DOSSIER

Arratisja e Pierin Nogës, “tradhtari” që nderoi vendin në Marsejë/ Historia e ish-mbrojtësit dinamovit, i cili përfundoi në Shtetet e Bashkuara!

08:30 - 11.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga UVIL ZAJMI




Sa herë që e takoj Pierin Nogën, kam një ndjesi të veçantë. Jo vetëm si ish-futbollist, i edukuar, në fushë e në jetë, por edhe për faktin se në vite, në mjaft takime, kemi qenë bashkë në fushë, ai lojtar dhe unë arbitër. Karriera e nisur me Partizanin, i pëlqyer, i vlerësuar nga Resmja deri te momenti kur u arratis pas Olimpik M-Dinamo, një largim i bujshëm për kohën që tronditi regjimin. Interesimi i Bernard Tapisë, reagimi i ashpër i Tiranës, takimi me Bajkon dhe transferimi në SHBA, ku prej shumë vitesh jeton me familjen në Nju Jork. “Vetëm Ilir Daja e dinte që do të largohesha. Isha në dhomë me të. I dhashë fanellën time me numrin 5 që ta dorëzonte në klub”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Një ngjarje për t’u kujtuar, jo vetëm për ata të brezit tonë, por edhe për lexuesit, ata që pak e dinë se çfarë ndodhi me “tradhtarin që nderon vendin” në aeroportin e Marsejës në mëngjesin e së enjtes së 20 shtatorit 1990. Vetëm pak muaj më parë, Shqipëria ishte goditur me ngjarjen e ambasadave…

ARRATISJET E BUJSHME TË SPORTISTËVE SHQIPTARË NË DIKTATURË

Nga Bule Vathi, Bahri Kavaja, Qemal Vogli, tek Aleksandër Kondo, Bërsheni, Hoxha dhe Noga. Të gjitha arratisjet e sportistëve të shquar në vitet e diktaturës. Të parët, dy futbollistët e njohur të Dinamos, Kombëtares, Vathi e Kavaja, që duke udhëtuar me anije për një turne në Varshavë, në ngushticën e Bosforit u hodhën në det, duke u arratisur. Jehona ishte e madhe. Vetëm me ardhjen e demokracisë, më 1997, Bule Vathi u shfaq në “Qemal Stafa”, por si vizitor.

Pastaj Qemal Vogli, portieri i famshëm i Dinamos dhe Kombëtares, që u largua gjatë një turneu në Gjermaninë Lindore, por pa qëndruar gjatë, vetëm katër muaj, duke u detyruar të rikthehet në Tiranë. Nuk e burgosën, por nuk e lejuan të vazhdojë futbollin. Në dekadat që vijuan, asnjë largim, frikë, nga pasojat e tmerrshme për familjarët ishin disa nga arsyet që i frenonin.

Ishte viti 1965, më 3 gusht, atleti i Partizanit në ecjen sportive, Adem Sabli, gjatë qëndrimit disaorësh në aeroportin e Beogradit pas kthimit nga Pekin-Moskë-Pragë-Budapest, në pritje për t’u nisur në Tiranë, ai merr arratinë duke vrapuar, ndonëse i vihen pas, por pa mundur ta ndalojnë. Pastaj, largimi tejet sensacional i peshëngritësve Aleksandër Kondo dhe E. Sukniqit, kur në kthim nga një veprimtari në Poloni, në Titograd, u larguan.

Pak vite më vonë do të arratisen me bujë futbollistët e Vllaznisë, L. Bërsheni dhe A. Hoxha, që në tetor 1987, pas Rops Rovaniem-Vllaznia në Finlandë (Kupa e Kupave, turi i dytë), në kthim, në Athinë, pas mesnate braktisën hotelin. Pasojat ishin katastrofike, dënime për familjarë, trajnerë dhe drejtues. Pastaj ajo e Pierin Nogës, futbollist i Dinamos, Kombëtares, pas Olimpik M-Dinamo, Kupa e Kampioneve, shtator 1990. Një tjetër ngjarje, siç kanë qenë të gjitha ato me arratisjet në diktaturë: Me plot të pathëna, sekrete, ankthe, enigma, emocion dhe histori. Ndoshta nuk do të mjaftonin as një dhe as dy faqe gazete, por libra pa fund…

KUSH ËSHTË PIERIN NOGA?

