DOSSIER

Raporti sekret/ “Shkrimtari Agim Deva u shtir si i sëmurë, u takua me zyrtarin e aviacionit jugosllav”

09:46 - 31.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 Dashnor KALOÇI

Raporti: “Në datën 23 nëntor, një ditë para se të largoheshim nga Tirana, tha se ishte i sëmurë, qëndroi në shtrat në hotel ‘Dajti’, por nuk u ul të hante mëngjesin. Kur i thamë për vizitë mjekësore, nuk pranoi, duke theksuar se e kishte nga lodhja. Ne dyshojmë se ai u shtir si i sëmurë me qëllim që të ndahej nga grupi për të bredhur nëpër dyqane, ose për të takuar ndonjë njeri nga të ambasadës. Në orën 11:30 nuk ka qenë në dhomë. Dhomën e ka lënë rrëmujë, të hapur. E takuam jashtë para monumentit të V. Leninit, tha, dola pak për ajër. Të nesërmen u vërtetua se kishte dalë nëpër dyqane”.

Në fundin e viteve ‘70-të dhe deri në vitin 1981 kur nisën demonstratat e studentëve në Prishtinë, Tirana zyrtare kishte intensifikuar marrëdhëniet kulturore dhe miqësore me Kosovën (asokohe krahinë autonome), dhe në bazë të një marrëveshje dypalëshe të nënshkruar nga ministritë përkatëse, grupe të ndryshme artistike dhe kulturore, si dhe akademikë, profesorë, studiues, shkrimtarë, artistë, gazetarë etj., venin dhe vinin në Shqipëri e Kosovë, duke shkëmbyer vizita të ndërsjella. Në këtë kuadër, në nëntorin e vitit 1973, erdhën në Shqipëri një grup i madh gazetarësh e shkrimtarësh nga Kosova, (Agim Deva, Rifat Kukaj, Maksut Shehu, Vehbi Kika, Qamil Batalli, të cilët lëvronin kryesisht letërsinë për fëmijë. Dhe për t’i pritur e shoqëruar ata gjatë vizitës së tyre disaditore në qytete të ndryshme të Shqipërisë nga jugu në veri, organet përkatëse të Tiranës zyrtare kishin caktuar dy homologë të tyre, gazetarin e njohur Hamit Boriçi dhe shkrimtarin Odhise Grillo, tepër i njohur si në letërsinë për fëmijë, ashtu edhe në gjininë e humorit. Dhe siç ishte praktika në të tilla raste, në mbarim të asaj vizite, dy shkrimtarët e sipërpërmendur kanë hartuar raportin përkatës për Komitetin Qendror të PPSH-së, duke dhënë me detaje gjithçka ata kanë folur e dëgjuar nga homologët e tyre kosovarë, kryesisht biseda politike për Enverin, Titon, marrëdhëniet mes Tiranës e Beogradit, opinionet dhe mendimet që ata kishin për njeri-tjetrin dhe homologët e tyre nga atdheu amë, lëvizjet e tyre të dyshimta në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, etj., etj. Raportin në fjalë ne po e publikojmë të plotë në këto faqe speciale të rubrikës dossier, ndërsa nëntitujt e shkrimit janë redaksional.

(vijon nga numri i kaluar)

KOMITETIT QENDROR të PPSH-së

(Sektorit të Edukimit)

Faksimile e raportit    

INFORMACION

Gjatë bisedimit për bursat dhe arsimin në Kosovë pranonte deri diku varësinë e studentit nga ndërmarrjet ekonomike, të cilat jepnin bursa ose u akordonin hua studentëve, me kusht që ata pas kryerjeve të studimeve të punonin në atë ndërmarrje për disa vjet, deri sa të shlyenin detyrimet. Agimi u habit, kur pa sa afër ishte Korfuzi me Sarandën dhe kufiri në përgjithësi. Nuk mund ta merrte me mend që flota e gjashtë amerikane dhe ajo sovjetike silleshin aq afër Shqipërisë. Ditët e fundit filloi t’i miratonte sukseset tona në shumë fusha, por gjithmonë me ton zyrtar. Përdorte shumë fjalët na befasove, shumë befasime na bëtë dmth., pamë e mësuam ato që nuk i pritshim.

