DOSSIER

Raporti sekret/ Bisedat e shkrimtarëve kosovarë për Enverin e Mehmetin…

09:49 - 30.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 Nga Dashnor KALOÇI

Interesohej shumë për armët: ‘Ku i ka armatimet ushtria, a është i armatosur populli?’ Kur po kalonim nga Tepelena poshtë rrugës automobilistike, pa një repart ushtarak dhe tha: ‘Ushtarët i pashë, por armë nuk pashë’. Vehbiu i tha: ‘Në do ta dish, raketat janë nëpër tunele e s’mund t’i shohësh’. Pinte shumë duhan e konjak. Respektonte Maksut Shehun e tërhiqej para tij, pasi, siç thoshte ai, e njihte mirë se çfarë grindaveci e pijaneci ishte Maksuti.”

Në fundin e viteve ’70 dhe deri në vitin 1981 kur nisën demonstratat e studentëve në Prishtinë, Tirana zyrtare kishte intensifikuar marrëdhëniet kulturore dhe miqësore me Kosovën (asokohe krahinë autonome), dhe në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe të nënshkruar nga ministritë përkatëse, grupe të ndryshme artistike dhe kulturore, si dhe akademikë, profesorë, studiues, shkrimtarë, artistë, gazetarë etj., venin dhe vinin në Shqipëri e Kosovë, duke shkëmbyer vizita të ndërsjella. Në këtë kuadër, në nëntorin e vitit 1973, erdhën në Shqipëri një grup i madh gazetarësh e shkrimtarësh nga Kosova (Agim Deva, Rifat Kukaj, Maksut Shehu, Qamil Batalli, të cilët lëvronin kryesisht letërsinë për fëmijë. Dhe për t’i pritur e shoqëruar ata gjatë vizitës së tyre disaditore në qytete të ndryshme të Shqipërisë nga jugu në veri, organet përkatëse të Tiranës zyrtare kishin caktuar dy homologë të tyre, gazetarin e njohur Hamit Boriçi dhe shkrimtarin Odhise Grillo, tepër i njohur si në letërsinë për fëmijë, ashtu edhe në gjininë e humorit. Dhe, siç ishte praktika në të tilla raste, në mbarim të asaj vizite, dy shkrimtarët e sipërpërmendur kanë hartuar raportin përkatës për Komitetin Qendror të PPSH-së, duke dhënë me detaje gjithçka ata kanë folur e dëgjuar nga homologët e tyre kosovarë, kryesisht biseda politike për Enverin, Titon, marrëdhëniet në mes Tiranës e Beogradit, opinionet dhe mendimet që ata kishin për njëri-tjetrin dhe homologët e tyre nga atdheu amë, lëvizjet e tyre të dyshimta në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë etj., etj. Raportin në fjalë ne po e publikojmë të plotë, në këto faqe speciale të rubrikës “Dossier”, duke filluar nga ky numër.

 

KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË

(Sektorit të Edukimit)

 

INFORMACION

Me mjaft takt, në bisedat që pati me shokët B. Dedja dhe D. Agolli gjatë darkave të shtruara për ta, V. Kikaj shprehu dëshirën që në Shqipëri të botohen edhe vepra të shkrimtarëve kosovarë për fëmijët. Ai tha midis të tjerash: “Ne kemi bindjen e plotë se ju na kuptoni. Në kushtet e sotme të Kosovës nuk mund të shkruajmë ashtu siç mendojmë, ndaj jemi të detyruar të përdorim simbolet, p.sh. përdorimin e simboleve mund ta shihni qartë në librin tim të fundit, shtëpia ime ka sy kur flas për mbretëreshën ilire Teuta. Çdo gjë që kam thënë aty është simbol për Shqipërinë e sotme të pathyeshme. Në rast se ju do të botoni veprat tona për fëmijët, duhet të dini se kjo ka vlerë të dyanshme, e para sepse kjo do të shërbejë si inkurajim për ne, dhe e dyta se sipas pjesëve që do të zgjidhni për të botuar në Shqipëri ne do të kuptojmë se cila pjesë e krijimtarisë sonë për fëmijët është e shëndoshë dhe i shërben edukimit të fëmijëve kosovarë. Pra botimi i shkrimeve tona në Shqipëri, do të jetë busull për krijimtarinë tonë”. Vehbiu shprehu urrejtjen ndaj fushatës shpifëse që ka ndërmarrë sidomos “Nova Makedonia” kundër Shqipërisë.

