KULTURË

Olta Daku, rebelimi i gruas shqiptare, që të mos e shkoni jetën si shtëpiake

12:26 - 13.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Josif Papagjoni  – Kam pak që u ktheva nga teatri, komedia “Shirli Valentina” e Willy Russell, përkthyer nga Artur Lena, luajtur nga aktorja e talentuar e humorit Olta Daku, regjisore Driada Dervishi.




Dhe siç më ngjet rëndom kur mendjen dua ta lë të bredhë paksa lumenjve të përsiatjes e meditimit, po aq edhe të mbledh e shijojë çastet e bukura, kënaqësitë, gjer dhe epëritë e finesat estetike të shprehura në tekst, aktrim, regji e komponentë të tjerë të teatrit, e konvertova atë fat gruaje, pra të Shirli Valentinës, që kjo komedi kishte si personazh të vetin, në fatin e mijëra grave shqiptare, ashtu të harruara, të pafajshme, të robëruara nga graviteti i të pamundurës dhe shtriga e plakjes, pa gëzuar kurrgjë nga jeta.

Ka një britmë, një rebelim. E gjitha vendoset në të ndërmjetmen, sipas meje të kudogjendshme në statusin e grave, midis të rëndomtës dhe të jashtëzakonshmes, “prozaikes” dhe romantikes, asaj se si jemi dhe asaj se si duam të jemi, pra gjendjes le ta quajmë “normale” dhe gjendjes “jonormale”, ose thënë më bukur, të ëndrrës a të ëndërrimit. Ishte një komedi e këndshme, një monokomedi me aktoren Olta Daku.

Olta i dha fytyrë Shirlit të saj, i dha gjithë ojnat e zërit, lëkundjet intonative, nuancat kuptimore, nëntekstet, befasimet, gjestet, imitimet e personazheve të tjerë bri saj dhe atë hir komik që ajo e ka përbrenda vetes, si mënyrë të përjetuari, si gazmend.

Zgjedhja e kësaj aktoreje, tok me tekstin, ishte vetë suksesi i shfaqjes. Sepse në një monokomedi, aktori është alfa dhe omega. Regjisorja Driada Dervishi duke e njohur këtë pushtet, së toku me Oltën, bënë që përkitja e realizuar pa zhurmë aktor-rol të mos na imponohej së jashtmi, falë tjetërsimeve të lodhshme apo “lojërave” e “marifeteve” aktoriale, falë sforcimeve dhe trysnisë mbi ne si spektatorë, që më shumë e çnatyrojnë aktorin se sa i japin shansin e lirshmërisë dhe një sjelljeje të shpenguar në skenë; pra, kur ti ndjehesh aq mirë aty, kur ndjehesh vetvetja, i vetëmjaftueshëm, si në shtëpinë tënde.

Olta Daku ndjehej pikërisht kështu, si në kuzhinën e shtëpisë së Shirlit duke gatuar, duke folur me murin, duke punuar e duke u strapacuar për të tjerët. Ajo na solli historinë e personazhit të saj, një histori e thjeshtë në dukje, si e mijëra e miliona grave, një farë vetëflijimi i vullnetshëm, sa i nevojshëm aq dhe i panevojshëm, sa idiot aq dhe “sakral”, e megjithatë jo dhe aq e “thjeshtë”, sepse ajo thyente një normë, një klishe morale, një standard. Thyente vetveten.

Komedia trajtonte në thelb problemin e lirisë së gruas, kur ajo i mbush e i tejkalon të 40-at dhe fëmijët nisin të marrin rrugën e jetës. Befasisht në këtë moshë kritike gruaja ndjen se qenka katandisur si pa e kuptuar thjesht në një shërbëtore në shtëpi, e lodhur dhe e strapacuar, pa vëmendjen e burrit, pa praninë dhe kujdesin e fëmijëve, madje nën bezdinë e tyre, një farë hedhurine ku jeta është bërë për dreq aq bajate. Dhe me propozimin e një shoqes së vet, tundohet dhe në fund vendos të shkojë për pushime dy javë në Greqi. Aventura buis, flatrat e një mendjeshkrepjeje prej çupëline të dikurshme që hidhej nga çatia hapen. Tanimë ne shikojmë një tjetër pamje të kësaj gruaje. Ajo nis të rindjehet pikërisht “grua”.

Aktorja O. Daku na provokon cak pas caku që të kuptojmë se Shirli i saj, si mijëra simotra shqiptare, nuk qenka vetëm për të larë rrobat, zarzavatet, prasët, hudhrat, për të gatuar e psonisur, mbetur me disa petka jashtë mode, pa sqimë, por na qenka edhe për të jetuar, për të gëzuar, për t’u ndjerë “femër”, qenësi dhe instinkt që thuajse e ka harruar.

Aty, në një ishull grek, buzë detit dhe hënës së argjendtë (simbolika e romantikës), me një gotë verë në buzë, ajo nis e relaksohet, bën “qejf”, madje krijon edhe një flirt seksual me një kamarier restoranti, një Kosta si të ishte Kristofor Kolombi për të zbuluar “trupin” e saj mbetur në harresë. Në atë ishull ajo zbuloi “botën e re” që i mungonte aq mundimshëm. Rizbuloi qenësinë dhe seksualitetin e injoruar, “Klitorikun” e mbetur në pamundësitë e shumta prej gruaje-amvisë. Dhe befasisht rijeton “adoleshencën e dytë”, rininë e dytë dhe kupton se ende nuk qenka plakur, se ende ka kohë të “jetojë” e ta gëzojë jetën, të vjelë prej saj kënaqësitë e munguara, të shijojë lirinë. Ah liria, sa shije të ëmbël që paska!

