SPORT

Presidenti i Skënderbeut, Takaj zbardh prapaskenat: Ja si e shitëm Latifin

09:37 - 15.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Pesë vite më parë, Ardjan Takaj e kishte të qartë objektivin e tij. Të vazhdonte projektin që kishte nisur te Skënderbeu. Por, përveçse të fitonte tituj kampionë, kishte vendosur një “bast” me veten. Kërkonte të revolucionarizonte mënyrën e drejtimit të klubeve shqiptare.

Pesë vite më pas, suksesi flet vetë. Përveç pesë titujve të skuadrës, pjesëmarrje në Kupat e Europës dhe mbërritja deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës, ajo që bie në sy është shitja e lojtarëve.

Që prej janarit të 2016-ës, klubi korçar ka arritur të bëjë tri supergoditje. Fillimisht, Olainka te Gent për 1.1 milionë euro, më pas Berisha tek Anzhi për 600 mijë euro dhe së fundmi Liridon Latifi. Shitjen e këtij të fundit që “Panorama Sport” e bëri të ditur një ditë më parë, e ka konfirmuar dje presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj.

PRESIDENTI

“Çdo gjë është mbyllur për sa i përket shitjes së Latifit dhe jemi OK. Megjithatë, nuk dua të zbuloj shumë detaje, pasi kemi përpara ndeshjet me Dinamon e Zagrebit dhe jemi të fokusuar plotësisht aty.

Ka disa detaje të tjera që do t’i zbuloj më vonë. Latifi do të luajë fillimisht të dyja ndeshjet ndaj Dinamos dhe më pas do të largohet”, është shprehur fillimisht Takaj në prononcimin e tij. Pushkash Akademi është klubi që do të paguajë 1 milion euro për blerjen e Latifit.

Gjithçka është mbyllur dhe zyrtarizimi do të bëhet pas dy ndeshjeve që korçarët do të luajnë me Dinamon e Zagrebit. “Ne nuk i zgjedhim ekipet se cili ka emrin më të bukur. Ne zgjedhim atë që ofron më shumë. Megjithatë, mund t’ju garantoj se është një ekip shumë i fortë që po investohet shumë.

Shitja e Latifit ishte objektivi ynë më i rëndësishëm i verës. Nuk besoj se do shesim më lojtarë në këtë verë, megjithatë nuk i dihet asnjëherë. Tani të shohim në janar se çfarë mund të bëjmë”, sqaron Takaj. Për sa i përket zëvendësuesit të Latifit, presidenti thotë se është gjetur, por emri do të bëhet i ditur pas 2-3 ditësh.

NDESHJA

Në lidhje me sfidën e parë ndaj Dinamos së Zagrebit që do të luhet të enjten në Kroaci, Takaj shprehet: “Është një ndeshje e fortë dhe kërkojmë përqendrimin maksimal në këtë sfidë. Me skuadra të tilla duhet të japësh në fushë përtej mundësive për të marrë rezultat pozitiv.

Për këtë qëllim jemi të fokusuar maksimalisht në këtë ndeshje dhe po i japim rëndësi çdo detaji. Po i bëjmë hyzmetin deri në fund dhe të shpresojmë te një rezultat pozitiv. Jemi të vetëdijshëm që do të kemi përballë një skuadër shumë të fortë, por ne do të japim gjithçka brenda mundësive tona për të marrë një rezultat pozitiv. Besojmë se mund të kalojmë në fazën e grupeve”.

PREMIO DHE BATUTA

Kreu i korçarëve konfirmon edhe premion 200 mijë euro që është në dispozicion të ekipit në rast se kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Më pas, Takaj tregon edhe një ngjarje pikante në lidhje me premiot. “Përpara ndeshjes me Sportingun, i thashë që premio për fitoren është 300 mijë euro.

Dhe kur mbaroi ndeshja, hyra në dhomat e zhveshjes dhe lojtarët më thanë ‘ta futëm’. ‘Kështu ma futni gjithmonë’, u thashë, pasi 200 milionë i marr unë dhe 300 ata, në rregull jemi. Edhe kësaj radhe, ishalla po ‘ma fusin’ këta, mbase m’i marrin”, mbyll me batutë dhe i qeshur prononcimin e tij për gazetën “Panorama Sport” presidenti i Skënderbeut.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.