OPINION

Triptiku anti-Kosovë i diplomacisë ruse

07:43 - 20.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shaban MURATI

 

Dalja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë në datën 16 mars me tri deklarata të njëpasnjëshme kundër Kosovës, jo vetëm krijoi konturet e një histerie diplomatike anti-Kosovë, por edhe nxiti kureshtjen për të kuptuar këtë vëmendje diplomatike të pazakontë të një shteti të madh ndaj një shteti të vogël në një pikë gjeografike të largët nga Moska. Triptiku anti-Kosovë i dikasterit kryesor të politikës së jashtme ruse shpreh në kornizën e vet një qëndrim jashtë çdo norme dhe kriteri diplomatik dhe etik dhe reflekton ngjyrat e një urrejtjeje racore. Deklarata e parë titullohet: “Mbi mundësinë e krijimit të ‘forcave të armatosura të Kosovës’”. Deklarata e dytë titullohet: “Hyrja e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave”. Deklarata e tretë titullohet: “Vendimi i Kosovës për të marrë pronën e Serbisë”.

Në deklaratën e parë mllefi antishqiptar e lëshon diplomacinë ruse deri në shkallën e hiperbolës, kur një shtet i fuqishëm ushtarakisht, që po aspiron të bëhet superfuqi, i bie kambanës së alarmit për rrezikun, që i vika Europës nga krijimi i ushtrisë së Kosovës. “Një hap i papërgjegjshëm, që është i rrezikshëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Europën”, lexohet në deklaratën e MPJ të Rusisë. Nuk mjafton vetëm ana komike e fryrjes së problemit, kur një ushtri, që do të ketë nja 8 mijë veta, do të rrezikoka gjithë Europën. E lëshon akuzën një shtet, i cili ka një nga makinat ushtarake nga më gjigantet në botë, i cili për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore pushtoi një shtet europian fqinj dhe ia prishi kufijtë dhe ia aneksoi territoret me agresion ushtarak. I thotë një shtet, që ka lëshuar gjuajtësit dhe bombarduesit në gjithë qiejt e shteteve të pavarura europiane, që ka lëshuar nëndetëset dhe kryqëzorët të shkelin ujërat territoriale të vendeve europiane, që ka drejtuar raketat e veta bërthamore drejt gjithë kryeqyteteve perëndimore, që po ndërhyn brutalisht në punët e brendshme e deri në zgjedhjet në të gjitha shtetet perëndimore. Pompimi i të ashtuquajturit rrezik, që mund të përbëjë ushtria e Kosovës dhe Kosova, jo vetëm për Europën, por edhe për gjithë botën, e çon fantazinë letrare të deklaratës së MPJ të Rusisë në maja të tilla si: “Rusia është e shqetësuar që territori i Kosovës është përdorur për të rekrutuar njerëz për të marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme në anën e ekstremistëve dhe për të përgatitur sulme terroriste në vendet e tjera”. E thotë Ministria e Jashtme e një shteti, nga territori i të cilit janë rekrutuar me mijëra mercenarë me pasaportë ruse (disa media japin shifrën prej 10 mijë vetash, pra më e madhe se ushtria e ardhme e Kosovës), të cilët luftojnë në radhët e ISIS-it në Siri dhe në Irak. E thotë Ministria e Jashtme e një shteti, i cili zyrtarisht ka dy vjet që ka dërguar forcat e tij ushtarake në territorin e Sirisë për të luftuar përkrah regjimit të Damaskut kundër popullit sirian. E thotë një shtet, që harron se në disa atentate terroriste të ndodhura në disa shtete të botës, ka pasur jo pak terroristë me pasaportë ruse.

