EKONOMI

Ish-pronarët, formulari për të përfituar pagesë të përshpejtuar

12:41 - 21.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ornela MANJANI

Të gjithë ish-pronarët që kanë një vendim për njohjen e pronës nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për të përfituar kthimin ose kompensimin duhet të paraqiten pranë Agjencisë për të plotësuar formularët për pagesa të përshpejtuara. Për të përfituar pagesën e përshpejtuar mund të aplikojnë 6800 pronarët, të cilët kanë aplikuar për kthimin dhe kompensimin e pronës në vitin 1995 dhe tashmë për ta ka një faturë financiare. Është në dëshirë të pronarit, plotësimi i secilit prej formularëve, por është e domosdoshme që pas plotësimit të tij të paraqesin në Agjencinë e Trajtimit të Pronave 10 dokumente. “Gazeta Shqiptare” publikon formularët që mund të plotësohen që sot për të përfituar nga përparësitë që jep ligji i ri për marrë kompensimin me procedurë të përshpejtuar apo për të marrë pjesë në ankande.

TRI AFATET

Janë vendosur tri afate pagesash të përshpejtuara. Pagesë brenda një viti, brenda tre vjetësh dhe brenda pesë vjetësh. Për secilin variant në një VKM të posaçëm është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti pronari merr 20% të vlerës së faturës, për pagesën brenda tri viteve merr 30% dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar, të gjitha subjektet kërkuese që shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

DOKUMENTET

Dokumentacioni shoqërues që vërteton pronësinë e subjektit të shpronë- suar, përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor; b) dokumentacioni hartografik; c) vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Sipas legjislacionit në fuqi, dokumentacioni ligjor përbëhet sipas rastit nga: a) dokumentacion hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ishKomisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së. Duhet të dorëzohet dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944″. Ndërsa kur një nga dokumentacionet e sipërpërmendura ligjore paraqet mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata, si dhe aktekspertimin, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë. Sipas ligjit dhe VKM-së që rregullon funksionin e tij dokumentacioni hartografik aktual i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar, të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni ku sipas rastit mund të jetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi, ose Drejtoria e Shërbimit Pyjor, për pyjet e kullotat dhe tokat e tjera jobujqësore, si dhe pozicionimin e pronës së pretenduar me inxhinier/ gjeodet të licencuar, me përjashtim të rasteve kur pozicionimi i pronës është kryer me vendim gjykate të formës së prerë.

DOSJET E SHQYRTUARA

Në regjistër janë publikuar gjithsej 3925 vendime, nga të cilat 1869 vendime janë të vlerësuara financiarisht me një vlerë prej 11. 9 miliardë lekë. Në lidhje me procesin e aplikimit dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare për kompensim, për vitin 2016 kanë depozituar kërkesë me objekt ekzekutimin e vendimit të vlerësuar financiarisht 419 subjekte. Janë trajtuar për kompensim 197 kërkesa dhe vlera e përfituar është 1.8 miliardë lekë. Sipërfaqja e kompensuar është 22.74 ha, nga të cilat 15. 54 ha truall, 6.74 ha tokë bujqësore dhe 0.47 ha livadh kullotë.

 

PAGESAT E PËRSHPEJTUARA

  1. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
  1. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vjetësh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
  1. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vjetësh, atëherë ai përfiton 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
  1. Prioritet do të kenë aplikimet që kërkojnë të kompensohen

financiarisht brenda 1 viti.

Prona e njohur për kompensim

Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në

pronën e subjektit, prona vlerësohet, si më poshtë vijon:

a) Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit    kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit.

b) Prona e kthyer vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral.

c) Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.