DOSSIER

Raporti sekret/ Maksut Shehu: Parisi do t’i japë çmimin ‘Nobel’ Kadaresë

09:41 - 01.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dashnor KALOÇI

Në fillimin e viteve ’70-të dhe deri në vitin 1981 kur nisën demonstratat e studentëve në Prishtinë, Tirana zyrtare kishte intensifikuar marrëdhëniet kulturore dhe miqësore me Kosovën (asokohe krahinë autonome), dhe në bazë të një marrëveshje dypalëshe të nënshkruar nga ministritë përkatëse, (Tiranës dhe Beogradit) grupe të ndryshme artistike dhe kulturore, si dhe akademikë, profesorë, studiues, shkrimtarë, artistë, gazetarë etj., venin dhe vinin në Shqipëri e Kosovë, duke shkëmbyer vizita të ndërsjella. Në këtë kuadër, në nëntorin e vitit 1973, erdhën në Shqipëri një grup i madh gazetarësh e shkrimtarësh nga Kosova, (Agim Deva, Rifat Kukaj, Maksut Shehu, Vehbi Kika, Qamil Batalli), të cilët lëvronin kryesisht letërsinë për fëmijë. Dhe për t’i pritur e shoqëruar ata gjatë vizitës së tyre disa ditore në qytete të ndryshme të Shqipërisë nga jugu në veri, organet përkatëse të Tiranës zyrtare kishin caktuar dy homologë të tyre, gazetarin e njohur, Hamit Boriçi dhe shkrimtarin Odhise Grillo, tepër i njohur si në letërsinë për fëmijë, ashtu dhe në gjininë e humorit. Dhe siç ishte praktika në të tilla raste, në mbarim të asaj vizite, dy shkrimtarët e sipërpërmendur, kanë hartuar raportin përkatës për Komitetin qendror të PPSH-së, duke dhënë me detaje gjithçka ata kanë folur e dëgjuar nga homologët e tyre kosovarë, kryesisht biseda politike për Enverin, Titon, marrëdhëniet në mes Tiranës e Beogradit, opinionet dhe mendimet që ata kishin për njeri tjetrin dhe homologët e tyre nga atdheu amë, lëvizjet e tyre të dyshimta në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, etj. etj. Raportin në fjalë ne po e publikojmë të plotë në këto faqe speciale të rubrikës dossier, duke filluar nga ky numër, ndërsa nëntitujt e shkrimit janë redaksional.

(vijon nga numri i kaluar)

KOMITETIT QENDROR të PPSH-së

(Sektorit të Edukimit)

 

INFORMACION

“U interesua edhe për Mustafa Greblleshin”

U interesua edhe për Mustafa Greblleshin. Kur i thamë se në Kosovë është shkruar për Mustafanë dhe i është botuar një vepër “Ditari i një bojaxhiu”, bëri sikur harroi dhe tha po, po, më kujtohet, jam hutuar. Bënte vazhdimisht sikur interesohej për kapitalin e Marksit dhe deklaronte se dy vëllime i kishte në shtëpi dhe i lexonte. Priste të dilte i treti. Në të vërtetë i treti ka dalë prej kohësh. Lidhur me këtë tha se edhe në Jugosllavi, në shqip, së shpejti do te botohen gjithë veprat e klasikëve të Marksizëm-leninizmit. Interesohej gjer në hollësi, të dinte ç’rrugë ndjekin fletë-rrufetë, kur i kritikuari pranon, kur nuk pranon etj. Bile shpesh na thoshte me shaka se do të na vinte fletë-rrufe neve shoqëruesve për kujdesin që treguam. Disa herë na foli kundër Ibrahim Uruçit dhe tha se gjoja e kishte njohur që ishte njeri i keq dhe e kishte sharë qysh në Kosovë. Shpesh përsëriste se ishte partizan dhe komunist i 41-shit (ai vetë ishte i datëlindjes 1930). Kur u zu me gojë puna e Lindjes së Mesme, tha se e kishin caktuar korrespondentë të “Rilindjes” po nuk pranoi të shkonte se e dinte përgatitjen e dobët ushtarake të arabëve. Maksuti në një bisedë për Ismail Kadarenë deklaroi: “Parisi ka marrë përsipër t’i japë çmimin “Nobel” Ismailit, pasi, siç dihet, prej andej janë propozuar shumë njerëz që e kanë marrë”. Vehbiu iu përgjigj: “nuk e besoj ta propozojnë pasi zakonisht këtë çmim e marrin antikomunistët”.

