AKTUALITET

Tomorri i lashtë mitik Dodonë pellazgjike, tempull Abaz Ali …Samarxhi: Pelegrinazhi më i madh i viteve, mbi 100 mijë makina

10:04 - 24.08.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga FERDINAND SAMARXHI
MJESHTËR I MADH




NË VEND TË PROLOGUT…

Patos shpirtëror i pandalur. Krijesa njerëzore, indigjencë e Zotit absolut, si krijesë e Tij në tokë, me besim tek Ai, rrugëton drejt absolutizimit të jetës, duke përshkuar realitetin me madhështinë e dashurisë së Krijuesit.

Sakrifica në adhurim, në këtë kohë, atmosferë, prezencë pandemie, më shumë se kurrë përshkon një realitet, që rrit potencialin e saj hyjnor. Njeriu manifeston dhe shfaq një integritet më të lartë për kohën dhe ecjen e saj. Vlerat e ekzistencës së qenies njerëzore rriten dhe udhëhiqen drejt përsosmërisë në botën ekzistenciale, në të cilën gjendet dhe përballet me të.

Kohezioni shpirtëror në këtë kohë përgatit, performon, një krijesë njerëzore, që edhe pse jeton në një diversitet mendimesh, interesash, instinktesh konceptuale pro dhe antagoniste, përshkon një patos të pandalur drejt një revolucioni gjithnjë në rritje. Krijesa njerëzore bëhet më ekzigjente, më koherente, përballet me realitetin, lufton me sfidat e tij, vijimëson me optimizëm revolucionin shpirtëror si krijesë hyjnore e vetë Krijuesit të Gjithësisë, si krijesë më inteligjente e gjithë krijesave të universit.

Në këtë ekzigjencë, krijesa njerëzore, patosi shpirtëror i tij, rrugëton pa u ndalur drejt realitetit, sfidave, ngjarjeve, kohëve, në histori…

samarxhi-pelegrinazhi mali i tomorit (3)

TOMORRI, NË SHKRIMET E PARA HOMERIKE…

Nga thellësitë e honeve, mjegullnajave të kohëve, majë maleve epike, kreshmëve të lartë, shqiponja deodoniane çan tisin e hapësirës, sheh nga larg dhe thellë, të skalitur në legjenda, histori, në rreshtat e historiografive të lashtë helenë konturet e tempullit të parë mbi dhe, Dodonës Pellazgjike, Orakullit të Zeusit.

Tomorri, ky tempull më i lashtë në botë, na shfaqet dhe përcillet nëpërmjet gurrës mitologjike, ku vështrimet e studiuesve nuk arrijnë dot. Emri dhe historia e tij dokumentohet mjaft herët, që në fillimet e shkrimeve të para të poemave homerike.

Në Tomorr kishte një tempull parailir ku jetonin perënditë.

Homeri, në poemën “Ilida” thotë: “O Mbret Zeus, Dodonës Pellazgjike, që banon larg duke sunduar Dodonën, (Tomorrin e sotëm) që e rrahin dimra të rëndë e të egër”. Dodona ishte një qendër pellazge, parahelenike, shumë më e vjetër se gjuha, Perënditë dhe mitologjia greke, thotë P. Aravantioti në librin e tij, botuar në Janinë, 1859.

Si e tillë u njoh në krejt botën e lashtë tempulli i Tomorrit, si tempulli më i parë mbi dhe. Aty bëheshin blatime e kushtime (afieroma). Vinin popuj edhe përtej kufijve veriorë të Ilirisë. Pellazgët, citon Herodoti, e kishin zakon t’u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse mësova në Dodonë. Sipas tij, pellazgët: “Nuk mund të ishin vetëm një popull barbar, molosët dhe arkadasit pellazgë”.

Mali i Dodonës është Tomorri, rrëzë të cilit gjendet faltorja e Zeusit. Dodona është një vend malor, thotë Straboni, gjeografi grek.