Agim Dava

Qamil Batalli, Kryeredaktor i revistës “Pionieri”. Vjen për herë të parë në Shqipëri. Së shpejti shkon kryeredaktor i “Shkëndisë”. Është tip i qetë, i përmbajtur dhe i mbyllur. Flet pak dhe interesohet shumë për gjuhën, pedagogjinë, psikologjinë dhe letërsinë. Shënon në bllok fjalë të urta dhe blen rreth tri herë më tepër libra se të tjerët. Ditët e para pothuajse nuk fliste fare. Shfaqi admirim për zhvillimin e arsimit dhe u habit që në fshat ka shkolla të mesme, bile edhe të profilit bujqësor, kur në Prishtinë ka vetëm një shkollë të mesme. Pas dy-tri ditësh nisi të flasë lirisht vetëm kur nuk shihej e dëgjohej nga të tjerët. Frikën e justifikonte me faktin se në vitin 1947 i kanë zhdukur vëllain, ish-pedagog i zoti dhe patriot. Në bisedat e ditëve të fundit, sa herë që ndodheshim vetëm për vetëm me të, ka ngritur lart rolin e partisë dhe të shokut Enver duke theksuar: ‘Ju keni një parti të fortë e një komandant të fortë e të guximshëm”. Vlerëson politikën tonë të mbështetjes te forcat e veta. Shprehu mendimin se disa na kritikojnë për dyert e mbyllura ndaj turistëve, por në fakt tha se “ju veproni shumë drejt. Jugosllavia pa turizmin nuk mund të jetojë. 70% e buxhetit sigurohet nga turistët, shumë familje në bregdet kanë përfitime të konsiderueshme, po bashkë me dollarët turistët sjellin sëmundje vdekjeprurëse për shoqërinë socialiste. Këtë e provoi Jugosllavia. Ky ndikim ndihet edhe në Kosovë. Ndaj ka shumë pakënaqësi”.

Odhise Grillo

I bënë shumë përshtypje parullat që lexonte rrugëve ose nëpër objekte, sidomos i pëlqenin dy-tre parulla, si: “E rrezikshme është ajo që harrohet”, “Armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykën e topit”, “Të mos harrojmë tragjedinë e BS-së” etj. Shpesh interesohej për policët dhe oficerët, sidomos ditët e para. Ditën e fundit e sqaroi këtë gjë duke thënë: “Propaganda te ne kishte krijuar bindjen se ka shumë policë dhe veçanërisht ne do të ishim njerëz që do të ndiqeshim prej tyre. Policët e armatosur me mitraloza ruajnë shtëpitë e të dyshimtëve, edhe të kosovarëve. Ne pyesim sepse nuk po e vinim re një gjë të tillë. Gjithsej këto 12 ditë kam parë vetëm 10 policë. Jam i bindur se propaganda na mashtron atje. Këtë do ta them edhe atje, pasi te ne ka shumë policë të armatosur, bile edhe me kërbaçë e shkopinj kauçuku”. Interesohej për libra teorikë, pasi sipas tij ata janë nën ndikimin e teorive serbo-malazeze. Ndjeshmërinë e vet e shfaqi në Shtëpinë Botuese, kur nderohej me grusht dhe tha “Enveri të rrojë sa malet”, pasi pa një ekspozitë të shokut Enver ku pa kooperativistët me pushkë, edhe në Varrezat e Dëshmorëve ku nderohej fshehtazi me grusht. Atë ditë që po ndahej nga ne na përqafoi të dyve bashkë, futi kokën midis trupave tanë dhe iu mbushën sytë me lot. Qysh natën e parë gjer në fund fjeti në një dhomë me A. Devën. Pretendon se ka biseduar me Agimin për gjithçka panë e mësuan te ne dhe se vuri re ndryshime të mëdha te Agimi. Ai tha: “U bë shumë mirë që erdhi Agimi. Ai është rritur në ambient tjetër, ka dëgjuar gjithnjë keq për Shqipërinë. Ka ardhur me ne i bindur se do ta prisnit ftohtë se do ta ndiqnit nga pas e do krijonit incidente për ta ndjekur nga vendi ynë. Ai nuk mund të bëhet si ne, po mësoi shumë të vërteta për Shqipërinë”. Rrallë fliste në praninë e të tjerëve. Më tepër dëgjonte. Ka botuar një tregim për Titon i shtyrë nga Agimi. Në të vërtetë ka hequr emrin e Skënderbeut dhe ka vënë emrin e Titos, në një tregim që e kishte gati; këtë na e tregoi Vehbiu.

