OPINION

Ukraina e meriton një protestë për Kosovën

17:30 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shaban MURATI

 

Në diplomaci ka disa momente, kur një akt i një shteti, me të cilin ke marrëdhënie diplomatike, merr peshën e pikës së ujit, që derdh gotën e durimit diplomatik. I tillë mund të quhet hapi i pazakontë i ambasadorit të Ukrainës në Serbi, Aleksandër Aleksandroviç, i cili në datën 22 mars u dërgoi gjithë mediave serbe një deklaratë zyrtare, në të cilën shpreh kundërshtimin e Ukrainës për vendimin e qeverisë së Kosovës të datës 15 mars për të regjistruar pronat e patundshme të ish- RSFJ, që ndodhen në territorin e Kosovës, si prona të shtetit dhe të popullit të Kosovës. “Ukraina, thuhet në deklaratë, vazhdon t’i mbahet qëndrimit për mosnjohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Ne ndajmë të njëjtin qëndrim me qeverinë e Serbisë se këto hapa janë antikushtetuese dhe nuk kanë baza legale jo vetëm mbi Republikën e Serbisë, por, gjithashtu, as mbi Ukrainën”.

Kjo deklaratë zyrtare e Ukrainës është me të vërtetë një gjest i pazakontë dhe anormal diplomatik. Çfarë pune ka Ukraina me çështjet e brendshme të shtetit dhe të popullit të Kosovës? Çfarë pune ka Ukraina me vendimin e brendshëm të qeverisë së Kosovës, e cila ndërmori një akt të drejtë ligjor për të shtetëzuar pronat e patundshme të ish-RSF të Jugosllavisë, që ndodhen në territorin e Kosovës. Ministria e Jashtme e Ukrainës duhet të ketë kaq njohuri nga ecuria e situatave pas shembjes së ish-Jugosllavisë, se ka një parim juridik të vendosur me konsensus, për të cilin kanë rënë dakord të gjithë shtetet trashëgimtare të ish-Jugosllavisë, që secili shtet do të shtetëzojë për hesap të tij pronat e patundshme ish-jugosllave, që ndodhen në territorin e tij. Në këtë praktikë të përbashkët post jugosllave po ecën edhe qeveria e Kosovës, e cila nuk ka bërë asgjë të veçantë, as ilegale dhe as të padrejtë. Është një e drejtë dhe çështje ekskluzivisht e brendshme e shtetit sovran të Kosovës, për të cilën nuk ka asnjë lloj tagri Ukraina të ndërhyjë dhe të shprehë kundërshtime, edhe sikur të kishte marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Sjellja e Ukrainës është e habitshme edhe për faktin se kërkon të bëhet më serbe se serbët dhe të marrë flamurin e mbrojtjes së interesave koloniale të Serbisë në Kosovë. Është e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme, sidomos po ta ballafaqosh me qëndrimin zyrtar antiukrainas të qeverisë së Serbisë. Ukraina ka zgjedhur këtë lloj fanatizmi pro serb, në një kohë kur Serbia ka injoruar, ka shkelur dhe ka fyer të gjitha të drejtat dhe interesat e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Ukrainës. Pesë ditë përpara deklaratës së famshme të ambasadorit ukrainas në Beograd kundër shtetëzimit të pronave të patundshme ish-jugosllave në Kosovë, Ministria e Jashtme e Ukrainës publikoi në 17 mars një komunikatë zyrtare, ku dënon me terma të ashpra vizitën e një delegacioni të deputetëve të parlamentit të Serbisë në Krimenë e pushtuar nga rusët, me rastin e festimeve të organizuara nga ushtria ruse për trevjetorin e aneksimit të Krimesë. Delegacioni i deputetëve serbë, ku bënin pjesë shumë deputetë të koalicionit qeveritar serb, bënë thirrje të hapura për njohjen e Krimesë si pjesë e Rusisë.

Serbia nuk e ka dënuar asnjëherë agresionin rus në Ukrainë dhe as aneksimin e Krimesë nga forcat ushtarake ruse. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, e ka përshëndetur hapur presidentin rus Putin për pushtimin e Krimesë. Serbia nuk është bashkuar dhe i ka kundërshtuar sanksionet, që BE ka shpallur ndaj Rusisë si dënim për aneksimin e Krimesë. Serbia nuk ka dënuar asnjëherë ndërhyrjen e forcave ushtarake ruse në Ukrainën Lindore dhe as krijimin nga Rusia të entiteteve separatiste të Donjeckut dhe te Luganskut. Mercenarë serbë dhe organizata paraushtarake serbe kanë marrë pjesë krahas forcave ruse në pushtimin e Krimesë dhe janë rreshtuar edhe aktualisht në radhët e forcave separatiste proruse, që luftojnë për shkëputjen e Ukrainës Lindore. Serbia, menjëherë pas agresionit rus në Ukrainë, i ofroi forcave ushtarake desantuese të Rusisë territorin serb për stërvitje të përbashkëta ushtarake. Serbia ka nënshkruar Traktatin e Partneritetit Strategjik me Rusinë dhe Moska po e armatos Serbinë me raketa dhe me armët më të sofistikuara për ta përdorur si instrument presioni ushtarak në rajon dhe rreth tij.

Në dhjetor të vitit 2016 Serbia votoi në OKB kundër rezolutës së paraqitur nga Ukraina për Krimenë, sepse kështu ia kërkoi Rusia.