I datëlindjes 1963, një mbrojtës surprizë kur u shfaq, me një stil loje të veçantë dhe tërheqës, me cilësi teknike individuale, lojtar taktik për futbollin që demonstronte. Tipik lojtar i filozofisë dhe taktikës së Dinamos. Pse? Sepse ishte i qetë, me një zotërim të mirë të topit, pozicional dhe i pagabueshëm në rolin e mbrojtësit të lirë. Elegant, një “libero” modern, me vizion loje, shumë korrekt dhe gjatë një dekade që luajti vetëm një karton të verdhë ka marrë nga arbitri shkodran Tef Prela. Një karrierë e nisur me Partizanin, Shkëndijën, 31 korrikun, më pas debutimi më 1982-shin me Dinamon, ku luajti deri më 1989-‘90. Pjesëmarrës në Kupat e Europës me kombëtaret e moshave, ndaj Aberdin dhe dy herë me përfaqësuesen: Në Londër më 26 mars 1989, Angli-Shqipëri 5-0, në Suedi-Shqipëri 3-1. Qëndrimi në Marsejë deri më 1994, për t’u larguar përfundimisht në SHBA, për të veshur në pak kohë edhe fanellën e Konektikat, Nju Jork Sentauërs.

Tifoz i Holandës, Ajaksit dhe i Krujfit. “Kur isha fëmijë doja të bëhesha si Safet Berisha. Kam një kujtim me të, jemi takuar në Francë, ‘Euro 2016’”. Fans i këngëtares Vaçe Zela, Janis Parios, aktorit amerikan të filmave uestern Klint Instvud, dhe i Mesit: “Ku shkon Mesi, me atë skuadër bëhem tifoz”, thotë. Pa harruar edhe Sefedin Brahon: “Sa i vështirë, i papërmbajtshëm”! Pastaj rivaliteti me 17 Nëntorin e Mingës, Kolës dhe Muçës: “Ishte një skuadër më solide se Partizani i Mustës, Shehut, Lames dhe Panos”. Ndërsa Sulejman Demollari, për Nogën shprehet: “Një futbollist inteligjent, shumë i saktë në lojë, gjithmonë me radion afër, një intelektual i vërtetë. Dinamo e Birçes, ishte një skuadër që i fitoi të gjithë trofetë kombëtarë në atë sezon”.

NË MARSEJË, PËR HERË TË PARË

Shtatori i vitit 1990 regjistron të parën përballje historike të futbollit shqiptar me atë francez, kurrë më parë as me klube as me përfaqësuese. Shorti i edicionit 1990-‘91 i Kupës së Kampioneve në turin e parë, Dinamo-Olimpik Marseja, klubit të presidentit të bujshëm Bernard Tapi. Një humbje e thellë, ndaj një skuadre me 8 lojtarë të Kombëtares, midis tyre golashënuesit Kantona dhe “Topi i Artë”, Papen, e në stol trajnerin e mirënjohur, F. Bekenbauer. 90 minutat marsejeze nuk kanë histori. Rezistenca dinamovite mundi t’i bënte ballë sulmit të fuqishëm të francezëve deri në fund të pjesës së parë që u mbyll 1-0 me gol të Papen.

Arratisja e famshme që u frymëzua nga “Konti i Montekristos”/ Rrëfehet Pjerin Noga: I bënë presion Ilir Dajës. Babain ma hoqi nga puna Xhelil Gjoni!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.