“Takimi sekret i Agim Devës me zyrtarin jugosllav”

Në datën 23 nëntor, një ditë para se të largoheshim nga Tirana, tha se ishte i sëmurë, qëndroi në shtrat në hotel “Dajti”, por nuk u ul të hante mëngjesin. Kur i thamë për vizitë mjekësore, nuk pranoi, duke theksuar se e kishte nga lodhja. Ne dyshojmë se ai u shtir si i sëmurë, me qëllim që të ndahej nga grupi për të bredhur nëpër dyqane ose për të takuar ndonjë njeri nga të ambasadës. Në orën 11:30 nuk ka qenë në dhomë. Dhomën e ka lënë rrëmujë, të hapur. E takuam jashtë para monumentit të V. Leninit, tha, dola pak për ajër. Të nesërmen u vërtetua se kishte dalë nëpër dyqane. Këtë e tha vetë. Agimi, një ditë pasi grupi ishte në ambasadën jugosllave, është takuar për më shumë se një orë me përfaqësuesin e shoqërisë së aviacionit jugosllav J.A.T. Na tha, këmbeva disa dinarë. Gjatë udhëtimit për në Han të Hotit, Qamil Batalli në prani të Vehbi Kikës tha se kishte biseduar me Agimin për më shumë se dy orë, e kishte lënë të shprehte mendimet e veta për vizitën. Qamili tha se Agimi kishte ndryshuar shumë gjatë vizitës. Të tjera mendime kishte në ditët e para, të tjera më vonë. Siç deklaroi Qamili, në mos qoftë propagandë e sukseseve të Shqipërisë kur të kthehet në Kosovë do të jetë një njeri që nuk do ta gëlltitë propagandën bajate që bëhet kundër jush. U bë mirë që erdhi Agimi në Shqipëri! Agimi në fillim i heshtur, mbas ditës së pestë dhe të gjashtë nisi të hapet. Më rrallë fliste në prani të të tjerëve, më tepër në veçanti, por përsëri përpiqej t’i peshonte mirë fjalët dhe nuk bisedonte gjatë. Dy ditët e fundit ka biseduar më shumë me Vehbiun dhe Qamilin. Kështu na thanë. Dhe i ka çuditur ata me konsideratat e miratimet për vendin tonë. Këtë e kemi vënë re edhe ne. Në darkën e lamtumirës Agimi ka biseduar gjatë me profesor Androkli Kostallarin, që e kishte pranë. Bisedën e nisi me probleme të gjuhës shqipe dhe të albanologjisë, dhe kaloi në disa probleme të tjera. Ai gjithashtu si edhe të tjerë i foli profesor Androkliut për konsideratën e lartë për suksesin e studimeve shqiptare në fushën e albanologjisë, për rolin e tyre në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare në Kosovë. Ai tregoi se përmbajtja e lartë cilësore e studimeve albanologjike, botimet dhe ligjëratat, mendimi teorik shkencor dhe përpunimi i gjuhës kanë lënë gjurmë në shkollat dhe në inteligjencën e Kosovës. Ai tha: “Kongresi Drejtshkrimit është vlerësuar shumë dhe ka ushtruar ndikim të madh në Kosovë. Jehona e tij vazhdon edhe sot, jo vetëm në qytetet, por edhe tek arsimtarët e fshatrave, të cilët janë shumë të etshëm për dije. Arsimtarët e fshatit kërkojnë tekste mësimore shqiptare, sidomos për lëndët gjuhë e letërsi”.

Hamit Boriçi

“Bisedat e Agim Devës me prof. Androkli Kostallarin”

Kur Agimit iu dorëzuan librat, dhuruar nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë, vëllimet mbi Kongresin e Manastirit dhe mbi Kongresin e Drejtshkrimit, mbi normat e gjuhës letrare si dhe dy vëllime me përmbledhje studimesh gjuhësore tha, “ky është një nder shumë i madh për mua. Këto libra do t’i mbaj në një vend të dukshëm si librat më të çmuara që kam në shtëpi”. Duke folur për futjen e normave të gjuhës letrare Agimi tha: “Tani bëhet përpjekje që edhe në botimet tona të kultivojmë gjuhën e sotme letrare shqipe. Bile edhe në gazetën e pionierëve përpiqemi të zbatojmë rregullat e aprovuara nga kongresi i drejtshkrimit. Në Kosovë tani thuhet të shkruajmë me gjuhën e gazetave e revistave ‘Drita’, ‘Zëri i Popullit’, ‘Nëntori’ ‘Mësuesi’ etj. Tek shkrimtarët tanë vihet re një përpjekje e dukshme në këtë drejtim. Në qoftë se në ndonjë gjë nuk e kemi arritur në shkallën e duhur, kjo nuk ndodh se ne nuk dëshirojmë, por sepse kaq janë fuqitë tona, kaq e njohim gjuhën letrare. Por ne jemi optimistë për të ardhmen”. Agimi, pasi ngriti lart suksesin për fushën e albanologjisë, profesor Kostallarit i tha se para se të vinte në Shqipëri kishte dëgjuar fjalë të mira për Shqipërinë, në përgjithësi për zhvillimin e vendit pas çlirimit, ndërsa nga tregimet e babit dinte se Shqipëria përpara çlirimit ka qenë një vend i prapambetur dhe i mjeruar. “Ato që pashë me sytë e mi – vuri në dukje Agimi – sidomos veprat e mëdha të pesë vjetarëve, objektet e reja si Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, zona e naftës, ndërtimet e sistemimet bujqësore, pallatet e kulturës, Pallati i Pionierëve e shumë objekte të tjera më mahnitën. Ato që i pamë i tejkaluan shumë parashikimet tona, jo vetëm të miat që i riparoj, edhe të shokëve të mi më të moshuar. Me këto realizime pas 5-7 vjetësh do të bëhet një vend që ka për t’ua kaluar të gjithëve” dhe këtu iu mbushën sytë me lot.