Eskili, në shek. V p.e.s., te “Prometeu i lidhur”, f.800: …”Kur ju të keni arritur në Tokën e Molosëve, të Dodonës së Sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot …”. Në librin VI, VII ai shprehet se, Tempulli i Dodonës gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomorri i sotëm”.

Ky tempull sot është në majën e malit të Tomorrit, 2417 m lartësi, vendi i shenjtë Kanotaf i Abas Aliut.

Këtu, Zeusi deshi të ndërtohet faltorja më e vyer për njerëzinë, Orakullin e tij, Dodonën Pellazgjike.

Herodoti, që e ka vizituar vetë atë tempull në librin e tij, kur bën fjalë për profecitë e Dodonës, priftëreshat e tempullit, thotë që kjo faltore ka qenë më e vjetra nga gjithë të tjerat, më e para, tempulli, më i lashtë mbi dhe.

Priftërinjtë që shërbenin në tempull, edhe popullsia në viset përreth, flisnin gjuhën e Pellazgëve. Sami Frashëri shkruan se: “… edhe në kohët më të lashta, të qytetëruara të Greqisë, tempulli i famshëm i Dodonës që ndodhej në Epir, ishte dhe u përkiste pellazgëve”

Vizitorë që vinin përtej kufijve jugorë, Greqisë, ishin të detyruar të merreshin vesh me përkthyes.

Pelejet, thotë gjeografi Meletios, në librin e tij f. 214, (pëllumbesha) quheshin gratë e tempullit të Dodonës, të cilat ishin barbare. Flisnin gjuhë të ndryshme nga greqishtja. Dukeshin si zogjtë në mes të të huajve që vinin aty për të vizituar tempullin për të mësuar nga profecitë e tyre fatin e jetës.

Pelejet nuk flisnin helenisht, por gugutitnin si barbarë. Tri plakat e Orakullit të Dodonës që përmend Straboni, lidhen me emrin e fisit “Graik”

”Gratë” që lokalizoheshin sipas tij pikërisht në Epir. Gesandtlen Erich Luckwald, historian gjerman, citon se: “Popullsia dhe vendasit përreth e quajnë atë tempull në mal si vendin e profecive”.

Fjala “Gra” është pellazge, ilire, vendase, shqipe. Sipas Herodotit, babait të historisë së lashtë greke, feja helene e Athinës buron nga atdheu ku ndodhet Dodona, nga Arkadia, nga “Pleqtë”, d.m.th. nga pellazgët, nga Epiri.

Historia e gjenezës sonë na mëson se ka pasur disa orakuj të Zeusit, jo vetëm në trojet tona, por edhe në Libi, Egjipt. Ka një Dodonë famëmadhe. Disa orakuj të Zeusit gjenden edhe jashtë tokave epirote, toske. Prej kësaj vatre, mitologjia na thotë se tradita e shenjtërisë së Zeusit dhe ajo e mitologjisë është përhapur në drejtim të Greqisë e më gjerë.

Historianët mendojnë se Dodona mëmë ka qenë në Tomorr, bijat e saj në Janinë, Volos, Selanik, Itali… Gjurmimet në fushën e gjuhësisë, toponimisë, historisë, gojëdhëna, legjenda, gjurmime, zbulime arkeologjike, ndoshta një ditë do të identifikojnë Dodonën mëmë, pellazgjike në Tomorrin e Shqipërisë.

samarxhi-pelegrinazhi mali i tomorit (6)

DODONA MITOLOGJIKE, FILLESË…

Emri dhe historia e tempullit të malit të Tomorrit është e pandarë nga emri dhe historia e Dodonës.

Fillesa e gjenezës sonë vërtitet dhe rrotullohet rreth malit mitik, malit hyjnor, malit Zot.

“… Dodona është ndërtuar, shkruan Herodoti, nga banorët vendas të Epirit, nga më të moçmit, pellazgët, arkadhët dhe tirrejt”.

