, por nuk ia arritëm qëllimit. Të gjithë ngelëm shumë të zhgënjyer nga ai fakt, mirëpo duhet të shohim përpara dhe të fokusohemi në Europa Ligë për t’u kualifikuar në grupe. Fitorja e fundit në Kupë ka shndërruar disi atmosferën në pozitive.

Keni shënuar në tre kompeticione, (Kampionat, kualifikueset e Champions-it dhe në Kupën e Polonisë), a e kishit menduar këtë start personal me skuadrën e re?

Ata që më njohin e dinë mirë që unë jam një lojtar zone që qëndroj gjithmonë sa më afër portës. Jam aty që t’i kthej rastet në gola. Gjithmonë i gatshëm për ekipin, mundohem që të tregoj atë që di të bëj më mirë: të shënoj gola. Të them të vërtetën, e kam pritur që në ndeshjen e parë që të shënoja.

Unë kam besim te vetja ime dhe sikur vetëm pesë minuta që të jem në fushë, dua dhe besoj se mund të bëj gol. Sepse vetëm po të mendosh në këtë mënyrë, ia del që të shënosh. Madje, kam pritur start edhe më të mirë dhe të bëja edhe më shumë gola.

Megjithatë, duke pasur parasysh që nuk kam bërë as fazë përgatitore, por kam nisur menjëherë të luaj, jam i kënaqur me këtë nisje të sezonit që kam bërë. Trajneri, stafi dhe tifozët e dinë që jam pa fazë përgatitore. Megjithatë, jam i gatshëm dhe po i luaj të gjitha ndeshjet.

Sa i kënaqur jeni me modelin e lojës që bën Legia, a ndiheni mjaftueshëm i furnizuar me topa gjatë lojës?

Ne luajmë me një sulmues dhe me dy ‘numra 10’. Jam i kënaqur me mënyrën e lojës sepse luajmë me shumë pasime dhe e kemi ne topin në kontroll gjatë gjithë kohës.

Të gjithë ekipet kanë frikë kur luajnë kundër nesh dhe luajnë të ngjeshura në mbrojtje. Në këtë rast, për mua si sulmues bëhet akoma edhe më e vështirë që të shënoj.

Por, momentalisht është një situatë ku ekipet në kampionat kanë bërë vetëm tri ndeshje, ndërsa Legia ka bërë dhjetë të tilla. Momentalisht, duke luajtur thuajse çdo tri ditë, ekipi është pak i lodhur. Gjithsesi, me kualitetet që ka ekipi në përbërje, jam i kënaqur dhe na pret një e ardhme pozitive.

Si ju kanë pritur te Legia, si kanë qenë ditët e para në Poloni?

Më kanë pritur shumë mirë dhe që në momentin kur ramë dakord për gjithçka që të kaloja te Legia, u ndjeva shumë mirë dhe shumë i vlerësuar. Madje, si një nga lojtarët më të vlerësuar te Legia, por edhe në Poloni.

Kur erdha në këtë ekip, të gjithë më pritën duke qenë se Legia, prej gati gjashtë muajsh, nuk kishte një sulmues që shënonte. Më kanë pritur me shumë gëzim të gjithë. U kënaqën të gjithë që shënova që në ndeshjen e parë dhe më pas në transfertë në Champions. Çdo gjë e kujtoj për mirë. Ndihem shumë i vlerësuar nga drejtuesit dhe nga të gjithë në klub.

Çfarë vështirësish keni hasur në ditët e para në Poloni?

Normale që ka të tilla, si çdo futbollist i ri në një ekip ku duhet të shohësh të tjerët se si funksionojnë gjërat, si sillen etj., si dhe për faktin se këtu jam në një shtet tjetër ku edhe gjuha është faktor. Shumica në ekip, rreth 70%, janë lojtarë polakë.

Më duhet të jem i kujdesshëm me çdo gjë që të kuptoj dhe të futem sa më shpejt në organikën e taktikës apo të klubit dhe çdo gjëje. Mua nuk më mungon kjo gjë dhe jam ambientuar shumë shpejt me klubin. Personalisht, më kanë ndihmuar shumë njerëzit në klub dhe më kanë qëndruar në dispozicion për gjithçka që më është dashur në ditët e para, si në stërvitje edhe jashtë saj.