  

Autobusët e Albturizmit para hotel Dajtit

“I ati Agimit, Veli Deva, me detyra të larta në Beograd”

Duke folur për babin e vet, Veli Devën, i cili tani është drejtori i Kombinatit të Trepçës, sipas tij këtu ka ardhur me kërkesën e punëtorëve – Veliu është akoma në forumin e lartë udhëheqës në Beograd, por formalisht deri në zgjedhjet e reja Agimi vuri në dukje thjeshtësinë dhe karakterin popullor të babait. Ai deklaroi: “Babai na porositi ne fëmijëve të vet, mos harroni se jeni nga një familje e varfër, se babai juaj ka vuajtur për bukën e gojës, mos harroni origjinën tuaj, jetoni thjeshtë dhe vetë bëni një jetë të tillë. Na këshillon të mos ndjekim modat në veshje, në mënyrën e të sjellurit. Ne kemi në disa qytete bijtë e disa të pasurve në mirëqenie, që ndjekin modat ekstravagante e që nuk mësojnë në shkolla. Në masë rinia kosovare jeton thjeshtë. Fshatarët nuk kanë mundësi me u marrë me modat. Mësuesit e fshatit për shembull, edhe japin mësim, edhe punojnë tokën e tyre në fshat. Babai flet me nostalgji për Shqipërinë, na kujton vitet e fëmijërisë dhe të rinisë, kohën kur i doli bursa në Krum për të vazhduar gjimnazin e Shkodrës, na tregon për vendet ku ka mësuar e luftuar në Shqipëri, për shokët e tij që tani janë bërë kuadro, e thekson ata janë bërë të tillë sepse kane qenë njerëz të thjeshtë, sepse luftuan me armë në dorë për çështjen e atdheut. Babai më la një porosi, po të më jepej rasti t’i transmetoja të fala shokut të tij të ngushtë të klasës dhe të jetës në konvikt, Demlush Thaçit. Më tha: Jepja të falat Demlushit, në qoftë se ai ka pasur qëndrim të mirë deri në fund, jo vetëm gjatë luftës, por edhe më pas dhe në qoftë se dhe tashti nuk është në pozita armiqësore me Partinë. Këtë porosi desha t’ua thosha shoqëruesve, por ndruhesha në fillim. Kur pashë pritjen e ngrohtë që m’u bë, mora guximin dhe po ju them”. Agimi tha se babai ka nostalgji të vazhdueshme për shokët e shkollës në Shqipëri dhe po të vinte ndonjëri prej jush, iu drejtua prof. Kostallarit që keni qenë në një konvikt, do ta pinte me gjithë qejf një kafe me ju.

Agimi dy herë iu afrua profesor Bedri Dedjes që t’i shprehë një mendim duke thënë se letërsia shqipe për fëmijë ka arritur suksese të mëdha dhe propozoi që të bëhet një antologji e përbashkët e letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe, për të cilën ai do të merrte nëpërmjet shtëpive botuese jugosllave ta botonin në gjuhë të huaja. Agimi e përsëriti këtë mendim në takimin e parë dhe në darkën e mirëseardhjes.