“Maksuti është një tip sharlatani e aventurieri”

Ne mendojmë se Maksuti është një tip sharlatani e aventurieri, që tashmë është shfrytëzuar dhe i është pirë lëngu. Megjithatë, dukej se shokët e tjerë, me përjashtim të Agimit, ja kishin frikën. Maksuti disa herë është takuar me Atasheun jugosllav n “Dajti”. Ka qëndruar me të veçmas e ka biseduar gjatë. Ditën e fundit Atasheu kishte shkuar në dhomën e Maksutit në “Dajti” dhe vonuan të zbrisnin. Telefonin e kishin lënë hapur. Kur zbritën, Maksuti kishte një pako me cigare “Kent”, prej të cilave u dhuroi edhe shokëve. Maksuti deklaroi se, “Para se të vinte në Shqipëri kishte takuar Fadil Hoxhën në Prizren ose Pejë”. Sipas fjalëve të tij edhe ai u gëzua dhe më tha që “t’u bësh të fala të gjithëve në Shqipëri, edhe atyre që më duan edhe atyre që s’më duan.” Ata, në bisedat e ndryshme me ne, dhe me të tjerët, ngritën një sërë problemesh, që mendojmë që duhen pasur parasysh:-Vihet re se grupi, me përjashtim të ndonjërit, ishte tërësisht nën ndikimin e propagandës armiqësore, që është bërë dhe bëhet kundër vendit tonë. Këto evidentoheshin në pyetjet e shpeshta, në çudinë e tyre si në Shqipëri u jetuaka mirë, si njerëzit qenkan kaq të lirë, si paska njerëz kaq të veshur mirë, nuk paska policë e mitraloza në rrugë. Ndonëse hiqeshin se ishin të mirë-informuar për realitetin tonë, prapëseprapë u shpëtonin dyshimet e tyre. Kjo konkretizohet edhe nga konkluzionet e përgjithshme që kanë arritur ata gjatë vizitës , konkluzione të shprehura në veçanti nga secili, por dukej se ishin bashkë informuar. Ja konkluzionet e përgjithshme: 1. Suksesi i madh për Shqipërinë është zgjidhja e problemit të punës. Në Kosovë e në Jugosllavi ka papunësi të madhe. Njerëzit janë të detyruar të mërgojnë për punë.

“U lanë mbresë veprat e pesë vjeçarëve, sidomos Metalurgjiku”

  1. Konfirmuan unanimisht të arritura të shkëlqyera në fushën e arsimit, të shkencës, të arteve dhe të kulturës. U ka lënë mbresa karakteri masiv e popullor në këtë fushë.
  2. Tërhoqën vëmendjen e tyre ndërtimet e shumta dhe ndryshimet që kanë ndodhur në vendin tonë,qytetet e rinj që kanë lindur( si Laçi), kënetat që janë tharë ( si Kakarriqi), fshatrat që janë kthyer në qytete(si Kavaja, Lushnja etj.). Atyre u lanë mbresë veprat e mëdha të pesë vjeçarëve, sidomos Metalurgjiku i Elbasanit, Azotiku i Fierit dhe zonat naftëmbajtëse dhe shprehën mendimin se si mund të ndërtojë kaq shumë një popull i vogël.

 

Me mjaft takt, në bisedat që pati me shokët B. Dedja dhe D. Agolli gjatë darkave të shtruara për ta, V. Kikaj shprehu dëshirën që në Shqipëri të botohen edhe vepra të shkrimtarëve kosovarë për fëmijët. Ai tha midis të tjerash ne kemi bindjen e plotë se ju na kuptoni. Në kushtet e sotme të Kosovës nuk mund të shkruajmë ashtu siç mendojmë, ndaj jemi të detyruar të përdorim simbolet p.sh. përdorimin e simboleve mund ta shihni qartë në librin tim të fundit shtëpia ime ka sy kur flas për mbretëreshën ilire Teuta. Çdo gjë që kam thënë aty është simbol për Shqipërinë e sotme të pathyeshme. Në rast se ju do të botoni veprat tona për fëmijët duhet të dini se kjo ka vlerë të dyanshme, e para sepse kjo do të shërbejë si inkurajim për ne dhe e dyta se sipas pjesëve që do të zgjidhni për të botuar në Shqipëri ne do të kuptojmë se cila pjesë e krijimtarisë sonë për fëmijët është e shëndoshë dhe i shërben edukimit të fëmijëve kosovarë. Pra botimi i shkrimeve tona në Shqipëri, do te jetë busull për krijimtarinë tonë’. Vehbiu shprehu urrejtjen ndaj fushatës shpifëse që ka ndërmarrë sidomos Nova Makedonia kundër Shqipërisë.

