LAJMI I FUNDIT

Në ambientet ku të marrin mësysh fasadat

08:19 - 29.06.24 FRANO KULLI 
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA FRANO KULLI 




Batutën e kam huazuar prej aktorit të shquar Paulin Preka. Siç ma kanë pas kallëzuar asokohe, në fillimvitet ’80 të shekullit të shkuar. Paulini, që e kishte shtëpinë jo larg Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër, rrugës për në punë, në teatër kalonte andej pari e kështu, më e pakta dy herë në ditë, don a s’don e “pitirote” (fotografonte) me sy godinën hijerëndë.

Atyre ditëve kur ustallarët e Ndërmarrjes Shtetnore të Ndërtimeve, NSHN-ja, siç qe akronimi i saj e kishin suvatuar përjashta e po e lyenin godinën, siç lyheshin asokohe godinat publike, përgjithësisht me një oker të zbehtë të dalë boje, Paulini që po ecte me një kolegun e vet, po edhe mik i tij gjithashtu, pasi shikon sa majtas-djathtas, për t’u garantuar se nuk po e dëgjonte kush tjetër përveç bashkëbiseduesit, i thotë me zë të ulët atij, duke shikuar nga fasada në të djathtë: “Shihe mor sa bukur janë tuj e bá, me t’pasë lezet shpirti me hy mbrendë…

Humor i zi, mendon e thua kur sjell ndërmend se ç’tortura shtazarake janë krye ndër njerëz aty në ato biruca përmbrenda fasadës që po lyhej. E shumë prej tyre edhe sepse ndonji batutë si kjo e mjeshtrit të humorit, kishte kapërcye intimitetin e kishte përfundue në veshët pipëz të agjentëve të regjimit. E prej aty mandej në kalvarin e mundimeve që një nji Zot e din. Kështu ajo batuta vinte, si i thonë, ‘Me ba gaz me të dekun përpara”… Sesi më erdhi ndër mend pardje batuta e hershme, sa e hollë po aq djegëse e therëse në njërin prej institucioneve shtetnore DPSHTRR-Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, (sa akronimi e ngatërrueshme!), në njërën prej degëve të saj në Laç. Ky ent i madh shtetëror shërbimesh ka qenë instaluar aty qysh në fillimvitet 2000, në disa kapanone gërdallë të trashëguara prej kohës së komunizmit.

Dhe kështu ka shkuar për më se njëzet vjet. Edhe për ato vite kur ky shërbim i qe deleguar një kompanie private dhe që zgjati gati një dekadë, gjendja e strukturave ndërtimore e tillë mbeti. Ndërsa ajo copë rrugë dytësore, që shkëputej nga rruga e vjetër nacionale për të shkuar atje, diku nja një kilometër e gjysmë…, lëre mos pyet, baltë që ndeshte shasinë e makinës; ferr i vërtetë, për atë që rasti e çonte aty. Dhe këtij ferri nuk mund t’i mënjanohej askush që posedonte një makinë, së paku njëherë në vit, kur do të duhej që makinës së tij t’i bënte kolaudimin teknik e të paguante taksat vjetore .

Tani gjithçka ka ndryshuar, rruga me baltë është asfaltuar, sheshet brenda godinave gjithashtu, ndërsa vetë godinat janë krejt tjetër gjë. Të riparuara e të lyera bukur fort së jashtmi, arredimi përbrenda tyre është i përkryer, në zyrat e sportelet e shërbimit sipër secilës shënohet destinacioni i shërbimit, ka kamera vëzhguese në çdo cep, çka mendon se janë luks i lakmueshëm edhe për në të tjera vende jo si ne, por si në ato ku ëndërrojmë të shkojmë që prej më se tri dekadave. Punonjësit e shumtë aty janë fort të paraqitshëm, gjithçka mirë e bukur sa… me të vërtetë “me të pasë lezet shpirti me hy mbrendë”. Nuk vonojnë me të krye punë, t’i plotësojnë pa fort vonesë dokumentet që duhen.

Ndërsa kur të përcjellin tek arka për të paguar…, merri masat mirë se aty duhen shumë lekë. Bie fjala thjesht për të printuar një letër dublikatë, në format A4 (210x 297 mm) të dhënat e së cilës, ti i ke paguar njëherë kur ke regjistruar aty mjetin tënd, paguan njëmijë lekë (të reja); nëse të ka rënë rrugës njëra targë (që s’është tjetër gjë përpos se një fletë alumini 10 x 40 cm me sfond të bardhë e shkruar me të zezë, e me stemën e Republikës në anë, me elemente fosforeshente) e t’i shkon ta zëvendësosh, duhet të paguash jo më pak se 8500 lekë të reja. Domethënë, të dyja së bashku, letra dhe llamarina sa paga e tri ditëve e një punëtori ndërtimi… Pa llogarit këtu navigimin (lundrimin) treditor në “e-Albania” nga adresa e policisë deri te kjo DPSHTRR-ja.

Por… hallall deri këtu. E papritura që të pret është radha e gjatë, e gjatë fort e makinave të të gjitha llojeve e markave; e veturave dhe e furgonëve e kamionëve e trajlerave, që të tremb. Përgatitu për një paradite të plotë me pritë në radhë aty, në ato ambientet ku të marrin mësysh fasadat e bukura…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.