Maksut Shehu

Rifat Kukaj, redaktor në “Radio Prishtina” për emisionin e fëmijëve. Së shpejti mund të kalojë redaktor në entin e gazetave botuese “Rilindja”. Vjen për herë të parë në vendin tonë. Është inteligjent, më i zgjuari në tërë grupin, njeri i përmbajtur, pa impulse, qesh me ironi dhe flet me thumba. Qysh kur erdhi derisa u largua për të kishte dy tema: femrat dhe pija. Sipas këtij, këto biseda i hapte, pasi nuk dëshironte të bisedonte për gjëra të tjera në praninë e shokëve. Kur ishte vetëm fliste lirisht, por kurdoherë pa emocione. Ashtu si Vehbiu, edhe Rifati ka deklaruar se po të vijë koha, ai i pari do të hedhë ‘bombën’ aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kishte njohuri e të dhëna për historinë, gjeografinë dhe politikën e vendit tonë. Interesohej për emra fshatrash, vendesh, prodhimesh. Dinte me përpikëri se ku ndodhej një vend i caktuar. P.sh., ai dinte se pas asaj kodre ndodhej Delvina. Me atë tonin e tij të qetë të ftohtë deklaronte se dinte shumë për ndërhyrjet e UDB-së, gjatë viteve 1947-1948 e më pas, se kishte lexuar shumë literaturë për të. Ai fliste kundër atyre që ishin dhënë pas luksit dhe pronës private. Kjo duket kontradiktore kur ai vetë mbahej shumë mirë e kishte tokë e bagëti, pronë private në Drenicë. Interesohej shumë për armët: “Ku i ka armatimet ushtria, a është i armatosur populli?” Kur po kalonim nga Tepelena poshtë rrugës automobilistike, pa një repart ushtarak dhe tha: “Ushtarët i pashë, por armë nuk pashë”. Vehbiu i tha: “Në do ta dish, raketat janë nëpër tunele e s’mund t’i shohësh”.

Pinte shumë duhan e konjak. Respektonte Maksut Shehun e tërhiqej para tij, pasi, siç thoshte ai, e njihte mirë se çfarë grindaveci e pijaneci ishte Maksuti. Tërheqjen ua këshillonte edhe të tjerëve. Edhe ky është i interesuar për policët: për oficerët dhe për çmimet. Dëshira e tij e madhe ishte që të vinte Rahman Dedaj në vend të Maksutit. Dinte dhe na tregonte vazhdimisht anekdota kundër Titos, serbëve etj. Këto i tregonte edhe në praninë e Vehbiut, por jo para të tjerëve.

Rifat Kukaj

Gjithmonë pas vizitave ky bënte shënimet në libër dhe të tjerët firmosnin. Nga çdo qytet dërgonte shumë kartolina dhe kërkonte të vinim firmat të gjithë ne dhe në disa raste ngulte këmbë të shkruanim plotësisht emrin dhe mbiemrin. Kërkoi pjesë teatrale të dramatizuara nga “Radio Tirana”, karikaturë nga “Hosteni” , duhan “Taraboshi” për llullën, la kërkesën t’i dërgohen disa pako me duhan të tillë. Ishte i dhënë pas numizmatikës, mblidhte lekë dhe pretendonte se djali i tij pesëmbëdhjetëvjeçar e kishte porositur për një gjë të tillë. Kishte mjaft valutë dollarë, bleu shumë suvenire. Shpesh përmendte si me shaka: “Po të vija disa vjet më parë, nuk do të kthehesha, se më pëlqejnë shumë vajzat këtu, do të dëshiroja të martoja djalin…”