“Qamil Batalli ka ngritur lart rolin e partisë dhe të shokut Enver”

Qamil Batalli. Kryeredaktor i revistës Pionieri. Vjen për herë të parë në Shqipëri. Së shpejti shkon kryeredaktori i Shkëndisë. Është tip i qetë i përmbajtur dhe i mbyllur. Flet pak dhe interesohet shumë për gjuhën, pedagogjinë, psikologjinë dhe letërsinë. Shënon në bllok fjalë të urta dhe blen rreth tri herë më tepër libra se të tjerët. Ditët e para pothuajse nuk fliste fare. Shfaqi admirim për zhvillimin e arsimit dhe u habit që në fshat ka shkolla të mesme, bile edhe të profilit bujqësor, kur në Prishtinë ka vetëm një shkollë të mesme. Pas dy-tri ditësh nisi të flasë lirisht vetëm kur nuk shihej e dëgjohej nga të tjerët. Frikën e justifikonte me faktin se në vitin 1947 i kanë zhdukur vëllain, ish-pedagog i zoti dhe patriot. Në bisedat e ditëve të fundit sa herë që ndodheshim vetëm për vetëm me të ka ngritur lart rolin e partisë dhe të shokut Enver duke theksuar: ju keni një parti të fortë e një komandant të fortë e të guximshëm. Vlerëson politikën tonë të mbështetjes te forcat e veta. Shprehu mendimin se disa na kritikojnë për dyert e mbyllura ndaj turistëve, por, në fakt, tha se ju veproni shumë drejt. Jugosllavia pa turizmin nuk mund të jetojë. 70% e buxhetit sigurohet nga turistët, shume familje në bregdet kanë përfitime të konsiderueshme po bashkë me dollarët turistet sjellin sëmundje vdekjeprurëse për shoqërinë socialiste. Këtë e provoi Jugosllavia. Ky ndikim ndjehet dhe në Kosovë. Ndaj ka shumë pakënaqësi. I bën shumë përshtypje parullat që lexonte rrugëve ose nëpër objekte, sidomos i pëlqenin dy-tre parulla si: “e rrezikshme është ajo që harrohet”, “armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykën e topit”, “të mos harrojmë tragjedinë e BS-së” etj.

“Gjithsej këto 12 ditë kanë parë vetëm 10 policë”

Shpesh interesohej për policët dhe oficerët, sidomos ditët e para. Ditën e fundit e sqaroi këtë gjë duke thënë; propaganda te ne kishte krijuar bindjen se ka shumë policë dhe veçanërisht ne do të ishim njerëz që do të ndiqeshim prej tyre. Policët e armatosur me mitraloza ruajnë shtëpitë e të dyshimtëve edhe të kosovarëve… ne pyesim, sepse nuk po e vinim re një gjë të tille. Gjithsej këto 12 ditë kanë parë vetëm 10 policë. Jam i bindur se propaganda na mashtron atje. Këtë do ta them edhe atje, pasi te ne ka shumë policë të armatosur bile edhe me kërbaçë e shkopinj kauçuku. Interesohej për libra teorikë pasi sipas tij ata janë nën ndikimin e teorive serbo-malazeze. Ndjeshmërinë e vet e shfaqi në Shtëpinë Botuese, kur nderohej me grusht dhe tha Enveri të rrojë sa malet, pasi pa një ekspozitë të shokut Enver ku pa kooperativistët me pushkë edhe në varrezat e dëshmorëve ku nderohej fshehtazi me grusht. Atë ditë që po ndahej nga ne na përqafoi të dyve bashkë futi kokën midis trupave tanë dhe i mbushi sytë me lot. Qysh natën e parë gjer në fund fjeti në një dhomë me A. Devën. Pretendon se ka biseduar me Agimin për gjithçka panë e mësuan te ne dhe se vuri re ndryshime të mëdha te Agimi. Ai tha, u bë shumë mirë që erdhi Agimi. Ai është rritur në ambient tjetër, ka dëgjuar gjithnjë keq për Shqipërinë. Ka ardhur me ne i bindur se do ta prisnit ftohtë se do ta ndiqnit nga pas e do krijonit incidente për ta ndjekur nga vendi ynë. Ai nuk mund të bëhet si ne, po mësoi shumë të vërteta për Shqipërinë. Rrallë fliste në praninë e të tjerëve. Më tepër dëgjonte. Ka botuar një tregim për Titon i shtyrë nga Agimi. Në të vërtetë ka hequr emrin e Skënderbeut dhe ka vënë emrin e Titos, në një tregim që e kishte gati, këtë na e tregoi Vehbiu.