“…Popullsia rreth Ilirisë dhe vendet e tjera e quanin atë një vend të perëndive”

Atdhe të Dodonës, Hesiodi quan Hellopinë.

samarxhi-pelegrinazhi mali i tomorit (4)

Këtu Zeusi deshi Të jetë një faltore

Më e vyer për njerëzinë GJENEZË HISTORIKE…

Emri dhe vendi i Dodonës dhe krahinës përreth, u quajt Hellopi, sikundër quhet edhe Eubea. “…Dodona dhe Lisi, shkruan Hesiodi VIII-VII p.e.s., ishin qendra e Pellazgëve”, se hyjnori Lykaon ishte i biri i Pellazgut, duke përforcuar kështu thënien e Homerit shekuj më parë, se Pellazgët, paraardhësit e gjenezës sonë, ishin veçse një popull hyjnor.

Stefan Bizantini pohon se Hellopia, me të cilën lidhet emri i krahinës, është Gurra Mitologjike e emrit ku pozicionohet tempulli. Hellopi ishte i biri i Jonit, emri etnik i Hellopies, krahinë përreth Dodonës. Joni është i biri i Durrahut. Joni është edhe i biri i mbretit, Ilir Adria nga mori emrin deti Adriatik. Gjiri Jonian është gjiri ku lindi Zeusi, deti i Kronit dhe i Reas, sipas Pierre Grimanit, vendi ku shtegtoi Nimfa Arkade, Io-ja e ndjekur nga Zeusi, sipas Eskilit dhe Ovidid. Deti Jon në hershmëri të thellë përfshin edhe detin Adriatik.

Pellazgu, pohon Dionis Halikarnasi në librin e tij të parë, ishte i biri i Zeusit dhe i Niobës të Foronit. Dimë se Zeusi ka lindur në Arkadi në viset e Shqipërisë së sotme se Foronidha përfaqëson Jonë, Europën, një nga gratë e Zeusit, se emri i nimfës lidhet me detin Jon. Në librin e dytë, ai pohon se Enea arriti në Dodonë me ushtarët më të zgjedhur për të kërkuar mendimin e Perëndisë, për të gjetur ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenën. Enea mbërriti në vendin e Enianëve, me të cilin e lidh jo vetëm emri i përbashkët, por siç duket edhe origjina.

Te tempulli i Dodonës, te lisi i saj, u lut Uliksi për t’u ndihmuar nga profecitë për të gjetur rrugën e kthimit për në atdhe, Itakë.

Halikarnasi fakton se pjesa më e madhe e pellazgëve shkoi tek aleatët, vëllezërit e tyre në Dodonë, ndaj të cilëve askush nuk mendonte të bënte luftë, sepse ishin të shenjtë, hyjnorë. Meqenëse vendi nuk i ushqente dot të gjithë, me porosi të Orakullit të Dodonës, u hodhën në Itali, në Ombri, në lumin Pad ose Spine. Pseudo Skylasi, Tuqididi, Klod Ptolemeu, Tit Livi etj., pohojnë se paraardhësit “elej”, fis epirot, përkatësisht ilir, u përhapën në Italinë e Jugut. Në lashtësi, figurohen disa qytete epirote me këtë emër, por edhe gjiri Elatea në Efyrë.

samarxhi-pelegrinazhi mali i tomorit (2)

TRADITË MITOLOGJIKE…

Tradita mitologjike dhe historike dëshmon se banorët e lashtë të këtij vendi quheshin Arë, Argë, Arkadhë dhe më pas Pellazgë, Likaonë, Dorë, Kadmej, Heraklidë, Hylejë dhe në antikitet Ilirë. Në kohët e historisë homerike, banorët e këtyre vendeve quheshin pellazgë, në antikitet epiriotë dhe ilirë, sinonime të emrave të përgjithshëm etnikë kombëtarë të gjenezës sonë.