Deklarata e dytë e MPJ të Rusisë për Kosovën i sulet procesit të ligjshëm dhe të natyrshëm të afirmimit juridiko-ndërkombëtar të shtetit të pavarur të Kosovës. Moska del me zemërim kundër anëtarësimit të shtetit të Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, OBD, me seli në Bruksel, dhe shtet depozitar i instrumenteve të së cilës është Belgjika. Pa u menduar dy herë, MPJ ruse i sulet Belgjikës, se “ka marrë një vendim të motivuar politikisht, dhe kjo vë në dyshim reputacionin ndërkombëtar të Brukselit”. Në fakt Belgjika ka ndërmarrë një veprim normal juridik, që si shtet depozitues i instrumenteve të OBD, ka pranuar instrumentet e anëtarësimit të Kosovës, e cila u pranua zyrtarisht anëtare në 4 mars. Belgjika u soll me përgjegjshmëri ndërkombëtare dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, veproi drejt, që falënderoi qeverinë e Belgjikës dhe ministrin e saj të Jashtëm, Didier Reynders, për mbështetjen që i dhanë pranimit të Kosovës në OBD.

Kosova është shtet i njohur nga 114 shtete të OKB-së, është anëtare e 50 organizatave ndërkombëtare, rajonale dhe botërore, dhe përmban të gjitha atributet juridiko-ndërkombëtare të një shteti, me të drejtë anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Fakti që njeri apo tjetri shtet i veçantë, si Rusia, nuk e dëshiron dhe e pengon të drejtën e Kosovës për të qenë anëtare e organizatave ndërkombëtare, nuk zhvleftëson të drejtën e Kosovës dhe të çdo shteti të pavarur për të qenë anëtar. Raporti midis dy shteteve, Rusi-Kosovë, është raport dypalësh, dhe nuk ka lidhje dhe as mund dhe as duhet të ndikojë në të drejtat individuale të secilit shtet për të qenë anëtar i organizatave apo i organizmave ndërkombëtare. Kriteri i arrogancës së shtetit të madh, që ndjek dhe afishon diplomacia ruse, është se, meqë Rusia nuk e ka njohur Kosovën, ajo nuk njeh ligjshmërinë e veprimit të shtetit depozitues të OBD që të pranojë instrumentet e anëtarësimit nga Kosova. Kemi të bëjmë me një mentalitet të papranueshëm për normat, rregullat dhe ligjet ndërkombëtare, kur një shtet i madh si Rusia pretendon që t’i merret leje për të drejtën e shteteve të tjera, sidomos të vogla, që të jenë anëtarë me të drejta të barabarta të bashkësisë ndërkombëtare.

Deklarata e tretë e MPJ të Rusisë kundër Kosovës ka të bëjë me vendimin e drejtë të qeverisë së Kosovës për të shtetëzuar pronat e patundshme të ish-federatës jugosllave, që ndodhen në territorin e Kosovës, një veprim dhe një praktikë që e kanë ndjekur të gjitha shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia dhe për të cilën kanë rënë dakord të gjitha shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia. Pra Kosova po zbaton tani, madje me vonesë, praktikën që kanë ndjekur të gjitha shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia, dhe të cilët kanë rënë dakord që çdo shtet të shtetëzojë për hesap të tij pronat e patundshme ish-jugosllave që ndodhen në territorin e tij. Ministria e Jashtme ruse e quan këtë vendim sovran të qeverisë së Kosovës “një akt uzurpimi dhe në kundërshtim me bazat e civilizimit europian”. Duke lënë mënjanë ironinë që krijon “shqetësimi” i diplomacisë ruse për civilizimin europian, mund të përmendim këtu që MPJ e Rusisë nuk ka protestuar asnjëherë për vendimet e njëjta të qeverive të shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia, për shtetëzimin e pronave të patundshme ish-jugosllave në territoret e shteteve të reja.

