Dy persona janë arrestuar në Vlorë, pasi janë kapur me mina me telekomandë. Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Fatjon Gjonaj dhe Ergys Gjonaj, (xhaxhai dhe nipi).
Mësohet se gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e mjetit me të cilin po lëviznin dy të arrestuarit, policia gjeti dhe sekuestroi 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.
Njoftimi i policisë
“Vlorë/Parandalohen ngjarje të rënda kriminale. Sekuestrohen 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Knock Out 2”, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë. Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas (xhaxhai dhe nipi), të cilët i kishin fshehur minat, në kroskotin e automjetit me të cilin lëviznin.
2 ditë më parë, Policia e Vlorës parandaloi një tjetër ngjarje të rëndë kriminale dhe vuri në pranga një shtetas që lëvizte me pistoletë me silenciator, me doreza dhe me kapuç, në çantë.
F. Gj., 33 vjeç, banues në Burrel dhe E. Gj., 19 vjeç, banues në Laç (xhaxhai dhe nipi).
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e këtyre 2 shtetasve, si dhe për kapjen e 2 subjekteve të tjera të dyshuara të përfshira në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.