Këngëtarja e dashur Fifi ka ndarë pak nga jeta e saj dhe nga gjendja emocionale në të cilën është ndodhur për disa vite radhazi.
E ftuar në emisionin “Në kurthin e Piter Panit”, këngëtarja ndau mesazhe të rëndësishme përsa i përket raportit me psikologët, duke e cilësuar si një lidhje të rëndësishme e kuptimplotë për të zhvilluar identitetin tonë.
Fillimisht Fifi ka treguar se vuajtjet e saj kanë nisur që nga vitet 2000, e se që kur ishte në parashkollore bënte konsulta me psikologë.
Sipas saj, këto konsulta i kanë mbetur si një mësim i vlefshëm, se përveçse prindërve, nëse kemi diçka që na shqetëson mund të konsultohemi e me psikologë, pasi janë ata që nuk na gjykojnë kurrë.
“Jam lindur e jam rritur në Gjermani. Deri në 2000, kur jemi kthyer në Kosovë kam qenë shumë e lumtur. Nga 2000 e këtej me probleme, sepse e kam vuajtur shumë. Ka qenë fëmijëri e zymtë. Kam stërmenduar, por sërish jam e lumtur që kam stërmenduar, sepse më ka bërë këtë që jam.
Që kur kam qenë në kopsht në Gjermani, bënim konsulta me psikologë, e ndoshta më ka mbetur si një mësim, që nëse dëshiron që dikush të të dëgjojë kur ke një hall, i vetmi njeri që nuk të gjykon përveç prindërve, është psikologu.”, tha ajo.
Fifi u shpreh se konsultat me psikologun kanë vazhduar deri përpara 3 viteve, e se i kanë shërbyer shumë për mirëqenien e saj.
“Kështu, unë deri në moshën…në fakt deri përpara 3 viteve kam pasur konsulta të vazhdueshme me psikologë të ndryshëm, e mua më kanë bërë shumë, po shumë “hajër”.”, shprehet këngëtarja.
Ajo i bëri thirrje të gjithë fëmijëve, por kryesisht prindërve që të shohin ekspertet e shëndetit mendor si gjëja më e shëndetshme që mund t’i ushqejmë vetes, e sidomos të vegjëlve.
“E unë ua sugjeroj të gjithë fëmijëve, sidomos prindërve, nëse shohin që i kanë fëmijët introvertë, le ti çojnë tek psikologu se nuk është aspak turp. Bilës, është gjëja më e mirë, e më e shëndetshme që mundesh t’ja ushqesh fëmijës.”, tha Fifi.
E pyetur nga moderatorja se përse ka pasur nevojë për këto konsultime, këngëtarja u shpreh hapur për eksperiencat e saj të hidhura që ka pasur përgjatë fëmijërisë së saj, pasi arritën të ndikonin në mënyrën se si ajo mendonte për veten dhe jetën e saj.
“Ishte emocionale, ishte bullizimi për paraqitjen e mënyrën se si ushqehesha, për mënyrën se si qëndroja, për mënyrën se si flisja…e kështu u izolova totalisht derisa hormonet e adoleshencës shpërthyen në moshën 17-18 vjeçare e aty më pas “u harbova komplet”.”, e përmbylli këngëtarja.