Ah si të bëka ajo, të marros, të dalësh nga vetja për t’u rikthyer po te vetja. Dhe Shirli Valentina vendos të mos kthehet më në Shqipëri, por të jetojë atje, në ishull, mes valëve të detit dhe hënës, në Greqi. Në ishullin e lumturisë së gjetur papritur, ndonëse të vonuar. Ja që të gjithë e duam atë “ishull” ëndrrash të parealizuara, atë arrati të mohuar, që fshikullohet nga skrupujt tanë moralë dhe antropologjikë. Shirli gjen punë aty dhe rinis një jetë të dytë, duke i lënë burrin dhe dy fëmijët në fatin e tyre. Guxim apo jo?

A e bën një grua shqiptare këtë? Rrallë e bën. Por, ama, në fund Shirli e kërkon të shoqin si një rinisje, si një trokitje gotash me verë, pra si një rifillim po me atë që ka lidhur jetën, që ka bërë fëmijët e saj, që ka krijuar familjen. Ne nuk e dimë fundin, por ai, pak a shumë, na është dhënë: nevoja për ta jetuar ditën, jetën, për ta krijuar dhe gëzuar lumturinë…

Unë e ndjej instinktivisht pëlqimin e publikut, jo thjesht te duartrokitjet. Ai lidhet veçanërisht me impaktin që shfaqja krijon me përjetimet e fundme të tij. Ishte një temë e guximshme në thelbin e vet moral, paçka se përmes gjuhës së humorit dhe komedisë. Kjo e preku publikun, sidomos atë femëror. Pra jeta jonë – na thotë dyshja Driada-Olta, regjisorja dhe aktorja – është një vetëkonsumim i pafalshëm dhe i pafajshëm, një rutinë e mërzitshme, një marrëdhënie burrë-grua e zbrazur, e shkretuar, gri, pa variacion, e vetëmbyllur brenda shtëpisë, në shopinge raskapitëse (gjetje domethënëse e regjisores me ato gra që mbajnë qese plastmasi e tërheqin karroca, robtohen në kuzhina etj.).

Po njësoj jeta e tyre është e zbrazët, pa variacion, me pasditet e konsumuara në dy-tri lokale, po të njëjtat, pa pakëz aventurë, pa një ndryshim ritmi, po i njëjti rit jete, po ato ujëra të ndenjur, mërzitshëm njësoj. Thirrja për ta gëzuar jetën, për mos t’u plakur para kohe, për të kërkuar kënaqësitë e munguara apo ndjeshmëritë e anatemuara nga mendjet e plakura e anakronike, për t’i ikur po asaj stampe, po asaj sjelljeje nga lodhja apo konsumimi i pamerituar i raportit në çift, duke kërkuar deri edhe pak flirt ekzotik, deri edhe një dashuri ndoshta apo një burrë tjetër, kjo është thirrja që e trondit statusin e gruas shqiptare të vetëmasakruar nga rituali i rëndë social dhe familjar i saj, ca nga burrat e ca nga vetë ato.

Është shpotia dhe kritika ndaj mënyrës së jetesës që bëhet ndër ne, ndaj detyrimeve idiote duke e deleguar jetën tonë te hallet për fëmijët, burrin etj. Pra, duke sakrifikuar vetveten, duke u plakur më shumë, duke i hequr vetes kënaqësitë që jeta mund të na falë.

Ishte një komedi që u shkonte përshtat të gjitha grave shqiptare, nevojës për pakëz vëmendjeje, përkujdesje e dashuri më shumë ndaj tyre, për ta gëzuar disi jetën e mbetur, teksa ajo na ikën për duarsh me aq shpejtësi dhe gjethet bien e bien… Pra, mua m’u duk sikur Driada-Olta, nën një natyrshmëri mbresëlënëse dhe komunikim të bukur me publikun, sikur na thoshin: “Gra shqiptare tek të dyzetat e më tej, në mes të jetës suaj, mos u plakni aq shpejt, por gëzojeni jetën, gëzoni qoftë edhe një flirt, qoftë edhe i ëndërrt, një ‘romantikë dashurie’ aq të munguar, paçka se edhe e gënjeshtërt, ndoshta dëshpëruese, por që ju nxjerr nga muzgjet e rutinës dhe vetëplakjes, gëzoni trupin tuaj ende të ri, merrni kënaqësitë e padhëna si një hakmarrje ndaj atyre që ju kanë shpërfillur, që ju kanë përbuzur, që ju kanë ‘plakur’; kërkojini vetë ato, rrëmbejini, mos u bëni robina të qeseve me psonisje, të pjatave dhe tenxhereve të palara, të malit me rroba stok, të gjellës dhe robërisë së shtëpisë, të burrit vramuz dhe fëmijëve që nuk ju ndihmojnë.

Shpejt trupi dhe lëkura e fytyrës vyshket, vyshket jeta, vyshken dëshirat dhe lëngjet shterin, erosi vdes, të zë për këmbësh përtesa, truri tuhafepset dhe befasisht plakja ka ardhur, ju ka vënë përfund…”
Shfaqja “Shirli Valentina” ishte një klithmë për pak më shumë liri dhe kënaqësi në jetën e gruas. Jeta është aq e shkurtër dhe ne befasisht e shohim veten të plakur. Prandaj… prandaj… thoshte komedia, thoshin Driada me Oltën dhe gjithë ekipin pas, thyejeni rregullin e ngurtë, shpërthejini koracat e jetës së ndrydhur, monotoninë mbytëse, ritualin e njësojtë, kërkoni pak aventurë, pak romantikë, fundja edhe pak ëndërr. Ose dhe më qartë: Kërkoni lirinë tuaj!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.