SHËNDET

Ilir Agastra: Çfarë është dhimbja dhe si të përballemi me të

15:45 - 04.03.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dhimbja është një eksperiencë e pakëndshme sensore dhe emocionale e lidhur me një dëmtim indor aktual ose potencial ose e përshkruar si e tillë. Ndryshe nga ndjesitë e tjera si shikimi, dëgjimi, nuhatja, shija dhe prekja, dhimbja është gjithnjë e lidhur me një emocion të pakëndshëm. Kur sillni ndërmend dhimbjet që keni kaluar ju kujtohet se ato janë shkaktuar nga dëmtime indore si lacerime, tërheqje, përdredhje, djegie, fraktura, etj.




Pse keni dhimbje?
Ne dimë se dhimbja është një sinjal paralajmërues se diçka nuk shkon mirë në trupin tonë. Ajo na lejon të kuptojmë dëmtimin, ta lokalizojmë atë dhe na mobilizon për përgjigjen e stresit. Por disa herë sistemi i paralajmërimit shkakton një alarm të panevojshëm ose më të madh se ç’duhet. Kjo “sirenë alarmi” vazhdon të ushëtijë edhe kur nuk ka dëmtim apo sëmundja është shëruar. Në disa lloj dhimbjesh kronike shumë ekzaminime dhe teste laboratorike nuk gjejnë ndonjë diçka anormale që të shpjegojë dhimbjen; në këto raste mjeku shpesh i thotë pacientit “dhimbja është në kokën tënde”. Fakti se gjithë testet laboratorike janë normale nuk do të thotë se ajo është psiko-gene. Çrregullimet psikiatrike dhe simulimi janë shumë të rralla në pacientët me dhimbje kronike. Nga ana tjetër duhet të dimë se dhimbja kronike çon në pasoja psikologjike si depresion, ankth ose stres. Një ose disa nga këto pasoja hasen në shumicën e pacientëve me dhimbje kronike, por nuk do të thotë se shkaku i dhimbjes është psikogen. Për pacientin me dhimbje kronike një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjë mjeku është t’i thotë: unë ju besoj se po vuani nga dhimbja dhe do të përpiqem t’ua lehtësoj, bile dhe pa e gjetur shkakun e saj.
Dhimbja e kokës dhe migrena.

Pasi kemi përjashtuar (me analiza dhe ekzaminime të ndryshme) diçka “të tmerrshme” brenda kokës, ajo çka mbetet është trajtimi i dhimbjes.
Dhimbja e mesit me rritjen e moshës.

Rrallë këshillohet operacioni dhe i vetmi mjekim është menaxhimi i dhimbjes.
Dhimbja e artritit.

Kyçet mahisen, deformohen apo shqyhen dhe shpesh nuk mund të shërohen. Në këto kushte kontrolli i dhimbjes (dhe jo riparimi i kyçit) bëhet synimi kryesor i trajtimit.

Ku mund të drejtoheni për ndihmë?
Në qoftë se dhimbja nuk ju qetësohet me analgjezikët që jepen pa recetë në farmaci ose vazhdon më gjatë se sa e mendonit, atëherë drejtohuni tek mjeku i familjes. N.q.s. mjekimi i dhënë nga ky i fundit nuk ju qetëson, atëherë drejtohuni tek një klinikë dhimbjesh. Në këto klinika do të gjeni personel mjekësor i cili do t’ju besojë, do t’ju kuptojë dhe do t’ju ndihmojë për të qetësuar dhimbjen e fortë të paqetësuar deri tani. Për të kontrolluar dhimbjen ka një sërë trajtimesh. Disa prej tyre veprojnë në një pjesë të pacientëve, kurse në pjesën tjetër nuk veprojnë. Kjo shpjegohet me faktin që dhimbja është një përvojë individuale. Doktori mund të provojë tek ju një numër trajtimesh me shpresë se do të jenë të suksesshme. Kjo nuk do të thotë se ai “po bën prova”. Disa herë trajtimet nuk japin rezultat qysh në fillim dhe duhen disa javë për të vlerësuar efektivitetin e tyre. Në raste të tjera ato veprojnë në fillim, por me kalimin e kohës efekti ulet.
Medikamentet.
Qetësuesit e dhimbjes (analgjezikët) ndahen në të dobët (paracetamoli, aspirina) dhe të fortë (morfina, petidina etj). Për lloje të ndryshme dhimbjesh ka medikamente të veçanta. Rregull i përgjithshëm për medikamentet e dhimbjes është dhënia e tyre me orar të caktuar dhe jo vetëm kur ke dhimbje. Në vizitat e mëpasshme bëhet përshtatja e dozave ose zëvendësimi me medikamente të tjera derisa të arrihen rezultate të kënaqshme. Në dhimbje shumë të forta trajtim i vetëm efektiv mbeten opioidet (morfina, petidina etj); të përdorura sipas porosisë së mjekut, këto medikamente janë të parrezikshme dhe nuk përbëjnë rrezik “drogimi”.
Fizioterapia.
Ushtrimet dhe lëvizjet e kontrolluara të pjesës që dhemb shpesh ndihmojnë në rivendosjen e funksionit të muskujve dhe artikulacioneve të ngrira.
Injeksionet
Disa medikamente japin efekt më të mirë kur injektohen afër vendit të dhimbjes ose përgjatë rrugës së nervit që përçon dhimbjen. Disa herë mund të lihet një fill plastik (kateter) në zonën e dhimbjes nëpërmjet të cilit hidhet ilaç herë pas here. Stimulimi elektrik (TENS-i), i vendosur mbi lëkurë redukton ndjesinë e dhimbjes në zona të veçanta.
Suporti psikologjik realizohet nga psikologu nëpërmjet teknikave të relaksimit dhe bio-feedback-ut. Terapi shtojcë të tilla si manipulimi i artikulacioneve, acupunctura, proloterapia, etj janë të dobishme.

Këshilla e dhimbjes.
Është e rëndësishme ruajtja e aktivitetit fizik dhe mendor. Provo të bësh aktivitet fizik të përditshëm, por mos e teproni. Ecja ose noti janë veçanërisht të dobishme për shumë njerëz. Vishni këpucë të rehatshme që nuk e deformojnë qëndrimin tuaj. Provo të ruash aktivitetet shoqërore, veçanërisht kontaktet me familjen dhe shokët.
Përvoja e dhimbjes kronike prek jo vetëm vuajtësin, por edhe njerëzit përreth, veçanërisht familjen. Provo që ndjenjat negative t’i ndash me personelin mjekësor, kurse momentet e mira me familjen dhe miqtë.

Provo të krijosh një marrëdhënie të ndershme me personelin mjekësor që po punon për ty. Ata janë me ty, sepse të besojnë për dhimbjen që ke dhe dëshirojnë të të ndihmojnë. Provo të mos kërkosh këshilla nga shumë burime, sepse shpesh ato janë kontradiktore dhe të bëjnë konfuz. Doktorët, ashtu si dhe profesionistët e tjerë, kanë rrugët e tyre të preferuara për punën. Disa janë më të specializuar në teknika të veçanta. Në qoftë se një doktor dhimbjesh e ndjen se ju mund të përfitoni më shumë nga një teknikë që ai nuk e di aq mirë, atëherë do t’ju dërgojë tek një specialist tjetër. Po ashtu në qoftë se ju e ndjeni se mund të përfitoni më shumë nga një lloj trajtimi, diskutojeni pa hezitim me mjekun tuaj. Së fundi kënaqu edhe nga gjërat e vogla në jetë dhe gëzoju momenteve, ditëve dhe javëve pa dhimbje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.