“Rifat Kukaj kishte vetëm dy tema: femrat dhe pija”

Rifat Kukaj, redaktor në Radio Prishtina për emisionin e fëmijëve. Së shpejti mund të kalojë redaktor në entin e gazetave botues Rilindja. Vjen për herë të parë në vendin tonë. Është inteligjent, më i zgjuari në tërë grupin, njeri i përmbajtur, pa impulse, qesh me ironi dhe flet me thumba. Qysh kur erdhi derisa u largua për të kishte dy tema: femrat dhe pija. Sipas këtij këto biseda i hapte, pasi nuk dëshironte të bisedonte për gjëra të tjera në praninë e shokëve. Kur ishte vetëm fliste lirisht, por kurdoherë pa emocione. Ashtu si Vehbiu edhe Rifati ka deklaruar se po të vijë koha ai i pari do të hedhë bombën aty ku duhet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kishte njohuri e të dhëna për historinë, gjeografinë e politikën e vendit tonë. Interesohej për emra fshatrash vendesh prodhimesh. Dinte me përpikëri se ku ndodhej një vend i caktuar. P.sh. ai dinte se pas asaj kodre ndodhej Delvina. Me atë tonin e tij të qetë të ftohtë deklaronte se dinte shumë për ndërhyrjet e UDB-se, gjatë viteve 1947-1948 e më pas, se kishte lexuar shumë literaturë për të. Ai fliste kundër atyre, që ishin dhënë pas luksit dhe pronës private. Kjo duket kontradiktore kur ai vetë mbahej shumë mirë e kishte tokë e bagëti, pronë private në Drenicë. Interesohej shumë për armët: ku i ka armatimet ushtria, a është i armatosur populli? Kur kalonim nga Tepelena poshtë rrugës automobilistike, pa një repart ushtarak dhe tha ushtarët i pashë, por armë nuk pashë. Vehbiu i tha: në do ta dish, raketat janë nëpër tunele e s’mund t’i shohësh. Pinte shumë duhan e konjak.

“Rifat Kukaj është i interesuar për policët dhe oficerët”

Respektonte Maksut Shehun e tërhiqej para tij, pasi, siç e thoshte ai e njihte mirë se çfarë grindaveci e pijaneci ishte Maksuti. Tërheqjen ua këshillonte edhe të tjerëve. Edhe ky është i interesuar për policët: për oficerët dhe për çmimet. Dëshira e tij e madhe ishte që të vinte Rahman Dedaj në vend të Maksutit. Dinte dhe na tregonte vazhdimisht anekdota kundër Titos, serbëve etj. Këto i tregonte edhe në praninë e Vehbiut, por jo para të tjerëve. Gjithmonë pas vizitave ky bënte shënimet në libër dhe të tjerët firmosnin. Nga çdo qytet dërgonte shumë kartolina dhe kërkonte të vinim firmat të gjithë ne dhe në disa raste ngulte këmbë të shkruanim plotësisht emrin dhe mbiemrin. Kërkoi pjesë teatrale të dramatizuara nga Radio-Tirana, karikaturë nga “Hosteni” , duhan “Taraboshi” për llullën la kërkesën t’i dërgohen disa pako me duhan të tillë. Ishte i dhënë pas numizmatikës, mblidhte lekë dhe pretendonte se djali i tij pesëmbëdhjetë vjeçar e kishte porositur për një gjë të tillë. Kishte mjaftë valutë dollarë, bleu shumë suvenire. Shpesh përmendte si me shaka, po të vija disa vjet më parë nuk do të kthehesha se më pëlqejnë shumë vajzat këtu, do të dëshiroja të martoj djalin…

Ai theksonte se duhej marrë parasysh gjendja, kushtet në të cilat ndodheshin , se tani për tani kryesorja është që të luftohet për të shfrytëzuar deri në maksimum të gjitha të drejtat që ua siguronte kushtetuta. Premtoi se nga Shqipëria do të dhuronte si shënime udhëtimi 4-5 vjersha. Fliste kundër serbëve, admironte kroatët. Rifati sugjeroi se do të ishte mirë që t’u krijohej mundësia, sa më shumë të jetë e mundur, për të ardhur në vendin tonë shkrimtarëve dhe publicistëve, jo vetëm kosovarë por edhe atyre që janë miq të Shqipërisë, të cilët kanë folur e shkruar mirë për Shqipërinë. Ai tha se një artikull i shkruar në gazetën Delo të Lubjanës nga poeti dhe publicist Herman Vogel, bëri jehonë të madhe. Studentët e Lubjanës u ngritën në demonstratë për të zbatuar parimet e arsimit, të shkollës shqiptare si në Shqipëri. Ata mbanin në duar gazetën Delo ku ishte botuar edhe një fotografi e Llazar Siliqit. Rifati tha se gazetari Drago Karl i gazetës “Delo”, që e simpatizon Shqipërinë, ka kërkuar të vijë në Shqipëri. Mendoj– vuri në dukje – se do ishte pozitive kjo vizitë pasi është gazetar me kurajo dhe sipas mendimit tim do të ndriçonte drejt situatën që ekzistonte sot në Shqipëri, duke hedhur poshtë parullat antishqiptare. Rifati hiqej sikur ishte kundër sistemit të vetë-administrimit në ekonominë jugosllave duke e konsideruar si dështim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.