Tek “Iliada”, Homeri thotë: “Pas Enianëve, vijnë Perrebetë që banojnë rreth Dodonës dimërkeqe”. Këto dy fise, sipas Omerit, ishin pjesëmarrëse në luftën e Trojës dhe banues pranë Dodonës Pellazge.

Straboni na mëson se Orestët, banorët e Orestiadhës (krahinë e vjetër e Beratit), banonin në gjithë rrethin e Tomorrit, Beratit, dhe morën emrin nga Oresti, i biri i Agamemnonit, komandantit të ushtrisë greke në luftën e Trojës.

Dodona është ndërtuar në një epokë shumë të hershme në epokën mitologjike. Lidhja Argë–Pellazgë–Dodonë–Likaone–Aiakas–Pirrej–Hyllej– Heraklide-Epiote-(Thesprote-Mollose) është lidhje vertikale e drejtpërdrejt e banorëve, e gjenezës sonë.

HELLOPIA, ATDHEU I DODONËS…

Në poemën “Carmina”, Hesiodi jo vetëm përshkruan Hellopinë, por e cilëson si atdhe të Dodonës. Gjeografi Meleti dëshmon se Hellopia është fusha e Dodonës pellazge lëvduar prej Hesiodit qysh në shek. VIII p.e.s vazhdon të thirret në gjuhën e vendit “Lopësia”.

Hesiodi, libri VII, f. 16, përmend si vend të faltores së Dododnës qytetin Sella të Selliopisë. Hellopia është një vend me plot ara pjellore, tufa të mëdha dhensh, lopësh etj., dhe të parët e këtij vendi ishin lopçarë ose siç thuhet ndryshe “vuvotë”.

…Është një fushë Hellopia. Këtu në pjesën më të madhe është e nderuara Dodona.

Pindari pohon: “Prej Dodonës nisin fushat Dotiane”. Sipas historiografisë, toponimeve, sipas të gjitha gjasave, janë fushat përpara Tomorrit, Myzeqeja, fusha e Shqipërisë Perëndimore, fusha e Elbasanit.

TEMPULLI I LASHTË I DODONËS PELLAZGJIKE – TEMPULL ABAZ ALI…

Ujdhesa Arabe. Kalifat i zi. Jeziti Mavisë. Gjak, rrjedhje lumë. Obskurantizëm çnjerëzor. Mjegullnajë trishtimi, zie. Tinëzi. Pabesi. Tradhti. Qerbelaja, plazdar lufte, përballje e pabarabartë. Shkelje ligjesh e çdo gjë. Qerbela, përgjakje e skuqur. Gjak trimash e heronjësh. Histori e pa shkruar.

72 luftëtarë përballë mizorive të falangave të panumërta të Mavisë. Dhjetë ditë luftë, pa ujë, pa ushqim, marrin jetë. Eufrat i helmuar. Buzë të çara, portrete të tharë. Vajtim foshnjash, vaje grash, pambarim.

Abaz Aliu, shenjtori i Qerbelasë, me dy-tri foshnja në duar, rrëmben kaçek, mëkon foshnjat me ujë, vjen në profeci dhe shenjtëri të Tempullit, Dodonës Pellazgjike, Tomorrit të sotëm.

…Ç’është ai që shkon kaluar, Ikën si veriu

Me dy–tri foshnja ndër duar? Është’ Abas Ali!…

Profecitë e tempullit, fuqia e tij e mbinatyrshme, Shenjtor, mëkon vendin e shenjtë, Tomorrin, vendin e sotëm kanotaf “Abaz Ali”

 …Abaz Aliu zu Tomorr,
Erdhi afër nesh,
Shqipëria s’mbet e gjorë,
Se Zoti atë e desh…

Prej pesë ditësh, shenjtori, me mëkimin e vendit të shenjtë, Orakullit të Zeusit, fluturon drejt Olimpit, vend i dytë i ndalimit të tij. Prej këtej, në Qerbela, në fushën e betejës, ku e presin mizori shigjetash.