Ai theksonte se duhej marrë parasysh gjendja, kushtet në të cilat ndodheshin, se tani për tani kryesorja është që të luftohet për të shfrytëzuar deri në maksimum të gjitha të drejtat që ua siguronte Kushtetuta. Premtoi se nga Shqipëria do të dhuronte si shënime udhëtimi 4-5 vjersha. Fliste kundër serbëve, admironte kroatët. Rifati sugjeroi se do të ishte mirë që t’u krijohej mundësia, sa më shumë të jetë e mundur, për të ardhur në vendin tonë shkrimtarëve dhe publicistëve, jo vetëm kosovarë, por edhe atyre që janë miq të Shqipërisë, të cilët kanë folur e shkruar mirë për Shqipërinë. Ai tha se një artikull i shkruar në gazetën “Delo” të Lubjanës nga poeti dhe publicist Herman Vogel, bëri jehonë të madhe. Studentët e Lubjanës u ngritën në demonstratë për të zbatuar parimet e arsimit, të shkollës shqiptare si në Shqipëri. Ata mbanin në duar gazetën “Delo” ku ishte botuar edhe një fotografi e Llazar Siliqit. Rifati tha se gazetari Drago Karl i gazetës “Delo”, që e simpatizon Shqipërinë, ka kërkuar të vijë në Shqipëri. “Mendoj- vuri në dukje – se do ishte pozitive kjo vizitë, pasi është gazetar me kurajë dhe, sipas mendimit tim, do të ndriçonte drejt situatën që ekziston sot në Shqipëri, duke hedhur poshtë parullat antishqiptare”. Rifati hiqej sikur ishte kundër sistemit të vetadministrimit në ekonominë jugosllave duke e konsideruar si dështim.

Agim Deva, redaktor përgjegjës i gazetës së pionierëve, organ informativ. I biri i Veli Devës, personalitet i njohur në Jugosllavi. Ka kryer studimet e larta në Prishtinë, dhe tani përgatitet për të mbrojtur magjistraturën. Shumë i ri në moshë, i datëlindjes 1948. Në pamje të parë dukej i qetë, por në të vërtetë e përmbante veten. Ditët e para nuk fliste fare. Më vonë filloi të flasë, por pak më tepër dëgjonte, ndiqte me vëmendje bisedat e të tjerëve. Është pak mendjemadh dhe mbahet për pozitën që ka i ati. Në hotel vazhdimisht flinte me Qamil Batallin. Me të gjithë bisedonte njëlloj. Me Maksut Shehun ka pasur raste kur janë zënë edhe në praninë tonë, siç qe rasti i rrugës Librazhd-Elbasan. Zënka ishte për çështje rrogash dhe përgjegjësinë në organ që nxjerr enti botues “Rilindja”. Kaluan në ofeza reciproke. Të tjerët nuk ndërhynë. Më vonë Rifat Kukaj sqaroi: “Gjithmonë tërhiqemi në raste të tilla, se Maksuti është nevrik, do që t’i shkojë e vetja, është grindavec”. Ndërsa Agimi tha në një anë: “Vetëm unë ia thyej hundën Maksutit, se mua s’ka ç’më bën”. Agimi ka kritikuar shokët për nënvlerësim nga ana e tyre të letërsisë kosovare gjatë bisedës që u bë në Shtëpinë Botuese. Edhe për këtë janë zënë. Maksuti ka ndërhyrë edhe duke përkrahur Agimin, e ka ofenduar rëndë Vehbi Rikajn. E shau nga nëna. Vehbiu nuk është përgjigjur. Agimi interesohej shumë për dallimin nga veshja e oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve dhe policëve. Interesohej gjithashtu, nëse mësohej gjuha kineze në shkollat tona, a ka shumë kinezë dhe ç’rroga marrin, megjithëse rrallë kanë parë kinezë, policë, oficerë dhe ushtarë. Agimi e njihte mirë kursin e këmbimit të lekut me dinarin dhe anasjelltas, bënte përllogaritje në çast. Ngrinte shumë çështjen e arsimit në Kosovë, si baraspeshë e zhvillimit të sistemit tonë arsimor, për të cilin fliste fjalë të mira.

(vijon)

Vebi Kikaj


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.