Në një situatë të tillë, kur Serbia ka dalë zyrtarisht kundër sovranitetit, kundër interesave kombëtare dhe ndërkombëtare të Ukrainës, nuk mund të mos habisë ky lloj fanatizmi filoserb i diplomacisë ukrainase, e cila bën sikur nuk i sheh goditjet, që ia jep nën brez Serbia, dhe në mënyre aprioristike vazhdon të manifestojë dashuri pa kushte për Serbinë dhe urrejtje pa kushte ndaj Kosovës. Sepse nuk mundet që një shtet serioz dhe një diplomaci serioze të krenohet me absurditete tipike sovjetike, siç bën ambasadori i Ukrainës në Serbi, i cili lavdërohet se Ukraina, kur ra në të njëjtin grup me Kosovën për kualifikueset e kampionatit europian të basketbollit dhe të kampionatit botëror të futbollit, vendosi që ndeshjet pritëse t’i luante jashtë kufijve të saj, për të demonstruar se nuk e njeh Kosovën.

Qëndrimi alogjik dhe hiperemotiv i Ukrainës ndaj Kosovës është i habitshëm po ta shohësh edhe një kënd tjetër, nga pikëpamja e qëndrimit mbështetës, që Shqipëria ka mbajtur ndaj Ukrainës. Sepse Kosova është pjesë e pandarë e çështjes kombëtare shqiptare dhe qëndrimi negativ ndaj Kosovës domosdoshmërisht duhet konsideruar si qëndrim negativ dhe ndaj Shqipërisë.

Shqipëria i ka dhënë një përkrahje të madhe dhe të gjithanshme diplomatike dhe politike Ukrainës. Që në kohën e revolucionit të portokalltë dhe të ndryshimeve demokratike në atë vend Shqipëria ka përkrahur vazhdimisht procesin e integrimit euroatlantik të Ukrainës. Shqipëria ka dënuar me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe aneksimin e dhunshëm të Krimesë. Shqipëria është bashkuar me sanksionet e BE kundër Rusisë dhe ka paguar edhe koston e saj për këto sanksione, pra ka bërë një sakrificë për Ukrainën. Shqipëria ka përkrahur të gjitha projekt-rezolutat dhe dokumentet ndërkombëtare në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Shqipëria ka refuzuar ofertat e diplomacisë ruse që të pranonte aneksimin e Krimesë në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Rusia. Ukraina duhet ta kishte vlerësuar lart këtë sakrificë të madhe të Shqipërisë.

Shqipëria i ka mbajtur këto qëndrime në favor të Ukrainës, me gjithë rekordin jo pozitiv të qëndrimit të Ukrainës ndaj çështjes shqiptare dhe kombit shqiptar në Ballkan. Nuk mund të harrohet se mercenarë ukrainas, bashkë me mercenarë rusë, kanë luftuar përkrah forcave serbe në Kosovë. Nuk mund të harrohet se në vitin 2001 helikopterët ukrainas sulmonin fshatrat shqiptare dhe pozicionet e UÇK-së në Maqedoni, duke luftuar përkrah forcave ushtarake maqedonase.

Diplomacia shqiptare nuk shquhet për memorie shtetërore. Kjo provohet nga fakti se në vitin 2011 MPJ e Shqipërisë rekomandonte nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Ukrainës, në kohën që ai shtet udhëhiqej nga presidenti pro rus Viktor Janukoviç. Burime nga MPJ e Shqipërisë shprehen se Traktati me Ukrainën e Janukoviçit mendohet se ishte një sugjerim i diplomacisë ruse për të zëvendësuar në një farë mënyre Traktatin pezull midis Rusisë dhe Shqipërisë, i cili priste nënshkrimin zyrtar, pas siglimit të tij në Tiranë nga ministrat e Jashtëm rus dhe shqiptar në dhjetor të vitit 2004.

Politika e Ukrainës kundër Kosovës dhe serbizimi i saj patologjik nuk kanë lidhje as me Krimenë dhe as me ndërhyrjen ruse atje. Këtë politikë ndaj Kosovës Ukraina e ka ndjekur para aneksimit të Krimesë, që ndodhi në vitin 2014. Diplomacia ukrainase e dashurisë pa kushte ndaj Serbisë, edhe kur ajo e tradhton përditë me Rusinë, nuk mund të klasifikohet ndryshe veçse si një fondamentalizëm sllav. Ndërhyrja e diplomacisë ukrainase në një çështje ekskluzivisht të brendshme të Kosovës, siç është shtetëzimi i pronave të patundshme të ish-RSFJ, shpreh një intransigjencë, që nuk ka lidhje me diplomacinë, por vjen nga një frymëzim fetar.

Lëvizjet e diplomacisë së Ukrainës kundër Kosovës duhen konsideruar si lëvizje kundër Shqipërisë, sepse interesat jetike kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës janë identike. Memoria shtetërore e diplomacisë shqiptare duhet të jetë shumë e ndjeshme në këtë drejtim. Ajo duhet të regjistrojë të gjitha lëkundjet antishqiptare, pavarësisht nëse vijnë nga shtete që shpallen proeuropiane, dhe të bëjë të njohur se nuk pajtohet me asnjë akt të cenimit të interesit mbarëkombëtar. Ndaj mendoj se Ukraina e meriton një protestë për Kosovën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.