Ajo që mund të cilësohet vërtet e pafalshme për një diplomaci serioze dhe për një profesionalizëm juridik e diplomatik, është gafa e MPJ të Rusisë në këtë deklaratë, ku e quan Serbinë “trashëgimtare legale të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”. Nuk mendoj se drejtoria juridike e MPJ të Rusisë nuk e di që në Këshillin e Sigurimit të OKB, dhe me votën e Rusisë, janë miratuar në vitet 1992-1996 një sërë rezolutash, që njohin barabartësisht të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia si trashëgimtare të ish-RSFJ. Në ato rezoluta theksohet se asnjë nga shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia nuk mund të pretendojë statusin e trashëgimtarit të vetëm legal të ish-RSFJ. Mbi këtë bazë u zhvilluan edhe bisedimet zyrtare midis gjashtë shteteve ish-jugosllave për ndarjen e pasurisë jugosllave, dhe mbi këtë bazë, të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia u kualifikuan si shtete të reja, përfshirë edhe Serbinë. Nuk mendoj se MPJ ruse nuk e di që Serbia u pranua si shtet i ri në vitin 2000 edhe në OKB, edhe në OSBE, edhe në KE etj., dhe Rusia ka dhënë votën atë vit për këtë gjë. Nuk ka informacion nëse Ministritë e Jashtme të shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, kanë ndërmarrë përçapje sqarimi pranë MPJ ruse për këtë deklarim absurd. Në fakt, teza false se Serbia është trashëgimtarja legale e ish-Jugosllavisë është një tezë serbe, që diplomacia serbe e përdor pareshtur në vendet e treta në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, për ta paraqitur veten si trashëgimtare të ish-RSFJ, sepse në ato kontinente ka shtete, që nuk kanë interes të dinë se ku bie Ballkani dhe jo më se kush është trashëgimtari i një shteti ballkanik, që ka vdekur. Mashtrime të tilla të vockla juridiko-diplomatike, janë normale për një shtet si Serbia, por kurrsesi për një shtet të madh dhe serioz.

Triptiku anti-Kosovë i diplomacisë ruse nuk mund të mos nxisë të mendosh se çfarë motivesh ka MPJ e një shteti të madh, që nuk e ka Kosovën dhe popullin shqiptar as në kufi dhe as në ndonjë relacion historik, gjuhësor apo kulturor, t’i kushtojë një angazhim kaq frenetik. Shpjegimi i parë është për të fryrë tensionet në Ballkan dhe për ta paraqitur situatën sikur Ballkanin nuk po e nxit Rusia, por Ballkani po prodhon vetë vatra tensionesh dhe konfliktesh. Shpjegimi i dytë është për të mbështetur dhe justifikuar Serbinë, e cila është bërë instrumenti kryesor i strategjisë ruse të tensioneve në Ballkan, dhe po acaron marrëdhëniet me Kroacinë, me Kosovën, me Bosnjën etj. Shpjegimi i tretë është për të mbuluar implikimin dhe luftën hibride të Rusisë në Ballkan dhe për të nxitur konfliktet ndëretnike në rajon, duke përhapur akuza dhe insinuata për shqiptarët, kudo që jetojnë në Ballkan. Shpjegimi i katërt është se triptiku diplomatik anti-Kosovë jo rastësisht përkoi me trevjetorin e pushtimit dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia. Zhurma ruse për Kosovën duhej të mbulonte krimin e Krimesë. Forcat ushtarake ruse pushtuan gadishullin e Ukrainës dhe pastaj organizuan me forcat-kukulla dhe tanket ruse një të ashtuquajtur referendum të bashkimit me Rusinë. Moska po e përdor si justifikim këtë referendum farsë me tanke ruse dhe harron se në vitin 1991, pa tanke ruse dhe pa ushtri ruse, u zhvillua referendumi i vërtetë dhe demokratik në Krime, ku shumica e popullsisë vendosi me votë të lirë që të qëndrojë e bashkuar me Ukrainën.

Fokusimi i diplomacisë ruse në përhapjen e urrejtjes kundër Kosovës dhe kundër popullit shqiptar është e qartë se kërkon një veprim dhe ndërgjegjësim më të fortë të shtetit, të diplomacisë dhe të kombit shqiptar, për të papriturat antishqiptare që mund të organizojnë institucionet ruse në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Duhet të shkundë mendjet e disa forcave politike, disa politikanëve dhe të disa shoqëricivilistave në Shqipëri, që po kërkojnë të nanurisin opinionin me opiumin rus. Janë një skotë idiotësh të dobishëm të Rusisë në Tiranë, të cilët nuk kanë mësuar asgjë as nga diplomacia e as nga atdhedashuria, dhe me ndërgjegje apo pa ndërgjegje po bëjnë lojën e Rusisë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.