Tomorri, qytezë antike, si dikur në lashtësi, dëgjon logun e rëndë të këmbëve të burrave që ngazëllejnë gjithë natën në Tomorr, duke pritur agun e mëngjeseve, si një ngazëllim, si dikur në lashtësi për Apollonin.

SHUMË KOHË MË VONË…

Shumë kohë më vonë, rreth shek. XIV, Hysen Tysiu, misionar i parë, stërnip i familjes profetike, i ngarkuar me mision për të përhapur kuranin, të shkruar me dorë dhe simbolin e Islamit, mbërrin në trojet tona me një torbë dhe të marrë nga fusha e Qerbelasë. Duke qenë i informuar se në këto troje gjendej tempulli më i lashtë i dheut, Faltorja e Dodonës, Orakull i Zeusit, vendi më i parë dhe më i hershëm i shenjtë, siç pohon dhe Homeri, me një popull hyjnor, varrosi torbën me dhe pikërisht në këtë tempull, duke krijuar kështu mekamin e Abaz Aliut.

Nisur nga jeta e heronjve mitikë, që është përkushtim për perënditë, bektashinjtë u përkujdesën veçanërisht në shërbim të shenjtërimit të këtij tempulli të lashtë. Që nga ajo kohë, tradita vazhdon dhe në ditët e sotme, pa dallim midis besimeve. Sot, tempulli i lashtë i Dodonës, Abaz Aliu, është kthyer si dikur në një tempull botëror, ku vijnë qindra e mijëra pelegrinë nga të gjithë anët e botës, si dikur në lashtësi.

HISTORI E KURBANIT…

Kurbani është akt sublim, i gatishmërisë së njeriut për të flijuar, gjënë më të shenjtë, më të dashur që posedojmë në emër të Krijuesit. Tek Allahu, thuhet në Kuran, nuk arrin as gjaku, as mishi, i tij, por takvallëku juaj (devotshmëria). Kjo do të thotë se kafsha e flijuar është ndërrim simbolik me atë që duhet flijuar. Kurbani është rast unikal, simbolik, praktik i demonstrimit të besimit, që ndikon të unifikohet dimensioni shoqëror dhe religjioz.

Në këtë kontekst, tradita në Tomorr vazhdon si atëherë që bëheshin Kurban, në blatim dhe kushtime ndaj Perëndisë. Ky rit sot vazhdon si dimension njerëzor, religjioz.

TRADITA E KURBANIT, HELLIT…

Në lashtësi, diku mes Gjirokastrës dhe Sarandës së sotme, figurojnë dy qytete, Helanon dhe Helakranon, fjalë ku në rrënjë të tyre gjendet helliopia, helloi, selloi, ahello, hellan me rrënjët “hell”, duke faktuar se mishi i therur për nder të Zeusit dhe Dodonës pellazgjike, piqej në hell si blatim për perënditë. Këtu e ka prejardhjen edhe kurbani që bëhet sot në Tomorr, Dodonën pellazgjike, që nga thellësitë e lashtësisë së kohëve, që kanë ardhur dhe vijojnë edhe në ditët e sotme. Gjithë Epiri është “helli”, “selleis”, vendi i shkuarjes në hell të mishrave të pjekura si flijim dhe blatim për Perëndinë.

PËRJETIM HISTORIK…

Në zemër të tempullit, logu i valles i burrave të moçëm përcjell natën gjer në agimet e mëngjeseve. Sa herë që vjen fundgushti, në tempull, vetiu, flaka ndizet për atë që erdhi kaluar… Në këtë ngazëllim, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, profecitë e tempullit, blatime e kushtime (afieroma) blaton, përcjell frymën e shenjtërisë së këtij vendi për të gjithë pelegrinët, të ardhur si dikur përtej viseve të Ilirisë, nga të katër anët e botës, me urimin e madh të Tempullit të Dodonës Pellazgjike, Orakullit të Zeusit, Tempullit të sotëm, Abaz Aliut


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.