     

Odhise Grillo

“Maksuti mburr shumë Fadil Hoxhën dhe Titon”

Maksut Shehu: Në fillim na tha se kishte disa ditë që ishte pa punë, pasi qe larguar nga R. T. V. i Prishtinës, për arsye të kushteve të vështira dhe së shpejti do të kalonte te Rilindja. Më vonë vazhdimisht thoshte se punoj te Rilindja. Duket se është kuadër i vjetër dhe besnik i regjimit titist. E mburr shumë Titon dhe Fadil Hoxhën. Ndonjëherë edhe Veli Devën. Në vitin 1948 thotë se ka qenë zv.komandant i Brigadës kosovare në rrugën Sallaç-Sarajevo, ku ka punuar edhe një brigadë shqiptare ‘Qemal Stafa’, brigadat shqiptare në atë kohë ikën nga aksioni. Thotë se të tjerët e aprovojnë se ka qenë në rreth 60 shtete si reporter. Më 1967 ka qenë në Bashkimin Sovjetik, por pretendon se nuk shkroi asnjë rresht, pasi ndodhën ngjarjet e Çekosllovakisë dhe ky nuk solidarizohej. Duket se ka urrejtje për sovjetikët e sllavët në përgjithësi. Është nevrik, grindavec, mendjemadh, feminist dhe pijanec. Kudo do të duket, t’i shkojë e tija dhe ka shpirtin e kundërshtimit. Mburret se është takuar me njerëz të mëdhenj si Nehru, Arafat, se ka shoqëruar e përsëri është ngarkuar të shoqërojë Titon nëpër shtete të tjera. Tha sa të kthehem do të shoqëroj Titon, i cili do të vejë në Indi për të marrë çmimin “Nehru”. Njëherë tjetër tha: “Na kanë ftuar të zgjedhë se ku dëshiroj të shkoj korrespondent i ‘Rilindjes’ në Paris, Londër, Moskë, Uashington. Unë nuk dua të largohem se kam fëmijë. Dëshiroj të vij korrespondent në Shqipëri”. Disa herë është grindur me shokët e vet dhe i ka ofenduar rëndë edhe në sytë tanë. Shokët e tij, me përjashtim të Agim Devës, heshtin. Bile edhe Qamili, që me sa na thanë e kishte dajë Maksutin.

    

Maksut Shehu 

“Maksut Shehu kur ishte i pirë, na pyeti a keni raketa”

Kur ishim në Gjirokastër e Sarandë, dy ditë rresht piu konjak që nga mëngjesi gjer në darkë. Kur ishte i pirë tentonte të takonte njerëz të ndryshëm dhe të bisedonte me ta. Kur bisedonim shpeshherë thoshte: “E di, e di këtë gjë, pasi e njoh mirë Shqipërinë”. Kur i tregonin ndonjë ngjarje, objekt apo hero tonin ai përnjëherësh mundohej të kalonte në ndonjë ngjarje objekt apo hero jugosllav. Në varrezat e dëshmorëve në Tiranë foli për Sutjeskën dhe dëshmorët e saj në Gjirokastër, ku panë përmendoren e Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës, na foli për heroinat e Beogradit, që kishin rënë qysh më 1941, bile edhe më të vogla në moshë etj. Përsëriste vazhdimisht se do të shkruante mirë për Shqipërinë dhe nuk do të pranonte asnjë kompromis me botuesit. Interesohej shumë për çmimet dhe rrogat. Na ka pyetur disa herë për këto. Donte të dinte nëse kemi raketa. Këtë pyetje e bëri duke udhëtuar për në Sarandë kur ishte i pirë. Kur mori përgjigjen se ne kemi çdo gjë për të dërrmuar armikun, bëri sikur u entuziazmua. Nuk linte rast pa u mburrur për djalin e vet, që e quakan Mehmet Shehu. Kur fliste për udhëheqësit tanë thoshte: “Enveri, Mehmeti”, ne shtonim “shoku Enver, shoku Mehmet”, ai thoshte dakord. Duket se e njihte shtypin tonë, sepse përmendte emra gazetarësh e artikujsh nga “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”. Është interesuar për një Hamit, i cili ka qenë shok i ngushtë i vëllait të tij dhe tani duhej të ishte me pozitë me siguri. Ky Hamit paska qenë në Beograd, në ambasadën tonë, pas çlirimit. Ne i thamë se nuk njohim një Hamit të tillë. Me siguri e kishte fjalën për Hamit Keçin. Donte të dinte hollësira dhe pyeste për shkrimtarin Kapllan Resuli, pse u dënua, sa u dënua, etj. dhe e shau duke thënë edhe njerëzit e tjerë të familjes i ka spiunuar.

   (vijon)

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.