Si bëhet komunikimi me trajnerin dhe me stafin gjatë stërvitjeve?

Kur bëhet stërvitja, komunikimi bëhet edhe në gjuhën polake, edhe në anglisht. Ndërsa në momente kur shpjegohet teori ose gjatë momenteve kur flet trajneri, është ose zëvendëstrajneri i dytë ose menaxheri i ekipit që bëjnë përkthimin.

Presidenti i Zyrihut deklaroi se Panathinaikosi u zmbraps vetëm nga video-skandali juaj në Kombëtare…

E di që Panathinaikosi më ka dashur dhe ka zhvilluar bisedime intensive prej gati dhjetë ditësh për të më marrë. Mirëpo, në fund diçka nuk shkoi dhe erdha te Legia, e cila m’i plotësoi të gjitha kushtet akoma më mirë se Panathinaikosi, pa e nënvlerësuar as atë që më ofruan në Greqi.

I gjithë problemi në Greqi ishte që donin më shumë kohë që të vendosnin, mirëpo unë nuk doja që të prisja. Kaq mund të them, nuk dua të komentoj më gjatë për të tjera gjëra dhe arsye.

Çfarë ju bindi nga Legia?

Më kishte kërkuar edhe një vit përpara dhe i dija të gjitha kushtet dhe gjithçka. Kam vendosur pa u menduar dy herë.

Keni nisur të krijoni shoqëri në skuadër?

Ka shumë drejtues të klubit që janë në dispozicion 24 orë për të më plotësuar çdo gjë nëse unë kam nevojë. Nga lojtarët, kam pasur shumë mbështetje dhe janë treguar njerëz shumë pozitivë me mua. Për momentin po jetoj me një futbollist italian, Kristian Paskuato, që ka ardhur edhe ai këtë sezon në ekip. Përgjithësisht, flasim italisht me njëri-tjetrin.

Si është jetesa në Poloni, në krahasim me Zvicrën?

E dija që Varshava është një qytet i madh, por jam i befasuar. Nuk mungon asgjë. Jam befasuar jo vetëm nga qyteti, por edhe nga njerëzit për mikpritjen. Këtu e duan shumë sportin dhe sidomos Legian. Më kanë përkrahur edhe nëpër rrugë kur dal dhe kur jam në lëvizje. Kjo gjë më bën të ndihem mirë. Jam ndier mjaft mirë që në fillim, sikur të isha prej shumë kohësh në këtë skuadër.

A keni pasur takim me përfaqësues të tifozëve apo ultrasve?

Tifozët janë shumë të zjarrtë, por deri tani nuk kam folur me ta, sepse është kapiteni që shkon dhe komunikon me ultrasit.

Para disa ditësh, ultrasit e Legias tronditën botën me banderolën që përdorën ku një ushtar nazist kërcënonte një fëmijë. Ju personalisht si u ndiet dhe çfarë menduat në atë moment?

Fillimisht, ne e dinim që ata do të bënin diçka në tribunë. Së pari për faktin se janë tifozëri që krijojnë në çdo ndeshje, por edhe për faktin se një ditë më parë ishte festa e çlirimit të Polonisë nga Gjermania. Kur hapën atë banderolën e madhe, mbetëm të gjithë të befasuar.

Të jem i sinqertë, në atë moment nuk e kam kuptuar se si ishte dhe çfarë domethënie kishte. Më vonë ma shpjeguan se çfarë kishin paraqitur tifozët dhe kuptimin e saj. Të tillë janë tifozët e Legias dhe janë shumë po përdor fjalën ‘të çmendur’ pas ekipit.

E keni menduar ndonjëherë që t’i bëni për vete që t’ju dedikojnë edhe koreografi spektakolare siç bëjnë gjithmonë ata?

Unë mundohem çdo ditë që të stërvitem mirë dhe të jem në formë dhe gati për të shënuar dhe ndihmuar ekipin në ditën e ndeshjes. Në çdo ekip që kam luajtur, i kam bërë tifozët për vete dhe që të më duan. Edhe te Legia besoj që me punën time dhe uroj që edhe me golat e mi të fitoj edhe zemrat e tifozëve. Besoj që shumë shpejt do ta realizoj edhe këtu diçka të tillë.

Keni deklaruar se pretendoni të arrini kuotën e 20 golave. Ka qenë deklaratë nga entuziazmi apo e synoni vërtet?

Po, e mendoj si të arritshme. Për momentin, objektiv parësor është që të rigjejmë fitoret. Pastaj, unë jam sulmues dhe dua që të shënoj sa më shumë gola.

Çfarë objektivi personal keni?

Dua që të jem një ndër golashënuesit më të mirë në Poloni.

Me sa keni biseduar deri tani me trajnerin apo lojtarët, sa e njohin Shqipërinë?

Trajneri, që kur kam ardhur në ditën e parë, më ka thënë që më ka ndjekur në Europian. Legia ka luajtur më parë edhe me Kukësin dhe flasin mirë për Shqipërinë. Mirëpo, flasin gjithmonë për momentin në Tiranë kur janë goditur me një send. Një nga lojtarët është goditur në fushë dhe më tregojnë që “ju në Shqipëri godisni dhe keni tifozë të çmendur”.

Sa mendoni që transferimi në një ekip të madh si Legia do ju ndihmojë që të ruani ecuri pozitive edhe në Kombëtare?

Te Legia ndihem shumë mirë. Të them të drejtën, është një nga klubet më të mira që kam qenë deri tani. Të gjitha kushtet janë perfekte që të zhvillohem akoma më mirë si profesionist. Përveç golave, dua që të fitojmë kampionatin, Kupën dhe të shkojmë sa më larg në Europë. Këto janë objektivat e momentit dhe nuk dua të largohem shumë dhe të shoh shumë në avancë.

Për të kaluar te Kombëtarja, çfarë mendoni se mund të sjellë trajneri i ri?

Fillimisht, i uroj suksese. Kam folur me shokun te Legia, Paskuato, i cili e ka pasur trajner te Livorno. Ai më ka treguar si është si trajner. Unë shpresoj që të na shërbejë të gjithë grupit, si ekipit, por edhe individualisht të gjithë lojtarëve, pasi pjesa më e madhe ka një moshë relativisht të re. Shpresoj që të bëjmë mirë.

Çfarë keni mësuar nga shoku juaj për Panuçin?

Më ka thënë si i bën stërvitjet, si është si person. Pra gjërat elementare, pasi më duhet që ta njoh vetë dhe të krijoj opinionin tim. E përgjithshmja është shumë pozitive dhe është trajner që ka shumë dëshirë që të fitojë. Është trajner shumë i rreptë.

Ai e nisi punën me udhëtimin për të takuar Xhakën, por ky i fundit nuk iu përgjigj…

Nuk kam folur me Xhakën dhe nuk e di fare se çfarë ka ndodhur. Nuk jam në brendësi të ngjarjeve. Nuk dua të flas vetëm bazuar në atë që është thënë në media.

De Biazi, në një intervistë, ka thënë që “Xhaka duhet t’u kërkojë ndjesë shokëve të ekipit në Kombëtare”. Sipas jush, a duhet që ta bëjë ai diçka të tillë?

Nuk jam në brendësi të situatave që kanë ndodhur. Di vetëm të them që Taulanti na shërben shumë si lojtar. Nëse duhet të bëjë diçka, me gjithë zemër, duhet ta bëjë për flamurin dhe për Shqipërinë. Jam shumë i sigurt që Taulanti do të jetë prapë me ne dhe do të na ndihmojë sepse ka kualitete. Të gjithë e dimë që është lojtar, i cili mund të na shërbejë shumë në Kombëtare.

A ndieni ndopak keqardhje që nuk u transferuat te Sioni, meqenëse tashmë është edhe Kukeli me Lenjanin dhe duket si Shqipëri e vogël?

Sioni më ka kërkuar, mirëpo unë kisha planifikuar që të largohesha nga Zvicra. Kam qenë në kontakt gjithmonë me Paolon, por vendosa që të ndryshoja. Kisha gjashtë vite që luaja me të njëjtat skuadra, me të njëjtët trajnerë dhe me të njëjtët arbitra (qesh). Kishte ardhur koha që të ndryshoja. Me Paolon jam ndier mirë në Kombëtare dhe te Lugano, por edhe ai e kuptoi se çfarë dëshiroja. Nuk jam bërë fare pishman që zgjodha Legian.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.